Artur Zotkaj, vëllai i kryetarit të bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj, kapet me drogë. Ai u arrestua nga policia si pjesë e një grupi që kultivonin dhe shisnin lëndën narkotike. Policia e Beratit zbuloi në biznesin e Artur Zotkajt 19 kilogramë marijuanë.
Bashkë me vëllain 46-vjeçar të kryebashkiakut, në pranga ranë edhe Kreshnik Hasenbelli 24 vjeç, Abedin Nurellai, 38 vjeç dhe Destared Allko 23 vjeç, banues në Poliçan.
Finalizimi i operacionit antidrogë të koduar “Pronovik” erdhi pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim të policisë me Prokurorinë. 46-vjeçari kishte disa magazina në fshatin Provnik ku u gjet lënda narkotike nga forcat e policisë, të cilat prej kohësh ishin duke hetuar për këtë person. Lënda narkotike ishte e paketuar dhe e presuar e bërë gati për tregun vendas.
Mësohet se, Artur Zotkaj, është pronar i një fabrike të përpunimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm.
Në kuadër të këtij aksioni u shpall në kërkim një 22-vjeçar nga Poliçani me inicialet E.H si bashkëpunëtor i këtij grupi.
Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.