Home Aktualitet Aksidenti, Berisha në Pukë: Ishte tragjedi, 1 fëmijë në gjëndje të rëndë

Aksidenti, Berisha në Pukë: Ishte tragjedi, 1 fëmijë në gjëndje të rëndë

772
0

FUSHE ARREZ -Nje autobus me pasagjerë doli nga rruga, pasditen e të dielës, në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz, dhe ra në greminë. 14 persona mes tyre 4 fëmijë humbën jetën. Në Spitalin Ushtarak nga 12 të plagosurit, Eriksoni 9 vjecar në gjëndje kritike për jetën. Kryeministri, e deputetët e opozitës homazhe në familjet e viktimave. Shqipëria sot në zi kombëtare.

Ora 12. 00 DEPUTETET PS HOMAZHE NE FAMILJEN MUSTAFA
Deputetë e Partisë Socialiste Ilir Beqja, Astrit Beci, Ndue Kola, Gjok Jaku, të shoqëruar edhe nga kryetari bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, kanë qenë sot pranë familjeve të viktimave të aksidentit tragjik të Fushë Arrëzit, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë. Deputetët kanë qenë të pranishëm gjatë ceremonisë mortore të familjes Mustafa ne Fushe Arrez. Kjo familje ka pësuar edhe humbjen më të madhe nga aksidenti tragjik i ditës së djeshme, pasi kanë humbur jetën 3 persona.

Ora 11: 45 BERISHA: AKSIDENTI ISHTE TRAGJEDI
Kryeministri Berisha ndodhet për vizitë në familjen Mustafa në Fushë Arrëz. Duke shprehur ngushëllimet e të gjithë shqiptarëve, kryeministri tha se “Dje ishte një tragjedi e vërtetë” . Familja Mustafa ka tre viktima, Ademin 52 vjec, Elona 12 vjece dhe Lavdien 41 vjece. Më pas kryeministri ka zhvilluar homazhe në familjen Marku.

ORA 10:00 9 VJECARI NUK DO TRANSPORTOHET NE SENATORIUM
Mjekët e Spitalit ushtarak kanë vendosur të mos transportojnë Erikson Perajn fëmijën 9 vjecar në Spitalin e Mushkërive. Gjëndja shëndetësore tepër e rënduar e të miturit nuk lejon që ai të transportohet me ambulancë nga një spital në tjetrin. Por një aparaturë respiratore nga Spitali i Senatoriumit, si dhe mjekë të këtij spitali do të vendosen në dispozicion të fëmijës, për ti shpëtuar jetën

Ora 09:00: AKSIDENTI, DY FEMIJE NE GJENDJE TE RENDE
Shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak, Petrit Zhurda informoi sot në mëngjes se gjëndja shëndetësore e të plagosurve në aksident mbetet e rëndë. Sidomos për dy fëmijë, njëri prej të cilëve Erikson Peraj. 9 vjecari ka pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mjekët e Spitalit Ushtarak po këshillohen për transportimin e tij në Spitalin e Mushkërive, në Senatorium, për një mjekim më të specializuar. Mjekët thanë se fëmija i është nënshtuar operacionit gjatë gjithë natës.

“Situata e gjendjes shëndetore e të aksidentuarve ngelet e rëndë. Dy fëmijë ndodhen në bllokun operator. Një kishte dëmtime të barkut dhe dëmtime të kokës, dhe një fëmijë tjetër, i cili ka dëmtime të dy mushkërive dhe është operuar gjatë gjithë natës”.- informoi Shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak, sot paradite rreth orës 08.30 minuta.

Doktor Zhurda tha se “të dy fëmijët mbahen me ventinlacion mekanik për arsye se në reanimacion nuk ka asnjë mundësi tjetër për ti trajtuar”. Mjeku reanimator shpreson se njëri prej fëmijëve do të shkëputet nga ventilacioni mekanik. Ndërsa fëmija tjetër, Erikson Peraj ngelet më rëndë , dhe do transportohet në Senatorium.
Për të plagosurit e tjerë mjeku informoi se dy gra janë në reanimacion me dëmtime të anësive, të stabilizuara, ndërsa 6 të sëmurë të tjerë janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Shefi i reanimacionit Zhurda tha se nuk kishte pasur nevojë për transfuzion gjaku, por bëri sërish apel “për të dhuruar gjak pasi në një sezon vere me raste të tilla përballemi përditë”.
AKSIDENTI
Policia informoi dje se autobusi me targa PU 1330 A, që drejtohej nga 48-vjeçari Zef Gjergji, ishte duke udhëtuar nga Durrësi për në drejtim të qytetit verior. Në afërsi të fshatit Dom të Komunës së Gjegjanit, mjeti ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe ka rënë në greminë. Pasagjerët, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, përjetuan ferrin. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot duke iu referuar burimeve nga policia lokale pohojnë se disa nga viktimat kanë dalë nga dritaret e autobusit që është rrokullisur, për të përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh.  Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policore nga Shkodra, Puka dhe Tirana, forcat e RENEA-s, të FNSH-së, repartit të Zjarrfikësve, si dhe autoambulanca. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha u ngrit një shtab emergjence, ndërsa helikopterë të kësaj ministrie dhe asaj të Shëndetësisë fluturuan me shpejtësi për në vendngjarje për të transportuar të mbijetuarit e tragjedisë. Pas nxjerrjes nga gremina, të plagosurit, mes të cilëve dhe shoferi 48-vjeçar, u dërguan me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Disa të plagosur dhe të vdekur u transportuan në spitalin e Pukës ndërsa dy të tjetër në Shkodër.
VIKTIMAT
Policia konfirmoi zyrtarisht se viktimat janë Alma Marku, 33 vjece, Arsen Marku, 8 vjec, Paulin Gjoni, 28 vjec, Mimoza Dyzeni, 29 vjece, Adem Mustafa, 52 vjec, Marte Lleshi, 31 vjece, Marie Prenga, 60 vjeçe, Elona Mustafa, 12 vjeçe, Zef Gjergji (shoferi) 47 vjeç, Fran Paloka, 22 vjeç, Gjovalin Pera, 15 vjeç, Prengë Dyzeni, 38 vjeç, Adela Prenga, 14 vjeç, Lavdie Mustafa, 41 vjeç
TE PLAGOSURIT
Të plagosurit në Spitalin Ushtarak janë Mirsad Mustafa 4 vjec, Mirlinda Mustafa 15 vjec, Raisa Mustafa 12 vjec, Armando Mustafa 8 vjec, Erikson Peraj 9 vjec, Flora Peraj 36 vjec, Desaro Preng Dyseli 7 vjec, Pjerin Kola 43 vjec, Gjon Marku 46 vjec, Alvida Marku 12 vjec
HETIMET
Me gjithë hetimet intensive, ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit tragjik. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji ishte shofer me përvojë (kishte patentë të klasit të parë) dhe e njihte mirë zonën. Nga frenimi i gomave në vendngjarje rezultoi se mjeti nuk ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi. Nisur nga ky fakt, dyshohet që gjendja shëndetësore e Gjergjit mund të jetë bërë shkak i aksidentit. Do jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të hedhë dritë mbi këtë gjë. Sipas ekspertëve, nuk përjashtohet as një tërheqje vëmendjeje e shoferit, apo dhe moti i keq (dyshohet se ka pasur një shkrepje vetëtime).
DITE ZIE
Qeveria shpalli ditë zie kombëtare, ditën e sotme, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik. Qeveria informoi dje se do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për familjet që humbën të afërmit e tyre në aksident. Dita e zisë do të shoqërohet me një minutë heshtje dhe me vendosjen e flamurit kombëtar në gjysmë shtize, në të gjitha institucionet shtetërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here