Home Eduard Zaloshnja A do të shkojë Berisha në burg?

A do të shkojë Berisha në burg?

1324
3

berisha-braceNë Italinë e viteve ’90, ndodhi një revolucion juridik, i mbiquajtur i “duarve të pastra”. E filloi prokurori Antonio Di Pietro me çështjen “Tangentopoli”, e cila, fillimisht, kapi në rrjetë peshkun e vogël Mario Chiesa dhe përfundoi tek peshkaqenët Craxi e Andreotti. Në këtë mënyrë, revolucioni i “duarve të pastra” përmbysi një klasë të tërë politike, që për 40 vjet ishte krimbur nga korrupsioni.

Në qoftë se një gjë e ngjashme ndodh sot në Shqipëri, kam përshtypjen se të paktën 90% e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë publikë do të përfundonin në burg, ose do t’ia mbathnin jashtë Shqipërisë. Përdora fjalën përshtypje, sepse nuk kam fakte konkrete për korrupsionin e 90% të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Dhe përshtypja më është krijuar nga disa vrojtime personale në ambjentin që më rrethon.

Për shembull, unë ndoshta e kam rrogën mujore (në një institut privat) më të lartë se çdo zyrtar publik në Shqipëri. Dhe kjo rrogë më ka krijuar mundësinë të kem një veturë modeste — jo luksoze, si veturat personale të shumicës së zyrtarëve të lartë publikë që unë njoh. Rroga ime më ka krijuar mundësinë të kem një shtëpi modeste — jo luksoze, si ato të shumicës së zyrtarëve të lartë publikë që unë njoh. Rroga ime më ka krijuar mundësinë të bëj pushime verore e dimërore modeste — jo luksoze, siç i bëjnë shumica e zyrtarëve të lartë publikë që unë njoh. Për të mos folur pastaj për një shtëpi pushimi në plazh apo në mal, që unë s’kam mundësi ta blej…

Dhe pavarësisht nga ç’shkruajta më sipër, unë marr pjesë në zgjedhje. Dhe gjithnjë kam qenë partizan i rotacionit të pushtetit…

Për shembull, fushata e Berishës në 2005-ën me moton “Me duar të pastra” nuk më bëri të besoj se do të ndodhte në Shqipëri ajo që kishte ndodhur në Italinë e fillimit të viteve ’90, por sidoqoftë, e përkraha publikisht rotacionin e pushtetit. Dhe në fakt, “mamuthi i korrupsionit” Nano, siç e quante atëherë Berisha, nuk përfundoi në burg, por ekonomia shqiptare pati një hov të dukshëm në 4 vjetët e para të qeverisjes së re. Investimet publike arritën pothuaj 9% të PBB-së, nga 4.5% që kishin qenë, ndërsa vëllimi i tregtisë me pakicë (në sasi, jo në vlerë) puthuaj u dyfishua.

Por në mandatin e dytë të Berishës, uji i ndenjur ka filluar të qelbet. Investimet publike kanë zbritur përsëri në nivelin 4.5% të PBB-së dhe vëllimi i tregtisë me pakicë është pakësuar 12% në krahasim me qershorin e 2009-ës. Për të mos folur për rënien që ka pësuar Shqipëria në indeksin e demokracisë, të matur çdo vit nga revista britanike “The Economist”.

PS-ja, në fakt e ka akuzuar përditë Berishën dhe familjen e tij biologjike e politike për korrupsion, ashtu siç bënte Berisha ndaj Nanos & co. para 2005-ës. Dhe kjo gjë ka gëzuar deri më sot shumë militantë të PS-së, e ndoshta u ka dhënë shpresë se do ta shohin në burg Berishën & co. për milionat e eurove që akuzohen dhe për të gjitha zullumet e tjera. Por mua s’më ha buza kulaç…

Unë e disa si unë jemi partizanë të rotacionit, sepse mendojmë se ekonomia dhe demokracia përfitojnë nga ndërrimi i herëpashershëm i pushtetit. Qëndrimin e gjatë të një partie në pushtet e kemi provuar për 50 vjet ne shqiptarët dhe e dimë se ç’pasoja sjell për ekonominë dhe demokracinë…

Ndërsa forcimi i shtetit të së drejtës, i cili është antidoti më efikas kundër korrupsionit, nuk është një gjë që realizohet thjesht me një rotacion pushteti. Vërtet Craxi e Andreotti u përballën me drejtësinë në vitet ’90 dhe parti të reja u krijuan në Italinë fqinje, por shteti i së drejtës ende s’e ka fituar atje betejën me korrupsionin në nivelet e larta politike…

3 COMMENTS

  1. Ne ka ndonje “analist” apo “komentator” tjeter te nivelit te ketij Eduardit, do te thosha mjere analiza dhe komenti ku ka perfunduar….
    Por duke e pare se ky eshte i vetmi, por i vetmi nder te vetmit psudo -“analiste” dhe pseudo- “komentatore” qe sorollaten neper studiot televizive, te mbushin ndonje karrige te mbetur bosh, ngushellohem dhe nganjehere them edhe “gjynah” le te marre ndonje lek, se eshte hallexhi, se sa per ate rrogen ne nje ‘Institut privat”, besoj se roje me dy turne duhet te jete, nuk meriton me shume. Edhe roje mendoj me shume se mund te trembe ndonje keqberes vetem me portret….

  2. Me erdhi per te qeshur kur fliste per “mani pulite”ish gjykati Di Pietro gje e famshme Italia nga 92 e sote ka ikur mbrapa 50 vjete vini e pyetni ITALIANET SE çTHONE DHE KUSH ESHTE DI PJETRO TANI KJO MENDONI SE DO VIJNE NE SHQIPERI FATEKEQESi DO JETE SHUME E MADHE ASHTU SIç KA NDODHUR PER ITALIANET ME lomberto dini .romano prodi e finale Mario Monti ITALIA IN RECEZIONE MUNDE TA PYESNI PER KETE GJE BERSANIN SE E MBAJTI PENGE ITALIN PA SHTETE PER TRE MUAJ

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here