Prokuroria e Përgjithshme ngre akuza ndaj 3 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, dy socialistë dhe një demokrat.
Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, deputetë të Partisë Socialiste akuzohen për dhunë ndaj kolegut të tyre Gent Strazimiri, kurse Astrit Veliaj i Partisë Demokratike për një ndërtim pa leje në Fier.
Në një konferencë për shtyp në orën 13:00, Drejtoresha e Kabinetit ne Prokurorine e Pergjithshme, znj. Fjorida Ballauri, bëri me dije se 2 deputetët socialistë janë marrë në cilësinë e të pandehurve pasi akuzohen për goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit Gent Strazimiri. Sipas Prokurorise, agresioni u deshmua dhe nga pamjet filmike te siguruara nga kamerat e sigurise ne Parlament.
Nën akuzë është vendosur edhe deputeti demokrat, Astrit Veliaj, për një ndërtim pa leje në Fier. Akuzat ndaj Astrit Veliajt janë ngritur pas kallzimit penal të një qytetareje nga Fieri.
PJERIN NDREU
Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se “hetimi për deputetët Ndoka dhe Ndreu nisi pas kallëzimit të bërë më 14 korrik, nga Edi Paloka si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Zëdhënësja e Prokurorisë deklaroi se Ndoka e Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre Strazimiri, ku gjatë veprimeve të nevojshme proceduriale, janë sekuestruar kamerat e sigurisë, ku evidentohet goditja e deputetëve socialistë ndaj deputetit demokrat. Sipas pamjeve filmike ka qenë Ndoka ai që e ka goditur i pari me grusht Strazimirin dhe pak më pas edhe Ndreu”.
Në qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se “deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike në 10 korrik 2014, duke bërë që Ndoka dhe Ndreu, të merren të pandehur nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës”.
Astrit Veliaj
Lidhur me rastin e deputetit Astrit Veliaj, bëhet e ditur nga Prokuroria e Pergjithshme se hetimi ndaj tij ka nisur pas kallëzimit të një qytetareje nga Fieri,
“Një qytetare nga Fieri ka denoncuar zotin Veliaj se “UFO shpk” ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në tokën e saj një ndërtesë me 4 dhe 6 kate, i cili vepron si universitet privat dhe është në administrim dhe pronësi të Veliaj. Bashkia e Fierit konfirmon se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Kjo ndërtesë ka zënë një hapësirë në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Subjekti “UFO shpk” ka shkatërruar godinat shtetërore për të ngritur ndërtesën e tij, për këtë arsye kallëzim penal ndaj Veliaj është bërë si përfaqësues ligjor i “UFO shpk”. Veliaj ka konsumuar elementët e veprave penale ndërtim i paligjshëm dhe shkatërrim prone”, thuhet në qëndrimin e Prokurorisë.
Në përfundim nënvizohet se hetimi penal ndaj tre deputetëve u krye prokurorët e drejtorisë së hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan Gjykatës së Lartë, e cila ka kompetencën për gjykimin e zyrtarëve të këtij niveli.
Menjëherë pas akuzave të prokurorisë kanë reaguar të tre deputetët. Ndoka shprehet se e respekton institucionin e drejtësisë, Ndreu thotë se do të provojë se nuk ka gisht në këtë ngjarje, kurse Astrit Veliaj thotë se ndërtimin e ka pasur me leje dhe se disponon dokumenta.
NJOFTIMI I PLOTE NGA PROKURORIA
Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuzë për 3 zyrtarë, me funksion deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë marrë në cilësinë e të pandehurve, pasi akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet.
Gjithashtu, është marrë në cilësinë e të pandehurit edhe shtetasi Astrit Veliaj, me funksion deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i akuzuar për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone” të parashikuara nga nenet 199/a dhe 150 të Kodit Penal.
Hetimi penal i zyrtarëve me funksion deputet është zhvilluar nga prokurorët e Drejtorisë së Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në nenin 13 të ligjit Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë.
Hetimi ndaj shtetasve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ka filluar në bazë të kallëzimit të dorëzuar në date 14 Korrik 2014 nga deputeti Edi Paloka, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas kallëzimit, në datën 10 Korrik 2014, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët Ndoka dhe Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre Strazimiri.
Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri.
Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë deputeti, Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka vendosur që të marrë si të pandehur deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Fjorida Ballauri
Drejtoresha e Kabinetit ne Prokurorine e Pergjithshme, znj. Fjorida Ballauri,
Nga ana tjetër, hetimi per procedimin tjeter ndaj shtetasit Astrit Veliaj ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se subjekti UFO sh.p.k, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2. Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti UFO shpk, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj.
Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë.
Gjatë hetimit ka rezultuar se kjo ndërtesë ka zënë edhe një hapësirë, e cila është në inventarin e Ministrisë së Brendshme.
Deri në vitin 2012, në këtë truall kanë qenë zyrat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Pas zhvendosjes së zyrave të këtij institucioni në një ambjent tjetër, në inventarin e Ministrisë së Brendshme kanë mbetur godinat ku ushtronte funksionet Drejtoria e Policisë së ketij Qarku. Subjekti UFO sh.p.k, në mënyrë të paligjshme, ka shkatërruar këto godina shtetërore, me një vlerë që llogaritet në rreth 10 milionë e 500 mijë lekë për të ngritur ndërtesën e tij.
Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj shtetasit Astrit Veliaj, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit UFO sh.p.k.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është arritur në përfundimin se shtetasi Astrit Veliaj ka konsumuar elementët e veprave penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone”.
Materialet në ngarkim të të pandehurve me funksionin deputet do t’i përcillen Gjykatës së Lartë, e cila është kompetente për gjykimin në juridiksion fillestar për zyrtarë të këtij niveli.
Arben Ndoka për News24: Respektojmë institucionin e drejtësisë
Deputeti Arben Ndoka ka reaguar menjëherë ndaj akuzave të Prokurorisë së Përgjithshme. Për News24, Ndoka tha se ‘Respektojmë institucionin e drejtësisë’.
NDREU: SHOW I PRKURORISË, KAM PROVA QË E BËJNË AKUZËN QESHARAKE
Cfarë ndodhi atë ditë?
Nuk jam këtu për t’ju treguar ngjarjen. Ka një hetim ka një akuzë. Përshëndes prokurorinë për zellin e madh që ka treguar për ta bërë shoë një çështje të tillë. Ka eksponentë të politikës të përfshirë në krim dhe akte korruptive shumë fish më të rënda dhe nuk ka nxit konferencë për shtyp.
Jam në dijeni të provave që ka Prokuroria, të deklarimeve. Po ju them se akuza veçse show nuk ka asnjë bazë se nga ç’motiv dhe nga kush nxitet ky show do e shohim. Të ngresh një akuzë nuk do të thotë gjë. Ka një palë që akuzon ka edhe një palë që mbron dhe një palë që gjykon që është gjykata. Eshtë detyra ime që të paraqes provat që rrëzojnë akuzat dhe e bëjnë qesharake.
Do mbroheni vet apo me avokat?
Do mbrohem me avokat. Unë nuk kam ushtruar dhunë dhe as nuk kam nxitur dhunë. Ka një kthim sprapsi të situatës. Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë në sallë. Vendosja e personit tim në korridor si person që kam nxitur dhunë është dashakeqe.
Po akuzat ndaj zotit Ndoka qëndrojnë?
Nuk mund të them, se nuk kam parë asnjë gjë. Kam shkuar 5-6 minuta më vonë dhe nuk kam asnjë lidhje.
Hetimet kanë muaj që vijojnë…
Ngritja në publik e një akuze të tillë kur raste më të rënda kanë ndodhur në parlament dhe përmendja e emrit tim në këtë akuzë është e padrejtë dhe e pa rregullt. Le t’ia lemë gjykatës ta vërtetoje.
Unë nuk do bëj publike provat e mia, por do i them në gjykatën. Me provat e mia akuza jo vetëm bie poshtë por bëhet edhe qesharake. Nuk ka lidhje personi im fare me këtë histori. Ka pasur një debat mes meje dhe Strazimirit, por provë është që unë nuk e kam goditur. Ka pasur shumë njerëz jemi shtyrë me duar e me këmbë. Më shumë problem e ka pas Prokuroria se vet personat që kanë qenë aty. Jam shumë i qetë shumë komod me veten.
Pse Prokuroria nxjerr emrin tuaj?
Është problemi i saj. Pas gjykatës do flasim. Pas vendimit të gjykatës do merrem dhe me publikimin e kësaj akuze dhe përmendjen e emrit tim në mënyrë të parregullt. Nuk lejoj askënd të marrë në diskutim emrin tim në mënyrë të paligjshme. Nuk është hera e parë që përballem me akuza. Ose prokuroria dëshiron të përfitojë për imazhin vet, ose është e shtyrë nga dikush. Do vazhdoj të jem i qetë. Më vjen shumë keq që deklarata të tilla nuk e kanë për turp për të dalë në publik për të bojatisur njerëz. Kam pasur me qindra telefonata të shqetësuara. Kushdo që e ka bërë, ka bërë autogol se nuk më kap dot në asnjë gabim.
A keni folur me drejtuesit e qeverisë?
Më kanë telefonuar kolegë, miq, shok dhe vazhdojnë të telefonojnë dhe u them të rrinë të qetë se kjo histori kështu është, ne jetojmë në Shqipëri.
Me Prokurorët çfarë kontakti keni pasur?
Jam paraqitur sa herë më kanë kërkuar. Qëndrimi ka qenë korrekt, ajo që nuk është korrekte është Prokuroria me këtë show.
Pse e theksoni gjithmonë këtë pjesën e show?
Shqipëria ka shumë më tepër probleme, ka çështje penale tejet të rënda dhe Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme ndonjëherë të dalë në këto konferenca shtypi.
Sa herë ju ka thirrur prokuroria dhe ju nuk i keni mohuar akuzat aty…
Sigurisht që i kam mohuar. Nuk ka dhe nuk do ketë asnjëherë asnjë çështje penale që mund të më penalizojë mua. Kushdo që e ka gatuar këtë do marrë përgjigje me kohën. Nuk është e nevojshme të jepet deklaratë për shtyp për një akuzë që është e rëndomtë. Unë thjesht jam i akuzuar dhe të jesh akuzuar nuk është asnjë gjë. Nëse unë dal fajtor kjo përbën lajm. Është një lojë, që luhet pisët në politikë. Është jashtë natyrës sime të të sjellit ku tjetri ngrihet flet përçart dhe të akuzon pa asnjë bazë.
PD ka hedhur akuza që qëndron kryeministri Rama pas kësaj çështje…
Këto janë banalitete, unë nuk dua të hy në banalitete. Është i vetmi person që nuk e ka opsion vet dhe as nuk ta përkrah dhunën.
Nisur nga dreka që shtyu votimin e “Ligjit të policisë”, a ka lidhje ajo me këtë çështje?
Nuk ka lidhje fare me ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri. Marrëdhënia ime me të është e shkëlqyer. As kam kërkuar dhe as kam ndërmend të kërkoj dorëheqjen e ministrit Tahiri dhe të asnjë lloj ministri tjetër.