Disa prej vendeve të Ballkanit po çapiten dhe ligështohen në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Shkak është paqëndrueshmëria politike dhe tensioni që i shoqëron. Kështu shkruan një nga revistat më prestigjioze, “The Economist” në numrin e saj në një artikull të posaçëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Por mbi të gjitha theksohet se pavarësisht dy viteve përplasjeje të ashpër politike dhe akuzave për vjedhjet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, edhe pas vrasjeve para kryeministrisë, Sali Berisha beson se ka mbështetjen e SHBA-ve.
Shkrimi i The Economist
“Ëndrra që Shqipëria t’i bashkohet BE-së është në një telash të madh. Këtë e bëri të ditur me gjuhë të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçak gjatë vizitave të tij në Tiranë, kur u përpoq të negocionte me liderin e opozitës Edi Rama dhe kryeministrin Sali Berisha si i dërguar special për çështjet e Ballkanit nga BE-ja. Ai bëri thirrje që liderët të gjenin dialogun para zgjedhjeve lokale të 8 majit dhe të ndanin përgjegjësitë për mesazhet, pasi “nuk kishte rëndësi se çfarë mendonin ata”, shkruhet në këtë revistë. Ka pasur një politikë të qëndrueshme në Shqipëri deri në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, kur Rama akuzoi Berishën për vjedhje të votave. Opozita bojkotoi parlamentin dhe zhvilloi grevë urie para kryeministrisë me tenda, poshtë zyrës së Berishës. Kjo u mendua si një veprim i pahijshëm për një vend anëtar në NATO dhe që kishte aplikuar për statusin e vendit kandidat, duke vendosur palët nën presion. Tashmë ky tension është rikthyer sërish. Jim Steinberg, nënsekretari amerikan i shtetit vizitoi Tiranën më 25 shkurt. Kurse Lajçak ashpërsoi tonet, duke lënë të kuptohej se miqtë e huaj të Shqipërisë kishin humbur durimin. Pështjellimi i fundit ndodhi në Janar, kur Dritan Prifti, ish-ministër i Ekonomisë, shfaqi një video të regjistruar në televizion privat, ku dukej zëvendëskryeministri Ilir Meta, duke diskutuar afera me shuma të mëdha. Meta denoncoi kasetën si të falsifikuar, po më pas dha dorëheqjen. Pak ditë më pas opozita u hodh në një demonstratë që përfundoi tragjikisht. Një grup i madh protestuesish u vendosën para kryeministrisë duke krijuar trazira, por askush nuk e mendonte prej tyre se Garda Republikane e vendosur poshtë zyrës së kryeministrit, do të hapte zjarr, duke vrarë 4 njerëz në turmë. Berisha menjëherë akuzoi Ramën se u përpoq të bënte një grusht shteti, duke përdorur edhe çadra-pistoletë!. Kur Prokuroria e Përgjithshme kërkoi arrestimin e disa anëtarëve të Gardës, Berisha u pa të bllokonte planet e organit të akuzës për arrestimet. Ai quajti prokuroren e përgjithshme “një lavire bulevardi”, që ishte pjesë e puçit të opozitës. Genc Pollo, një ministër i kabinetit Berisha, insistoi se protesta ishte e mirorganizuar si një grusht shteti me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe pikërisht në godinën ku gjendej kreu i qeverisë dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Kreu i socialistëve, Edi Rama, i quajti një nonsens këto deklarata. “Ata vodhën zgjedhjet, po grabisin vendin dhe tani po vrasin njerëz për të vazhduar të vjedhin e grabisin vendin”, tha ai. “Zoti Berisha beson se ka mbështetjen e Amerikanëve. Kjo i jep atij sigurinë të rezistojë dhe të mos bëjë marrëveshje me Ramën. Por Lajçak tha se dy burrat kanë nevojë emergjente për të rënë dakord se si të zgjidhin problemet që kanë të bëjnë me vjedhjen e zgjedhjeve elektorale dhe për të parandaluar këtë në zgjedhjet lokale të majit”, thekson gazeta. Në të kundërt akuzat do të përsëriten dhe destabiliteti do të vazhdojë, kurse shpresat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE do të mbesin në sirtar.Situata paraqitet diçka më e mirë në Kosovë. U duk e turbullt në zgjedhjet e dhjetorit, por u kthye me një koalicion e diskutime të gjata për qeverinë e re, që zgjatën deri më 22 shkurt. Kryeministri Hashim Thaçi, të cilin një raport i Këshillit Evropian e cilëson si të përfshirë në trafik organesh, kreu i mafias dhe masakra ndaj serbëve më 1999, ra dakord me Behgjet Paçollin për koalicion. Pacolli akuzohet për lidhje të afërta me Rusinë dhe Serbinë, ndërsa u zgjodh president i Kosovës, por opozita e kundërshtoi dhe cilësoi votimin me shkelje. Asnjë prej këtyre nuk e ndihmon Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian. Kështu mbyllet artikulli në “The Economist”.