Zenel Hoxha, tani është president i Dhomës Britanike (institucion në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri), po ashtu edhe Drejtor për Shqipërinë i Unionit Anglish-Folës, organizatë nën Patronazhin e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe. Për herë të parë, pas 20 vitesh, pranon të japë dëshminë e tij, një prej figurave të Lëvizjes Studentore dhe të themelimit të Partisë Demokratike, Zenel Hoxha. Ai tregon se si u përfshi në Lëvizjen Studentore, duke qenë se nuk ishte student. Ai ishte rezident në Qytetin Studenti, në godinën ku ishin dhe profesorë të tjerë të rinj dhe kujton me detaje datat e rëndësishme për Lëvizjen, por edhe për Shqipërinë, siç janë datat 9, 10, 11, 13 dhjetor e më tej. Siç shprehet dhe zoti Hoxha, ajo lëvizje ishte tejet intensive dhe në çdo moment ndodhte diçka, që do të bëhej më pas pjesë e historisë. Ishte ai që i kërkoi ndihmë doktor Berishës që të lironte studentët e arrestuar, që edhe pse të plagosur ishin futur në qeli. Policia kishte qëlluar mbi ta pa asnjë kriter, ai tregon se si tre studentë të hedhur në makinat e policisë ishin pa ndjenja. Ishte po Zenel Hoxha që propozoi Sali Berishën si anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike. Para se të ndodhnin ngjarjet e dhjetorit, zoti Hoxha, si drejtues i lëvizjes Intelektualët e Rinj, i kishte kërkuar Berishës që të ishte udhëheqësi i saj, por që më pas ngjarjet rrodhën shumë shpejt, duke sjellë zhvillime të reja. Hoxha tregon për debatet e zhvilluara në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar, debatet mes Shinasi Ramës dhe Aleksandër Meksit, apo se si hyri Edi Rama në zyrën e Drejtorit te Kino-Klubit Studenti, ku po bëhej mbledhja dhe çfarë kërkoi ai. Hoxha tregon se si u caktua për të ngritur nga hiçi PD-në e Tiranës.
Zoti Hoxha, ju keni qenë pjesë e Lëvizjes Studentore, por edhe anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike. Keni patur gjithë këtë aktivitet, por asnjëherë nuk keni dëshmuar për këtë në media. Pse?
Pas kaq shumë vitesh është hera e parë që një media më ka kërkuar intervistë për kontributin që kam dhënë gjatë zhvillimeve politike të 1990. Kam menduar në fakt se historia nuk shkruhet në momentin kur ndodh dhe duke u nisur edhe nga eksperienca britanike, ngjarjet e mëdha lihen të qeta për 20-50 vite me radhë pastaj shkruhet për to. Por, me aq sa kam vëzhguar unë, ngjarjet e mëdha historike në Shqipëri harrohen shumë shpejt.
Ku e mbështesni këtë fakt?
Gjatë këtyre viteve të heshtjes sime, unë kam lexuar për historinë e vitit 1990 dhe kam konstatuar se, sidomos në kushtet tona, flamuri i këtyre ngjarjeve është marrë nga ata njerëz që nuk kanë bërë asgjë dhe janë pikërisht këta njerëz që përpiqen të bëjnë edhe historinë e një ngjarjeje ku nuk kanë qenë pjesëmarrës. Duke mbetur sërish te ngjarjet e vitit 1990, duke i krahasuar me botëkuptimin e botës së qytetëruar, e cila me fanatizëm gjithçka të mirë, i përjetëson çdo arritje kombëtare, kjo nuk ka ndodhur te ne. Dhe ndodh kështu të paktën 500 vjet e këndej, përfshi këtu edhe Lëvizjen e Dhjetorit, ngjarjet janë interpretuar nga ata që e kanë shkruar historinë, ndërsa ata që kanë qenë personazh janë privuar nga kjo e drejtë.
Në këtë rast flisni edhe për veten?
Sa për vete them, se kur u përfshiva në Lëvizjen e Dhjetorit, nuk e kisha mendjen ta shkruaja vetë historinë e saj, pasi isha i dhënë i tëri pas një kauze të madhe që kishte në thelb kjo lëvizje. Pra nuk isha angazhuar as për të bërë heroin, as për të bërë historianin, isha angazhuar sepse ashtu duhej dhe isha i gatshëm edhe të sakrifikohesha, ashtu si shumë të tjerë, për vendin. Por kur gjykon sot, pasi kanë kaluar 20 vite, them se çfarë do të bëhet me historinë reale të kësaj Lëvizjeje, që në atë kohë ishte aq intensive dhe me aq ngjarje e personazhe? Po për mua tani për tani më e rëndësishme është se falë Zotit unë ende jetoj, jam dëshmitar i atyre ngjarjeve dhe përjetoj çdo ditë ngjarje të reja. Tre vjet më parë, lexoj në një gazetë një artikull rreth historisë së atyre ditëve. Ishte shkruar nga një njeri, i cili pas Lëvizjes së Dhjetorit, ishte ftuar t’i bashkohej strukturave tona dhe e kisha në krah në çdo mbledhje të komisionit nismëtar të Partisë Demokratike. Po ai na kishte harruar, pikërisht neve që ishim vërtetë aty, aty ku na kërkonte historia. E marr në telefon dhe i them pikërisht këtë gjë, që “na ke harruar”. Më përgjigjet në telefon se “nuk ju mbaj mend” dhe pas 24 orësh më merr sërish në telefon dhe më kërkon të falur. Historia është histori dhe i kthehemi sintezës që thotë se e vërteta vonon, por nuk harron.
Si u përfshitë ju në Lëvizjen Studentore?
Përfshirja në këtë Lëvizje nuk ishte e rastësishme. “De facto” mendoj se pjesë e saj kam qenë ndoshta që kur kam lindur, ku kam parasysh historinë e familjes sime, e cila ka qenë gjithnjë kundërshtare e komunizmit. Im atë gjithnjë më thoshte, se nëse “do të më zienin në një kazan me komunistët për 24 orë, as lëngu nuk do të më përzihej”. Në një bisedë tonën në vitin 1982, këshilla e tij për mua ishte që “kurrë mos mendo të jesh pjesë e tyre, unë do t’ia arrij që përsëri të kem tokën dhe dinjitetin tim, ata do të marrin dënimin e merituar”, (por që në fakt nuk e morën këtë dënim për tragjedinë që i shkaktuan popullit shqiptar).Që në vjeshtën e vitit 1990 unë së bashku me miqtë e mi, Engjëll Gishti (historian) dhe Artan Hoxha, inxhinier, kishim ndërmarrë iniciativën për të krijuar atë që u quajt Lëvizja e Intelektualëve të Rinj. Hapi tjetër që ndërmorëm ishte dhe bashkëbisedimi që bëmë në shtëpinë e Sali Berishës në nëntor të po atij viti. Lëvizja e Intelektualëve të Rinj po kërkonte liderin e vet dhe propozimi im ishte që personi më i përshtatshëm për të qenë në krye ishte pikërisht Berisha, duke u nisur dhe nga aktiviteti i tij që u bë i njohur në vitin 1990. Grupi im ra dakord dhe ne ia propozuam atij. Një tjetër ngjarje e atij viti ishte dhe vizita që bëra në maj të 1990 familjes së Bajram dhe Xhaferr Ndreut, të persekutuar dhe të internuar në Shtyllas të Fierit. Kur më panë më thanë ‘ti ke ardhur këtu, por kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme për ty’. Unë doja thjeshtë t’i përshëndesja. Në mëngjes kur po largohesha prej tyre u thashë i bindur ‘bëhuni gati, se gjërat nuk do të jenë më ashtu siç kanë qenë deri më tani’.
Ku punonit ju atëherë dhe çfarë lidhjeje kishit me Qytetin Studenti?
Punoja në Institutin e Projektimit të Veprave Hidroteknike si inxhinier, isha përgjegjës grupi. Ndërkohë që punoja në institut unë edhe jetoja në Qytetin Studenti, godina 18, dhoma 118. Natën e 8 dhjetorit nuk kam qenë atje. Por më 7 dhjetor në darkë kam qenë diku tjetër.
Ku ishit zoti Hoxha?
Isha në shtëpinë e Sali Berishës, pasi në takimin e parë që bëmë në shtëpinë e tij me 21 Nëntor 1990, së bashku me Engjëll Gishtin nuk patëm mundësi të shprehim idenë tone për të cilën ne kishim vajtur, sepse doktori ishte me temperaturë, por u nënkuptuam me njeri-tjetrin. Para largimit nga shtëpia e kishim lënë të takoheshim sërish pas dy javësh për të biseduar lidhur me propozimin tonë. Së bashku me Engjëll Gishtin shkojmë në shtëpinë e Berishës. Trokasim atje. Zonja Liri Berisha me shumë mirësjellje na tha që të hynim, por i thashë kemi ardhur vetëm të takojmë sërish doktorin. Ishte ditë e premte. Ajo na thotë që Berisha kthehej nesër nga Italia, që i binte të ishte data 8 dhjetor.
Meqë nuk ishit i pranishëm me datën 7 dhjetor, si u bëtë pjesë e ngjarjeve të mëvonshme?
Më 9 dhjetor paradite stacioni ynë kryesor ishte Biblioteka Kombëtare ku flitej për të gjitha lëvizjet, ngjarjet dhe atje intelektualët jepnin mendimin e opinionin e tyre për to. Atje diskutuam dhe për ikjen e Kadaresë një ditë pasi u mor vesh se ai ishte larguar nga Shqipëria, apo për protestën që kishin bërë studentët. Atë ditë në Bibliotekë në katin e parë, takoj një student nga ana ime, Besnik Canin, që studionte për fizikë, (sot është në një detyrë të rëndësishme). Në bisedë e sipër, teksa po diskutonim për ngjarjet e datës 8, i them që duhet të kalojmë nga Qyteti i Studentit. Nisemi dhe tek rruga Budi, ku kryqëzohet me rrugën Qamil Guranjaku dhe atë të Elbasanit, (rruga e Liceut), marrim drejtimit nga ana e muzeut Lenin-Stalin, sot rezidenca e ambasadës italiane. Takojmë një pedagog të Akademisë së Rendit, Fatmir Karaj, i cili, së bashku me pedagogë të tjerë, ishte angazhuar në ruajtjen e rendit atë dite. Në atë moment mendova se ngjarja duhej të ishte tejet serioze. E takoj Fatmirin dhe i them se ‘çfarë bëhet kështu?’. Ai më përgjigjet se ‘situata është shumë e rrezikshme, është njëri nga studentët me xhup të zi, i cili është planifikuar të vritet, pasi mendohet se është shkaku i gjithë kësaj trazire dhe se me atë nuk merren vesh’.
Dhe çfarë bëtë në atë moment kur morët vesh këtë lajm?
Me vete kisha biçikletën, çantën dhe në krah ishte Besniku, studenti. Këtij i them se ‘do të shkoj të futem te studentët’. I jap biçikletën, çantën dhe në momentet e fundit shkruaj dy gisht letër, ku i lë porosi babait që nëse nuk kthehem më, ‘duhet ta dish se jam nisur drejt një rruge që vlen më shumë se vetja ime’, dhe i them Besnikut që të largohet. U nisa drejt kreut te studentëve protestues tek cepi i godinës sot rezidencë e Ambasadorit Italian, studentët po zbrisnin me qindra te kryqëzimi i rrugëve. I shoh që ishin tejet të organizuar, por nga ana tjetër ishin edhe të lodhur dhe të tensionuar. Kërkoj të bisedoj me disa që më dukeshin si drejtues. I drejtohem studentit të veshur me xhup të zi, por ishte e pamundur që të arrije të komunikoje me të, sepse ai ishte duke udhëhequr studentët me thirrjet e mëdha, ‘Liri Demokraci’, e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Në ato momente ju drejtohem shokëve të tij përreth: ‘duhet ta largoni shokun tuaj me xhup të zi, policia synon ta ekzekutojë atë, prandaj duhet ta ruani ose ta largoni’. Studentët nuk më njihnin në ato momente dhe më pyesin se kush jam dhe unë u përgjigjem se ‘jam si ju dhe kam ardhur të vdes me ju’. Më vonë e mora vesh se ai që drejtonte bërthamën e grupit që kishte organizuar protestën, që kishte veshur edhe xhup të zi ishte Azem Hajdari. Në krah të tij ishte Shinasi Rama, Tefalin Malëshyti, Arben Lika, Arben Broci dhe qindra të tjerë. Studentët më thanë se jemi të vendosur ta vazhdojmë protestën tonë, por duam të jemi sa më të organizuar, ‘mos u shqetësoni për këtë’, u them atyre, ‘hapi i parë do të jetë vendosja e vajzave studente në vijën e parë’, duke shpresuar se policët do të hezitonin t’i godisnin ato, por ne. Studentet trime si Alma Bendo, Mimoza Zhamo e tjera, (por që u kërkoj ndjesë që nuk ua mbaj mend emrin) u radhitën me guxim dhe trimëri të rrallë në ballë të studentëve protestues. Fillimi i grumbullit të studentëve protestues ishte pikërisht ku kryqëzohet rruga e “Elbasanit” me rrugën “Qamil Guranjaku”, aty ku sot është Liceu “Jordan Misja” dhe fundi i tyre ishte te fillimi i ndërtesës ku sot gjendet ambasada amerikane. Në fushën mes muzeut Lenin-Stalin dhe ambasadës amerikanë ishin me qindra banorë të pallateve përreth dhe studentë. Në orën 10:30 të paradites në gjirin e kësaj mase të madhe njerëzish ndjenja ishte e tillë saqë kur hyje brenda në të, nuk e llogarisje më veten, nuk ishe më ti, ti ishe një pjesëz e një trupi të madh. Në atë moment mendoje se po të kaloje grumbullin e policëve dhe punonjësve të ministrisë së Brendshme do të arrihej liria dhe demokracia, të cilën e kërkonin studentët dhe njerëzit e thjeshtë. Pra t’i kaloje këto pengesa, të dukej sikur kishe hyrë në Europë.
Cili ishte roli që luajtët në çaste të tilla?
Jam përpjekur të luaj një rol organizativ. Mbaj mend se studentët menduan se duke vënë vajzat në radhë të parë do të zbutej qëndrimi i autoriteteve policore ndaj tyre, pas vajzave ishin studentët djem që hidhnin parulla “Liri, demokraci”, “Rroftë Shqipëria”, “Shqipëria është e jona”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Studentët këndonin himnin, “Eja mblidhuni këtu këtu”. Në një moment kur kam kthyer kokën prapa për të parë studentët, që them pata fatin të isha pjesë e tyre, konstatoj se nuk ishte asnjë jo student, përveç një kujdestari të godinës 13, në mos gaboj, godina e shkencave, Fatmir Kryekurti. Asnjë pedagog nuk ishte me ta.
Çfarë ndodhi më pas, si reaguan autoritetet?
Rreth orës 12:30-13:45, ishin momente ku nuk po ndodhte asnjë lëvizje, përveç thirrjeve të studentëve dhe armëve drejtuar studentëve nga policët, katër metra ishin ata larg trupave të tyre. Rreth orës 13:00 sportdashësit, që po shkonin për të parë një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” ku luante “17 Nëntori” me një ekip tjetër, ishte ndeshje e rëndësishme mbaj mend, filluan të lëvizin në rrugën e Elbasanit në krahun e Liceut, për të shkuar nga stadiumi. Në atë moment dëgjoj urdhrin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme (të stacionuar aty ku sot është Ambasada Zvicerane) për të shpërndarë studentët. Frika e tyre ishte se në ato momente do të ketë edhe një përfshirje të banorëve–sportdashësve tiranas me studentët protestues. Policët filluan të qëllojnë me shkopinj gome dhe shkelma mbi studentet vajza dhe djem pa dallim. Përballë vilës sot Ambasada Zvicerane shoh doktor Berishën dhe Besnik Mustafajn, regjisorin Kujtim Çashku duke debatuar ashpër me drejtues police.
Në cepin tek shkolla “Kosova” përballë hyrjes së Liceut, dëgjoj Lisen Bashkurtin, duke thirrur dhe ndërhyrë fizikisht në momentin që një studente goditej keq dhe po e tërhiqnin zvarrë drejt makinës IFA. Më vonë mësova se ishte heroina Mimoza Zhamo, e fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, e cila përfundoj në burgun e Tiranës ashtu pa ndjenja. Liseni vazhdoj t’ju thotë policëve ‘sa po vij nga një takim me Ramiz Alinë, i cili më tha që të mos qëllohet mbi studentët’. Policët ndërhynë pa kriter, godisnin kë t’u dilte përpara. Ata qëllonin, i merrnin studentët dhe i hidhnin në IFA (makinat e policisë). Kur u pa që policia po ushtronte dhunë, një pjesë e studentëve u largua. Ata që u kapën, ashtu edhe të plagosur, i morën dhe i hodhën mbi makina. Një djalë, për të cilin më thanë se ishte i shkollës Teknologjike, pra ishte më i riu nga protestuesit, është qëlluar aq rëndë saqë gjaku i rridhte disa metra larg. Nuk kisha parë skenë të tillë në jetën time, gjaku i tij shpërthente në një trajektore të madhe. i shokuar, pasi isha pranë tij, e kam kapur dhe i jam drejtuar policëve ‘kriminelë’. I detyrova ata që me veturën që kishin ta merrnin djalin dhe ta çonin në spital, ndoshta është i vetmi nga të plagosurit që është dërguar në spital. Pesë prej studentëve të dhunuar ishin në gjendje shumë të rëndë, të gjakosur, pa ndjenja. Mbaj mend njërin prej tyre, një djalë i shëndoshë pak si biond dhe me sy bojëqielli që ishte më keq,(do të dëshiroja që gjithë këta dhe të plagosurit që përfunduan në burgun e Tiranës të më shkruajnë). Studentët e kapur nuk mund t’i lija vetëm, kështu që hipa në IFA së bashku me ta, me shpresën se do t’i çonin në spital.
Dhe a shkuan në spital?
IFA ishte e mbushur me studentë të plagosur dhe them që mund të ishin katër makina të tilla. Rrugës, pikërisht te rruga Bardhyl, mendova se po ktheheshin nga spitali, por jo. Të gjitha makinat morën rrugën drejt burgut, pavarësish thirrjeve të mia për të dërguar studentet e traumatizuar në spital. Këta të tre nuk i lija dot vetëm, u ngjita bashkë me ta në njërën nga IFA-t, gjithnjë me shpresën se makina ishte nisur drejt spitalit, ata kishin nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Makinat në radhë, njëra pas tjetrës morëm rrugën Bardhyl, andej nga spitali, por kur u afruam atje ato nuk u kthyen. Fillova t’u bërtisja policëve që ishin mbi IFË si dhe shoferit të saj që të ktheheshim nga spitali, por askush nuk më dëgjoi, vargu i makinave u ndal vetëm në burgun e Tiranës. Sa hymë aty, pa pyetur nëse ishin të plagosur apo jo, nëse kishin nevojë për ndihmë mjekësore apo jo, të gjithë studentët i futën në qeli. Tre prej studentëve ishin pa ndjenja, të tjerëve ende u rridhte gjaku nga plagët e marra. Unë isha gjithë gjak, isha përpjekur që të ndihmoja të plagosurit, por plagët e tyre ishin të shumta. Në ambientet e burgut u them policëve që ‘mos i prekni studentët, ata duhet të shkojnë në spital, mos i fusni në qeli, ju shkelni të drejtat e njeriut’. Nuk kishte shumë kohë që Karta e Kopenhagës mbi të drejtat e njeriut ishte shpërndarë ilegalisht nga Lëvizja e Intelektualëve të Rinj dhe njihej nga njerëzit. Ndërsa ua kërkoja këtë më afrohet një oficer i lartë i burgut dhe më pyet se kush jam, se nuk i dukesha si student. E para gjë që më erdhi në mendje në ato momente ishte ‘jam anëtar i Komitetit të Helsinkit’. Ky Komitet sapo ishte ngritur dhe njihej në rrethet shoqërore dhe ishte i vetmi tempull në atë kohë në Shqipëri që kishte dalë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. ‘Jam edhe pedagog’ (punoja edhe si pedagog i jashtëm). Ndërsa po flisja më të, konstatova se ishte nga Kukësi, prandaj në një moment i thashë ‘ju jeni nga Kukësi dhe po të them këtë, nëse u ndodh gjë studentëve, ju do të përballeni edhe me zakonet e traditës shqiptare’. Ai ishte komisari i burgut dhe më thotë se ‘nuk kam asgjë në dorë, unë vetëm marr urdhra nga lart. Situata nuk është aspak e mirë, atë që mund të bëj në këtë moment është që të të liroj ty me shpresën se mund të bësh diçka për këto që janë në qeli’. (Më vonë e kam takuar këtë njeri, i cili quhet Myslym Peca).
Po kush mund t’ju ndihmonte për të nxjerrë studentët nga burgu?
Rreth orës 14:30 shkoj në Qytetin Studenti, tek godina e arteve, siç quhej atëherë. Në hyrje, që është si tip verande, takoj Eduard Selamin. Me vete kisha dy tre çadra të thyera të studentëve, të cilat ia jap Edit dhe i them, ‘të lutem na i ruaj, se këto do t’i duhen muzeut të ardhshëm të demokracisë’. Me Eduardin isha shok prej vitesh dhe i merr, ndërsa po vështronte nga veranda në drejtim të godinës se studenteve nr. 4. Aty pashë që doktor Berisha, Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashku duke folur me studentët. Bashkëbisedimi i tyre nuk ishte i qetë, një pjesë e studentëve ishin të irrituar nga situata. E përshëndes doktorin. (Me të jam njohur që në vitin 1987, gjatë kohës që ai ishte pjesë e programit të asaj kohe në mbështetje të zonave verilindore në Peshkopi dhe për një muaj ngriti dhomën e parë dhe të vetme të reanimacionit të spitalit të Peshkopisë. Për më tepër ai, asistoi nga ana mjekësore, motrën time, e cila vuante prej kohësh nga zemra, e për shkak të terapisë që përcaktoi ai, shëndeti i saj u përmirësua). Përshëndetem me doktorin, i cili më shikon rrobat gjithë gjak. I them ‘doktor të lutem një minutë, të lutem shumë ndërpreje bisedën këtu, se kemi situatë jo të mirë me studentët në burg dhe pritet nga momenti në moment që të dërgohen në Qafë Mollë’. Dhe doktori menjëherë u kthye siç ishte me Besnikun dhe u nisën. Më tha se do të shkonte në Komitetin e Partisë dhe për shkak të influencës së tij u bë e mundur që studentët të lirohen të gjithë rreth orës 16:00-16:30. Kështu mbaron data 9 dhjetor 1990, unë kisha realizuar qëllimin tim, lirimin e studentëve nga burgu.