Ishin fshehur gjate operacionit “Fund marrëzisë”. Shpërthehen katër pika lojërash fati.
Zbulohet magazina ku pronarët e kazinove e pikave të basteve në Tiranë fshihnin nga policia makineritë dhe aparaturat e lojërave të fatit, me qëllim për t’i shpëtuar nga sekuestrimi. Gjatë një aksioni të Komisariatit Nr. 3 të Policisë së Tiranës, ditën e djeshme është bërë hapja me forcë e disa lokaleve në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe pas verifikimeve rezultuan të boshatisura.
Burimet thanë se këto subjekte mbaheshin të mbyllura që prej ditës së parë kur nisi aksioni “Fund marrëzisë”, pasi dyshohet se ka pasur rrjedhje informacioni dhe pronarët janë vënë në dijeni nga persona brenda radhëve të Policisë. Dekonspirimi i operacionit ka bërë që lokalet e basteve dhe të lojërave të fatit të boshatisen dhe përgjatë këtyre ditëve kanë qëndruar të mbyllura, derisa janë hapur me forcë nga Policia e Tiranës. Drejtuesit e operacionit kanë siguruar informacione për vendin ku grumbulloheshin makineritë dhe aparaturat e lojërave të fatit dhe menjëherë është bërë rrethimi i një magazine në periferi të Laprakës, e cila është hapur forcërisht.
Brenda saj janë gjetur mbi 209 kompjuterë apex e admiral, televizorë e aparatura të pikave të basteve, si dhe pajisje të tjera që ishin magazinuar aty me qëllim që të mos sekuestroheshin nga Policia. Të gjitha makineritë janë verifikuar dhe kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore, ndaj janë sekuestruar. Policia ka nisur hetimin për identifikimin e pronarëve të tyre, të cilët do të ndiqen penalisht. Mësohet se është shpallur në kërkim personi që kishte në pronësi magazinën ku u gjetën makineritë, Kreshnik Kasa, 29 vjeç. Aty janë gjetur edhe 16 automjete që dyshohet se janë të vjedhura jashtë Shqipërisë.
LOKALET E BOSHATISURA
Operacioni “Fund marrëzisë” që po vazhdon në shkallë vendi që prej pasdites së datës 14 tetor, ka vijuar dje në kryeqytet, ku u hapën me forcë disa lokale lojërash fati e pika bastesh. Plani i ditës së djeshme për Policinë e Tiranës ishte verifikimi i të gjitha subjekteve që mbaheshin të mbyllura prej 5 ditësh, pa u dhënë mundësinë tatimorëve që të verifikonin rregullsinë e dokumentacionit. Burimet thanë se janë hapur me forcë disa lokale në rrugën “Ferit Xhajko”, në rrugën “Dritan Hoxha”, te “Don Bosko”, në Laprakë dhe deri përgjatë Unazës së Re.
Policia ka konstatuar boshatisjen e lokaleve, edhe pse sipas informacioneve kanë qenë funksionale deri më datë 14 tetor, kur nisi aksioni. Kjo ka sjellë dyshime për dekonspirim të operacionit dhe kanë nisur hetimet për të zbuluar vendin ku ishin transportuar makineritë e lojërave të fatit. Burimet thanë se pasi janë siguruar informacione në rrugë operative, janë gjetur të dhëna që edhe në kohën kur kryhej aksioni, disa automjete transportonin rrugëve të Tiranës kompjuterë, në mënyrë që t’i shpëtonin sekuestrimit.
Policia ka gjurmuar një furgon që dyshohej se po kryente një transport të tillë dhe ka zbuluar se makineritë depozitoheshin në një magazinë të vjetër në Laprakë. Pasi është larguar furgoni nga ku janë shkarkuar pajisjet, policia ka ndërhyrë duke gjetur të fshehura në atë magazinë 209 makineri e pajisje kazinosh e të lokaleve të basteve sportive, si dhe 16 automjete të markave të ndryshme, disa me targa të huaja dhe disa pa targa.