Ministria e Punëve të Brendshme ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike sipas së cilës Policia e Shtetit ka shpërfillur një dëshmitar të vrasjes së Artan Santos, pas publikimit në News24. Sipas burimeve nga policia në fakt tregimi i dëshmitarit, i cili ka folur në mënyrë anonime, është verifikuar dhe akuzat e tij kanë dalë deri tani të pabazuara.
Partia Demokratike, përmes deputetit Arben Ristani, akuzoi Policinë e Shtetit se nuk ka marrë në konsideratë këtë dëshminë e një personi i cili pretendon se njeh autorët e vrasjes së Santos, duke theksuar se pas vrasjes qëndron qeveria. Deklarata e plotë e Arben Ristanit
Gjithashtu Ministria e Brendshme shpreh keqardhje për mungesën e profesionalizmit të treguar nga ana e televizionit “News 24” i cili sipas MB është përpjekur të hedhë baltë mbi punën e policisë duke ngritur hije dyshimi pa asnjë bazë faktike, por vetëm duke u nisur nga hamendësime dhe deklarime anonime.
“Pa dashur të insinuojmë së është pikërisht ky qëllimi i “News 24” lidhur me vrasjen e z. Santo, Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për profesionalizëm dhe etikë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbështetjen e luftës kundër krimit të organizuar.”- thuhet ndër të tjera në deklaratën e MB.Deklarata e plotë e Ministrisë së Brendshme.
Dëshmitari: U tregova emrat dua 100 mijë euro
Personi që pretendon se i njeh vrasësit e Santos shprehet se i ka dhënë policisë emrat e tyre dhe targën e motorrit që u përdor ditën e vrasjes. Sipas tij Santo është vrarë për një borxh prej 300 mijë eurosh dhe këtë e ka mësuar pasi ka dëgjuar per një bisedë familjare te një miku i tij që gruaja e pronarit të motorit i ka thënë nënës së vetë që bankierin e ka vrarë sepse i ka marrë 300 mijë euro.
Më pas ai shprehet se pasi i ka treguar emrat drejtorit të Policisë së Shtetit, Artan Didi, i ka kërkuar shpërblimin prej 100.000 euro, por ky i fundit i ka kërkuar prova të tjera.
“E kam marrë në telefon Artan Didin ( Drejtor i Përgjithshëm i Policisë) dhe i thashë kam zbuluar vrasësit e Artan Santos në këmbim të 100 mijë eurove. Ai pranoi, më tha më jep emrat. I dhashë emrat, më pas ai kërkonte prova të tjera. Kështu që unë vazhdova, pasi unë njihja një mikun e tyre (të autorëve) më pas e kam konfirmuar me miqtë e tij. Njoha një mikun e tyre, mikun e vrasësve edhe i thashë që për mua 99% ata janë. Ai ma konfirmoi duke thënë se ata janë vrasësit. Ia tregova dhe këtë Artan Didit që miku i tyre e konfirmon që janë ata, dhe më pas ai kërkoi sërish prova, por une dua 100.000 euro!” thotë dëshmitari.
Deklarata e dëshimtarit në kontradikta me pamjet në ditën e vrasjes
Por dëshmitari i News24 është jo bindës në dëshminë e tij, pasi ai shprehet se para vrasjes motori pjesën e parme dhe të pasme e ka pasur të bardhë dhe pas vrasjes e kanë bërë të zezë e disa modifikime të tjera të vogla që nuk i dallon. Por dallohet qartë nga foto dhe pamje filmike transmetuar nga gjitha televizione se motorri e killera ka pasur ngjyra e zeze qe në ditën e vrasjes.
Është e saktë ajo çfarë thotë dëshmitari se pjesa e pasme ishte e bardhë, por ai gabon për pjesën e parme të motorit duke e thënë se ishte e gjithashtu e bardhë, por siç mund të dallohet ajo është e zezë.
(Në foto: Dëshmitar gjiathe interviste ne news24 dhe motorri i përdorur ditën e vrasjes në dy kënd të ndryshme ku dallohen ngjyrat e tij)
Vrasja e Santos, policia: Edhe me median rrezik pengimi i së vërtetës
Policia e Shtetit përmes një deklarate ka reaguar edhe ndaj News24. Në deklaratë ndër të tjera thuhet se policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias diziinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës.
Sipas policisë për vrasjen e bujshme të Santos, më 26 qershor të këtij viti në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit kanë ardhur me dhjetra informacione në të cilat pretendohet se jepen të dhëna të vlefshme për hetimin, të cilat janë verifikuar.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit bën me dije se për ngjarjen në fjalë kanë ardhur me dhjetra informacione në të cilat pretendohet se jepen të dhëna të vlefshme për hetimin.
Policia e Shtetit ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që i është dhënë asaj dhe falenderon te gjithe qytetaret qe kane dhene këto informacione.
Por Ajo sqaron se është e detyruar me ligj që të bëjë vlerësimin e burimeve dhe të vërtetësisë së tyre.
Policia e Shtetit ka strukturat e saj të specializuara të cilat bëjnë verifikimin e të gjitha informacineve të marra nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përcaktuara në ligj.
Të gjitha informacionet që jepen në Policinë e Shtetit kalojnë detyrimisht në këtë proces duke përfshirë edhe ato që mund t’i jepen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet telefonit nga njerëz anonim.
Informacioni në fjalë i dhënë nëpërmjet telefonit nga një person anonim , i cili nuk ka dashur të identifikohet dhe as të marrë takim të drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit , apo me ndonjë nga Specialistët e ngarkuar me këtë hetim , është duke ndjekur këtë proces vlerësimi dhe verifikimi qysh nga data e marrjes së tij.
Drejtori i Përgjithshëm mirëpret informacionet që i vijnë atij edhe drejtpërsëdrejti ndonëse kjo nuk është procedura normale , por vlerësimi i këtij informacioni dhe verifikimi i tij bëhen nga strukturat përkatëse të hetimit.
Dhënia e një informacioni Drejtorit të Përgjithshëm nuk përbën arsye për ta vlerësuar këtë informacion më shumë se të tjerët, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin e tij dhe mbi këtë bazë së bashku me Prokurorin e ngarkuar për këtë çështje përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet.
Policia është e vetdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias diziinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës.
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarit në fjalë që të paraqitet pranë organit procedurial penal që është Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ose Prokuroria e Tiranës, për të dhënë informacionet që ai pretendon se ka lidhur më ketë ngjarje dhe aty do të marrë edhe përgjigjen se çfarë është bërë deri tani me informacionin e dhënë prej tij.
Policia falënderon mediat që janë të interesuara për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe sidomos NEWS 24 , e cila ndonëse me vonesë po interesohet për ish aksionerin që zotëronte 50 % të aksioneve të saj , duke lënë pas dore problemet që ka pasur kur ishte gjallë”.