Hetime intensive vijojnë gjatë ditës së sotme për vrasjen e Astrit Gjepalit dhe kunatit të tij dje në Bishtin e Zhurit në të dalë të Kavajës. Policia ka shoqëruar ditën e sotme rreth 30 persona që dyshohet se kanë dijeni mbi vrasjen e organizuar të stilit mafioz.
Mes të dyshuarve janë dhe persona me precedentë penalë ndërsa policia e Durrësit ka sekuestruar dhe disa kaseta filmimesh.
Sipas policisë, vrasësit e kanë ndjekur Gjepalin nga qyteti i Durrësit dhe e kanë organizuar që ta qëllojnë tek Bishti i Zhurit.
Nga hetimet dyshohet se atentatorët kanë qenë 3 në numër dhe të tre me maska ngjyrë gri.
Dy të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci i një atentati mafioz të ndodhur dje në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe ajo e Kavajës dje bënë me dije se tre persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikovë ekzekutuan me breshëri plumbash 45-vjeçarin Astrit Gjepali, eksponent i njohur i botës së krimit. Trupi i kreut të bandës famëkeqe të Shijakut në vitin 1997, të cilit i atribuohen plot 9 vrasje është bërë shoshë nga plumbat. Në këtë atentat mbeti i vrarë dhe kunati i viktimës, biznesmeni Halit Fici, 54 vjeç. Ndërkohë, është plagosur rëndë kunati tjetër i Gjepalit, 43-vjeçari Ilir Sulkja si dhe një kalimtar i rastit. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Maringlen Balliu. Sipas hetuesve të çështjes, Astrit Gjepali ishte duke u kthyer në burgun e Peqinit ku vuante dënimin me 25 vjetësh burg për vrasje, pasi kishte përfunduar lejen 7-ditore të dhënë nga ky institucion i vuajtjes së dënimit. Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore, policia ka deklaruar se atentati i mirëorganizuar ka ndodhur për hakmarrje. Sipas bluve, dyshohet që autorë të ngjarjes të jenë të afërm të njërit prej viktimave të Gjepalit.
Gazeta Shqiptare shkruan sot se pas përfundimit të lejes, Astrit Gjepali, banues në lagjen nr. 1 të Durrësit është nisur me dy kunetërit e tij me një makinë tip “Benz” ngjyrë gri dhe me targa gjermane për në Burgun e Peqinit. Rreth orës 13:15, në hyrje të Rrogozhinës (pranë një pike karburanti) tre persona ende të paidentifikuar (po udhëtonin me një automjet po tip “Benz”), dy prej të cilëve të armatosur me kallashnikovë kanë qëlluar nga pas mbi makinën ku udhëtonte Gjepali. Atentatorët kanë vazhduar të qëllojnë në drejtim të shënjestrës së tyre me breshëri në një distancë prej 200 metrash. Vrasësit kanë derdhur një mori plumbash mbi automjetin ku ndodhej 45-vjeçari dhe që drejtohej nga Ilir Sulkja. Makina ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal, ndërsa kanë mbetur të vrarë: Gjepali që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit dhe kunati i tij, Halit Fici, që ndodhej në një sediljet pas. Ndërsa është plagosur Sulkja. Afër vendit ku ndodhi atentati ndodhet një dyqan shitjeje plastmasi me shumicë. Afër këtij dyqani u plagos dhe kalimtari i rastit, Mariglen Balliu.
HETIMI
Forca të shumta policore dhe të FNSH-së kanë mbërritur shpejt në vendngjarje dhe janë vënë në kërkim të tre atentatorëve. Postblloqe të shumta janë ngritur në të gjitha akset rrugore të Durrësit, Kavajës dhe Lushnjës. Për kapjen e tyre është angazhuar dhe një helikopter nga Ministria e Mbrojtjes.
Pak kohë pas ngjarjes në fshatin Konjat të Lushnjës është gjetur i braktisur dhe i djegur automjeti i autorëve të krimit. Mësohet se policia ka identifikuar numrin e shasisë së makinës dhe po heton për gjetjen e personit që e posedonte atë. Ndërkaq, grupi hetimor ka vijuar hetimet. Sipas hetuesve të çështjes, atentatorët e maskuar (me kapuçë ngjyrë gri në kokë) kanë nisur ndjekjen e Gjepalit që në sheshin “Taulantia” të Durrësit deri në Kavajë. Ata sqaruan se janë sekuestruar pamjet filmike të të gjitha bizneseve përgjatë gjithë itinerarit të udhëtimit të atentatorëve. Po të njëjtat burime u shprehën se mbi Astrit Gjepalin janë derdhur tre karikatorë kallashnikovi para dhe pas shine (mbi 25 plumba në kokë, bark, kurriz, këmbë e duar). Ndërsa, 54-vjeçari Halit Fici është qëlluar pas shpine me disa plumba. Trupat e dy viktimave, pasi kanë qëndruar për afro 2 orë në morgun e spitalit të Durrësit, me urdhër të prokurorisë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Burgjet, Gjepali që nga viti 2012 mori 7 leje shpërblyese
E perditshmja Gazeta Shqiptare shkruan se edhe pse i dënuar me 25 vite burg, Astrit Gjepali, përgjatë dy viteve të fundit kishte përfituar disa herë leje shpërblyese dhe ishte kthyer sërish në qeli, pa shfaqur ndonjë problem. Mësohet se 45-vjeçari kishte marrë 3 leje shpërblyese në vitin 2012 dhe 3 leje shpërblyese në vitin 2013. Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, theksonte se Gjepali kishte përfituar në 9 janar 2014 leje shpërblyese konform ligjit dhe sot (dje) të rikthehej në qeli. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ju bën të ditur, se i dënuari Astrit Skënder Gjepali, i datëlindjes 08.12.1969, i martuar, vendlindja dhe banimi Durrës, vuante dënimin prej 25 vitesh heqje lirie. Gjepali ishte sistemuar në IEVP Peqin, siguri e zakonshme, me vendim gjykate të dhënë në vitin 2001, dënuar në bazë të nenit 78, 278 dhe 230 të Kodit Penal. Atij i kishin mbetur rreth edhe 6 vjet e 2 muaj dënim për të kryer. Duke filluar që nga viti 2012, këtij të dënuari i janë dhënë leje shpërblyese konform të gjitha rregullave, bazuar në udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me procedurën e dhënies së lejeve ndaj personave të burgosur. Leja shpërblyese aktuale e të dënuarit Gjepali ka nisur më datë 09.01.2014, ora 13:30 dhe përfundonte sot, datë 16.01.2014, ora 13:30, pra gjithsej 7 ditë leje”, thuhet në njoftimin e DPB-së.