Dy persona u arrestuan në flagrancë pas sekuestrimit të një sasie prej 1 kg lënde narkotike e dyshuar kokainë.
Kapja e shpërndarësve u bë pasditen e djeshme pranë një servisi automjetesh, në afërsi të Vorës, Tiranë.
Policia ka zbardhur identitetet e të arrestuarve dhe të një personi të tretë i shpallur në kërkim me inisialet E.K. Ata janë Ilir Mara, 35 vjeç dhe Hasan Rezi 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas informacioneve policore, 3 personat realizonin trafikim ndërkombëtar të lëndës narkotike, me origjinë nga Hollanda dhe destinacion shitjen në tregun e brendshëm. Vlera e parave nga aktiviteti i paligjshëm shkonte deri në 15 mijë euro.
Në cilësinë e provave materiale, policia e kryeqytetit ka sekuestruar edhe dy automjete tip BMW dhe një “Rreno Cli”.
Mbi të arrestuarit rëndon akuza e për veprat penale, “të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”, ndërkohë që po punohet për rolin e gjithësecilit në këtë aktivitet.
Nga strukturat e Policisë së Kryeqytetit vazhdon hetimi ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari si dhe hetimi i pasirive të përfituara nga aktiviteti i jashtëligjshëm.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.