Home Aktualitet Qëllohet me armë autobusi i linjës Athinë-Tiranë, 2 të plagosur

Qëllohet me armë autobusi i linjës Athinë-Tiranë, 2 të plagosur

584
0

tirane-elanikAutobusi i linjës, Tiranë-Athinë është sulmuar me armë në Memaliaj në orën 01:34 minuta të mëngjesit. Nga sulmi kanë mbetur dy persona të plagosur, Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani dhe Q. Dihani, 19 vjeçe nga Fieri, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në të dalë të qytetit të Memaliajt në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër në vendin e quajtur Mogile. Sipas vetë pasagjerëve të autobuzit , gjithçka ka ndodhur pas orës mesnatës në momentin kur autobusi, ndodhej në afërsi të kthesës së Vasjarit, kur ishte duke lëvizur avash për shkak të rrugës së keqe.

ORA 07:54 I PLAGOSURI DEL NGA SALLA E OPERACIONIT, ENDE NE GJENDJE TE RENDE
Del nga salla e operacionit në Spitalin e Fierit, i riu që mbeti i plagosur gjatë natës pas sulmit me armë të autobusit të linjës Tiranë-Athinë. Laurent Tabaku, 23 vjeç është plagosur në pjesën e shpatullës dhe ka ardhur në spitalin e Fierit në gjendje kome.

Sipas mjekeve ai i është shtruar një opercioni prej disa orësh për shkak të plagës së rëndë që kishte marrë në trup, pasi kishte dëmtime në pjesët jetike. Sipas mjekut Kliti Gjerzai, 23-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ka marrë rreth 7 qese gjak, si rezultati i hemoragjisë. Gjendja e tij edhe pas opercionit paraqitet ende e rëndë.

PASAGJERËT: I THAMË SHOFERIT EC SHPEJT, FATI JONË QË SHPËTUAM

“Ishim në gjumë dhe nuk dimë gjë se kush qëlloi me armë. U shtrimë, bërtitëm, nuk ndaloi shoferi dhe ikëm. Qëlluan me armë, u thye xhami, u plagos një vajzë dhe një djalë”.

“Po udhëtonim në autobus, na gjuajtën nga krahu i majtë i shoferit. Gjuajtën dhe me një armë tjetër, me kallash, një djalë është plagosur shumë rëndë dhe një vajzë është plagosur. Fati i mirë që shpëtuan njerëzit. Gjithë autobusi i tha shoferit që mos ndalo, por ec shpejt. Shoferi eci me shumë shpejtësi të madhe dhe ndaluam diku 10 kilometra larg vendit që ndodhi”.

“Dëgjuam një zhurmë gjatë rrugës. Thashë mos u ça goma. Pastaj dëgjuam dhe 3 të tjera. Pastaj u ulëm barkas të gjithë. Njëri që kisha në krah më tha që më duket se jam plagosur. Uli dorën dhe e kishte me gjak. Pastaj ra, nuk lëvizi më. Ai tha në Fier do zbriste”, deklaruan pasagjerët pas ngjarjes së rëndë.

ORA 07:07 SULMOHET ME ARME AUTOBUSI I LINJES TIRANE-ATHINE
Autobusi i linjës, Tiranë-Athinë është sulmuar me armë mëngjesin e sotëm, në Memaliaj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:34 minuta të mëngjesit. Nga sulmi kanë mbetur dy persona të plagosur, Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani dhe Q. Dihani, 19 vjeçe nga Fieri. I riu, Tabaku është në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në të dalë të qytetit të Memaliajt në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër në vendin e quajtur Mogile. Sipas vetë pasagjerëve të autobusit të intervistuar nga A1 Report, gjithçka ka ndodhur pas orës mesnatës në momentin kur autobusi, ndodhej në afërsi të kthesës së Vasjarit, kur ishte duke lëvizur avash për shkak të rrugës së keqe.

Mendohet se kanë qenë katër persona të cilët ndodheshin në krahun e majtë të rrugës ku shtinë në drejtim të autobuzit. Fillimisht, keqbërësit, kanë qëlluar në ajër për të trembur shoferin e mjetit dhe kur kanë parë se autobuzi ka rritur shpejtësinë duke mos i’u përgjigjur sinjalit me shkrehje arme, qëlluan në drejtimin direkt të tij cka shkaktoi plagosjen e dy pasagjerëve përkatësisht Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani dhe Q. Dihani 19 vjeçe nga Fieri.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, djaloshi 23-vjeçar është qëlluar në organet jetike ndërkohë që vajza 19-vjeçare, është gërvishtur lehtë në fytyrë, si pasojë e kokrizave të xhamit të dritares nga ku hynë predhat e armës së zjarrit. Djali i plagosur, është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit për trajtim të specializuar ndërkohë që gjendja e tij, raportohet të jetë shumë e rënduar pasi ka marrë plagë të rënda në mushkëri, mëlçi dhe kollonën vertebrore.

Të gjithë pasagjerët pas ngjarjes, së bashku me autobusin, janë shoqëruar për në Policinë e Qarkut në Gjirokastër, për të dhënë intervistimet e nevojshme. Grupi hetimor, i gjendur në vendngjarje, ka konstatuar gjurmë të predhave të armës së zjarrit në të katër cepat e autobuzit. Mendohet se keqbërësit, kanë përdorur armë zjarri të llojit Shotgun.

Policia ndërkohë, është vënë në ndjekje të autorëve të kësaj ngjarjeje dhe po kreh të gjithë zonën përreth, me një diametër gati 1 kilometër. Nga ana e tyre, pasagjerët e autobuzit, kanë vlerësuar veprimin e shoferit, i cili nuk ndaloi në momentin e goditjes së autobuzit me armë zjarri. Ata falenderojnë Zotin, që dolën të gjallë nga kjo ngjarje.

Ngjarja e sotme, është e dyta që ndodh brenda një harku kohor prej 12 muajsh në aksin rrugor Tepelenë-Mallakastër. Në fund të janarit të vitit që shkoi, një autobuz i Sarandës për në drejtim të kryeqytetit, u qëllua me armë dhe u grabit nga dy vëllezër të fshatit Mamaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here