Tom Doshi publikon videon e regjistruar me personin e porositur sipas tij për të kryer vrasjen e tij dhe të deputetit Mhill Fufi. Videoja e publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook, është vetëm një pjesë prej 8 minutash e videos totale për të cilën është folur më parë nga vetë Doshi. Në video shfaqet Durim Bami duke folur dhe përmendur emra të shumtë si dhe shumëjn e parave për të cilën është folur edhe më parë, pra 500 mijë euro për vrasjen e Tom Doshit dhe 100 mijë për vrasjen e deputetit Mhill Fufit. Doshi shkruan se videoja tregon se kush na udhëheq dhe akuzon për manipulim të dëshmitarit.
“Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video qe do nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjithë institucioneve. I lejuam porositësit të vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush thotë të vërtetën”, shkruan Tom Doshi në Facebook.
Durim Bami në video: Më tha ky do të bëjmë një punë
Durim Bami në video: Kanë hedh lek për punën e Tomës
Durim Bami: Kanë hedh lek për të mbaruar punë me vra Tomën
Durim Bami në videon e publikuar: Kanë hedhur 500 mijë euro
Bami: Ke 500 mijë euro po deshe me më lenë gjë mua, më lër
Durim Bami: Më thanë që nuk ka për t’u bërë zhurmë hiç
Durim Bami në video: Nga porosia që na ka ardhur ne kemi mbrojtje
Durim Bami: Ka dorë shteti këtu, i thashë ta dimë kush na mbron
Bami: Është Iliri në këtë mes, ne e kemi rrugën të hapur
Tom Doshi: Si vazhdoi puna, më keni ndjekur më keni ruajtur?
Durim Bami: Po po, të kemi ndjekur tek Sheratoni, tek dy kullat
Bami: Të kemi ndjekur me motor, anash makinës tënde
Tom Doshi: Po çfarë kishte me mua Iliri sipas teje?
Bami: Për punën e një videoje që është bërë me Ilirin
Bami: Ke për të parë ti po u bë kjo punë sa mirë do të shkojë
Tom Doshi: Si ishte puna e motorit, jam kurioz si e organizuat?
Durim Bami: Morëm një motor që shesim pica dhe tritolin
Bami: E montuam tek servisi “Tomit”, u afruam tek makina jote
Bami: Ja dhamë një çuni të vogël ta afronte tek makina jote
Tom Doshi-Bamit: Tek restoranti ‘il Gusto, po ti ku ishe?
Durim Bami në video: Unë isha në makinë me “Tomin”
Tom Doshi në video: Si funksiononte kjo puna e dinamitit?
Doshi: Kush e kishte tel. që do shpërthente dinamitin?
Durim Bami: Tel. e kishte një djalë i vogël që po priste atje
Bami-Doshit: Ti ishe me shumë veta atje, “Tomi” më tha plase
Bami-Doshit: Unë i thashë si mund ta plas, ai është me 7 veta
Tom Doshi-Bamit: Çfarë më the ti për një deputet tjetër?
Durim Bami: Për Mhill Fufin, edhe për atë është porosi e Ilirit
Tom Doshi: Po ti more ndonjë lek?, Bami: Po, nja 20 mijë euro
Tom Doshi ka publikuar pas videos edhe 3 foto të prokurorit të Krimeve të Rënda Eugen Beci, i cili ndodhet në një restorant së bashku me dy persona të tjerë. “Ky është organi i akuzës” shkruan Doshi pranë fotove të publikuara.
Dy ditë më parë Doshi deklaroi se ishte i gatshëm të vinte në dospozicion një video prej 37 minutash, ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. “Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”, deklaroi Doshi.