Ekzekutohet me armë zjarri një 37-vjeçar te rruga “Irfan Tomini” në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 dhe nga burimet e para mësohet se viktima, Eliton Lafetaj është qëlluar me silenciator me katër plumba në çastin e krimit dhe ka mbetur i vdekur në vend, pa mundur t’i jepet një ndihmë mjeksore.
Siç bën të ditur gazetari i “A1 Report”, Arsen Rusta nga terreni, në makinën ku ai gjendej, tip Benz, me targa Belge 9 AMG 065 Lafetaj ka qenë i shoqëruar nga e fejuara e tij 20 vjeç, e cila ka mbetur edhe ajo e plagosur dhe është transportuar më pas në Spitalin Ushtarak.
E plagosura pas një ndërhyrjeje të shpejtë kirurgjikale ka dalë nga rreziku për jetën, edhe pse mbahet ende në reanimacion.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, vajza ka kërkuar ndihmë, teksa ka parë që Elitoni vdiq në duart e saj.
Bëhet e ditur se viktima dhe e plagosura janë qëlluar nga dy vetë mbi motor, të cilët kanë qenë me kokore në momentin e krimit dhe kjo e vështirëson punën e policisë.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po heton mbi autorët, ende të paidentifikuar dhe shkaqet e vrasjes, viktima banonte në katin e dytë të pallatit pranë të cilit u vra.
Pistat e mundshme të shkaqeve të vrasjes sipas policisë dyshohet se janë një sherr banal, larje hesapesh, dhe një konflikt i para pak kohësh ku dyshohet se 37- vjeçari ka plagosur një person me armë.
Në çastet kur mbërriti karrotreci për të transportuar makinën e viktimës një vajzë e re, me sa u kuptua motra e viktimës, ka kaluar shiritin e rrethimit të policisë dhe ka vrapuar drejt vëllait të vrarë. “Ç’më bëri vëllai mua!”, bërtiste e motra.
Ndërkohë policia ka marrë në pyetje dëshmitarët e parë, fqinjët dhe ka arritur të krijojë një identikit të autorëve. Viktima Lafetaj mësohet se ka jetuar mjaft vite jashtë vendit dhe ka qenë person me precedent penal si brenda dhe jashtë vendit.