E përditshmja britanike “The Guardian” e vlerëson kryeqytetin shqiptar, si një nga qytetet më të ndotura në Europë, duke theksuar se faktori kryesor për këtë janë makinat.
“Tirana po lufton për të shmangur varësinë nga makinat duke u përpjekur t’i bëjë banorët të përdorin biçikleta. Teorikisht, në rrugët e Tiranës ekziston një vijë rrugore ku mund të ecin biçikletat, si një përpjekje për të gjithë vendit për t’i bërë njerëzit të mos përdorin makinat, por të marrin biçikletat duke reduktuar kështu ndotjen e ajrit. Praktikisht kjo vijë rrugore bllokohet nga makinat apo nga njerëz të rastësishëm. Është thuajse e pamundur të ecësh me biçikletë në Tiranë, po aq sa është e vështirë të luftohet ndotja kronike të ajrit”-shkruan “The Guardian”.
Gjithashtu, gazeta vë në dukje faktin që Shqipëria ka përjetuar dekada të vështira nga regjimi komunist dhe menjëherë pas rënies së tij, në Tiranë filloi të lulëzojë jeta. Por duke qenë se në atë kohë ka patur shumë pak makina dhe më shumë biçikleta, tashmë me vitet e demokracisë dashuria për makinat u shtua dukshëm, duke i lënë në harresë biçikletat dhe duke ndotur ajrin gjithnjë e më shumë.
“Nevoja për hapësira të gjelbra është e madhe në kryeqytetin e Shqipërisë”-ka shtuar më tej gazeta e njohur britanike. “Megjithatë, Bashkia e Tiranës me në krye Lulzim Bashën i ka shtuar linjat e transportit publik dhe po ashtu po shton 20 hektarë hapësirë të gjelbër për vendin”- raporton “The Guardian”.