Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një atentati në fshatin Memaliaj të Tepelenës.
Aurel Haxhia, 31 vjeç, dhe kushëriri i tij i parë, Niko Banaj, 25 vjeç, janë qëlluar me breshëri automatiku në afërsi të një lokali në dalje të fshatit Memaliajt nga persona të paidentifikuar, të cilët janë larguar nga vendngjarja.
Breshëria e plumbave ka rezultuar fatale për 31-vjeçarin, Aurel Haxhia, të cilin predhat e kanë kapur ne pjesë të ndryshme të trupit.
Ai fillimisht ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Tepelenës por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra duke gjetur vdekjen.
Ndërkohë plumbat nuk kanë kursyer as kushëririn e tij, i cili ka mbetur i plagosur rëndë, e fillmisht është dërguar në qendrën shëndetësore të Memaliajt dhe më pas është nisur me ambulancë drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës.
Burime pranë bluzave të bardha bëjnë me dije së gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë.
Policia e Tepelenës është nisur menjëherë në vendngjarje dhe ka filluar punën për zbardhjen e rrethanave të plota të saj dhe identifikimin e autorëve.
Burime pranë uniformave blu pohojnë se motivi i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë një konflikt i vjetër osë ndonjë hasmëri e njërit prej dy të rinjve.
Kjo ështe edhe pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet e policisë.