Home Aktualitet Teknologjia në arsim, notat me mesazh prinderve

Teknologjia në arsim, notat me mesazh prinderve

823
0

ramaMe nisjen e vitit të ri shkollor, u bë e ditur se nxënësit nuk do të kenë mundësi falë teknologjisë që do të implementohet, që të gënjejnë prindërit për mungesat e tyre në orët e mësimit apo për notat e marra. Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama i cili ishte sot në shkollën e mesme “Ismail Qemali”, ku uroi nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, tha se kjo shkollë do të jetë një nga shkollat pilot sa i përket implementimit të teknologjisë, ku siç theksoi Rama nxënësit nuk do të mund të gënjejnë më prindërit e tyre për mungesat te tyre në orët e mësimit.

Po ashtu kryeministri theksoi se edhe notat do të jenë transparente, çka do të thotë që ata t’i shkojnë prindërve me mesazh në celular, duke mos lejuar më që fëmijët e tyre t’i gënjejnë.

“Kemi projektin e kalimit teknologjik, nga librat tek teknologjia. Ka të mirat e veta por edhe taksiratet. Prindërve kështu nuk mund tu thoni më isha në shkollë kur në fakt munguat, apo kur merrni një notë dhe ajo ju shkon prindërve në telefon. E di janë taksirate por skeni çtë bëni.” theksoi Rama

Rama: Gati programi, ju paraqisni ide për komunitetin, ne do ju mbështesim moralisht e financiarisht
Rama tha se një ndër nismat e ndërmarra nga ana e qeverisë është edhe një program për nxitje e mbështetje të ideve komunitare nga ana e vetë nxënësve. Kryeministri ftoi nxënësit të paraqesin idetë e tyre në funksion të komunitetit, dhe në varësi të idesë, do të mbështeten nga ana e Ministrisë së Arsimit, si moralisht ashtu edhe financiarisht.

“Nga ana tjetër po përgatisim një program për të nxitur nismat e vetë nxënësve në funksion të aktivitetit, që do të thotë të gjithë ata që kanë ide për të përfituar mbështetje morale apo financiare do ta kenë këtë bazuar nga idetë. Prandaj ju që filloni shkollën këtë vit, mjafton të keni ide, dhe të jenë të vlefshme, dhe do të gjeni mbështetje.” nënvizoi kryeministri

Rama: S’ka më mësues fiskulture që japin çdo lëndë veç fiskulturës
Duke vijuar më tej kryeministri tha se qeveria që ai drejton ka ndërmarrë një reformë tjetër në arsim që ka të bëjë me përshtatjen e profilit të mësuesit me orën e tij të mësimit.

Sipas kryeministrit ka mësues me profile të të caktuara por që japin lëndë të profileve të tjera.

“Sapo kemi nisur një reformë për mësuesit për të përputhur profilin e mësuesve. Ka mësues që kanë profil fiskulturën dhe japin ccdo lëndë vecc fiskulturës.” u shpreh ai

Rama: Rifutet në orët e mësimit edhe edukimi fizik
Shefi i qeverisë, tha se në programet e shkollave është futur edhe ora e edukimit fizik, duke u shprehur se lëvizja bashkarisht dhe ndërmarrja e aktiviteteve sportive, do të bëjë të mundur për të vazhduar aktivitete sportive përtej mësimit.

“Nga ana tjetër, shkolla ‘Ismail Qemali’ do të jetë në shkollat pilot për të qenë në qendrat komunitare, jo vetëm për dije, por për të vazhduar aktivitetin social përtej mesimit. Besoj që e dini se do të rifuten në program mësimor edhe orët e edukimit fizik që të lëvizni më shumë dhe bashkarisht, duke përfituar edhe nga kënaqësia që ka sporti kur bëhet bashkë me shoqërinë.” tha ai

Rama: Përgëzime ‘Ismail Qemalit’ për rezultatet e arritiura në maturën shtetërore
Kryeministri Rama përgëzoi shkollën “Ismail Qemali” për rezultatet e arritura në maturën shtetërore, që siç theksoi ai ishte më e dalluara.

“Në fakt është e paramenduar që ne të vinim këtu, pasi ndodh që të hapnim vitin e ri shkollor, përmes ‘Ismail Qemalit’, pasi është shkolla më e dalluar bazuar tek matura shtetërore. Falë atyre që e përfunduan dhe ju që e vazhdoni ka qëndruar në famën e vetë të dikurshme duke qenë një pike referemi për të gjithë.” tha Rama

Sot viti i ri shkollor, Rama: Për ne nis sfida, për ju rruga e diturisë
Kryeministri Edi Rama ka uruar sot të gjithë nxënësit e arsimit 9 vjeçar dhe atij të mesëm për nisjen e vitit të ri shkollor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shpreh urimin e tij për nxënësit, që siç thekson ai sot nisin një vit të ri në rrugën e diturisë.

Ndërsa sa i përket qeverisë që ai drejton, ai thekson se sot nis sfida që asnjë mësues të mos japë mësim jashtë profili.

“Urime gjithe nxenesve qe po shkojne ne shkolle per te nisur nje vit te ri ne rrugen e diturise. Per ne nis sfida #Asnjemesuesjashteprofilit” shkruan Rama në Twitter

Ndërsa më tej kryeministri po në Twitter, është shprehur se ka ardhur fundi i rrënimit të mësimdhënies, me mësues që japin mësim jashtë profilit të tyre, ku siç thekson Rama mësues biologjie japin matematikë.

“Fund rrenimit te mesimdhenies me mesues biologjie qe japin matematike a mesues gjeografie qe japin kimi e muzike #Asnjemesuesjashteprofilit” thekson Rama

Peleshi: Model i ri suksesi në karrierë, jo më punë përmes teserës së partisë
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj zgjodhën që urimin për vitin e ri shkollor ta bëjnë nga “Shkolla ekonomike profesionale”. Duke veçuar reformën e ndaj universiteteve si rrënjësore në arsim, Peleshi tha se qeveria është angazhuar gjithashtu me investime në arsimin profesional. Duke folur për një model të ri suksesi në karrierë, Peleshi tha se tashmë i është dhënë fund gjetjes së punës përmes teserës së partisë.

“Arsimi i ka dhënë fund hallakatjeve të tranzicionit dhe ka hyrë në normalitet. Reformat e kësaj vere kanë qenë të mëdha edhe për arsimin profesional por edhe për arsimin e lartë. Qeveria është e vendosur të investojë për të afruar tregun e punës me tregun e sapodiplomuarve. Ka një paradoks. Ne ankohemi për papunësinë e lartë, por nga ana tjetër ka shumë biznese që nuk plotësojnë dot vendet bosh sepse nuk gjejnë dot specialistin. Investimi në arsimin profesional do të thotë të dimë se çfarë kërkon tregu. Jemi të vendosur për të investuar drejt një modeli të ri të suksesit, jo të atij që ka një diplomë dhe gjen rrugën përmes teserës të partisë për të gjetur një punë. Modeli i suksesit në karrierë duhet të jenë dijet. Nuk ka fare rëndësi se çfarë pune bën, por atë që bën ta bësh me pasion dhe të jesh i pari tek ai zanat. Nuk jeni vetëm, por jeni nën vëmendjen dhe kujdesin e investimeve të qeverisë shqiptare”, – u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here