Home Ekonomi Taksat e makinave, ja ndryshimet qe do ndodhin

Taksat e makinave, ja ndryshimet qe do ndodhin

461
0

mbledhje-qeveriseProjektligji miratohet sot në Qeveri, gjobë 5 për qind për çdo muaj vonesë. Favorizohet kush nuk ka paguar në 2013.
Ligji sot në qeveri. Si favorizohen ata që s’kanë paguar taksën më 2013.
“Gjobë 5% për çdo muaj vonesë të pagimit të taksës”
Sot qeveria pritet të miratojë ndryshimin e ligjit për taksën e makinave të përdorura. Gazeta zbardh të plota tri nenet, të cilat përgjysmojnë taksën vjetore, falin detyrimet për automjetet e sekuestruara dhe favorizojnë të gjithë ata që nuk e kanë paguar taksën vjetore deri në qershor të këtij viti. Tri nenet që pritet të kalojnë sot ruajnë favorizimin e makinave të reja deri në tri vite përdorim dhe ulin me 50% detyrimin për makinat e vjetra.

Përgjysmimi i taksës
Në nenin e parë, ai që përcakton formulën e taksimit për automjetet e përdorura, është vendosur përgjysmimi i koeficienteve për llojin e karburantit. Aktualisht formula përcakton shumëzimin e cilindratës, kubikëve të motorit të makinës me taksën fikse të karburantit dhe koeficientin e viteve të përdorimit. Taksa fikse e karburantit është 25 për naftën dhe 20 për benzinën. Ligji i ri parashikon që taksa fikse të bëhet 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Kjo sjell rrjedhimisht përgjysmimin e taksës vjetore të makinave të përdorura.

Gjobat
Në ligjin e vjetër ishte parashikuar që penalitetet për mospagimin e taksës të varionin sipas ligjit për “Procedurat tatimore”. Në ligjin e ri që do miratohet sot parashikohen në nen edhe gjobat. “Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit”, theksohet në ligj.
Makinat e sekuestruara
Në nenin e dytë është parashikuar falja e të gjitha detyrimeve për makinat e sekuestruara me vendim gjykate. Këto makina kalojnë për përdorim nga institucionet shtetërore ose i kalojnë Agjencisë së Administrimit të Pasurive për shitje me ankand. Ligji i ri parashikon faljen e të gjitha detyrimeve për këto automjete në mënyrë që blerësi apo përdoruesi i ri të mos mbartë taksa të papaguara.

Detyrimet e 2013-s
Neni i tretë që ndryshon është ai i përfitimit të barabartë për vitin 2013. Ligji i ri parashikon që të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar taksën vjetore të makinave të përdorura për vitin 2013, kanë të drejtën që brenda janarit 2014 ta paguajnë taksën jo me formulën e vjetër, por me formulën e re të përgjysmuar. Sidoqoftë, ata që deri tani e kanë bërë pagesën, nuk përfitojnë nga ligji i ri.

Formula
Formula e taksës vjetore të makinave të përdorura e bën të lehtë llogaritjen e pagesës për çdo pronar makine. Formula është: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për karburantin është 12.5 për naftën dhe 10 për benzinën. Koeficienti fiks për vitet e prodhimit është 0 për makinat deri në tre vjet, dhe fillon me 0.18 për vitin e katërt. Koeficienti shtohet me 0.01 për çdo vit deri në vitin e dhjetë të vjetërsisë së makinës. Pas vitit të dhjetë, koeficienti 0.24 shtohet me 0.04 për çdo vit tjetër të vjetërsisë. Për lehtësi gazeta boton edhe koeficientet sipas viteve.

Previous articleBarcelona dhe Bayerni i bashkohen Realit e Borusias në gjysmëfinale
Next articleLezhe, arrestohet drejtori i burgut

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here