Home Aktualitet Sot protesta e PD, ja kush eshte skenari

Sot protesta e PD, ja kush eshte skenari

516
0

PRotesta-e-PdOpozitarët nga të gjitha qytetet e Shqipërisë do të mblidhen sot në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër qeverisë së majtë. Pjesëmarrje masive pritet nga të gjitha rrethet e vendit. Demokratët kanë marrë udhëzimet përkatëse në mbarëvajtjen e protestës së madhe në Tiranë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi mbrëmë grupin e deputetëve, të cilët i udhëzoi për masat që do marrin për një protestë sa më paqësore. Marshimi i demokratëve do të nisë në orën 11:00 në sheshin qëndror të Tiranës, më pas një ndalesë para selisë së Parlamentit dhe marshimi do të mbyllet para godinës qeveritare.

SKENARI

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar demokrat pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se është vendosur se pak minuta pas nisjes së tubimit, në kohën kur kreu demokrat, Lulzim Basha do jetë duke mbajtur fjalën e rastit, një grup të rinjsh me pankarta në duar do t’i drejtohen godinës së Kuvendit. Në krye të tyre do të jenë deputetët e PD-së në drejtimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Bëhet e ditur se deputetët e PD-së do hyjnë në punimet e seancës plenare dhe do kërkojnë ndërprerjen e tyre duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Oratori kryesor pritet të jetë Berisha. Mësohet se ligjvënësit e PD-së nuk do lejojnë zhvillimin normal të seancës plenare. Sa kaq bëhet e ditur se pjesë e mbledhjes së djeshme të grupit kuvendor demokrat kanë qenë edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe dy deputetët e PDIU-së, Tahir Muhedini dhe Dashamir Tahiri.

TAKIMI

Po dje lideri i opozitës, mblodhi të rinjtë demokratë, për t’u bërë thirrjen e fundit të gjithë shqiptarëve që të bashkohen sot në protestën në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”. Para të rinjve të FRPD-së, Basha siguroi se gjatë protestës së organizuar nuk do të ketë asnjë incident, pasi në radhët e PD-së nuk ka kriminelë dhe këta të fundit sipas tij gjenden në radhët e qeverisë dhe të qeverisësve. “Ne do të ushtrojmë të drejtën tonë për një protestë paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë bën edhe marrëzira. Kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit, por unë ju them se nuk kemi ne kriminelë, kriminelët janë në gjirin e tyre dhe ne do t’i largojmë ata me çdo çmim”, – u shpreh kreu i PD-së. Sipas Bashës, mes protestuesve nuk do të ketë vend për krimin dhe kriminelët. “Ta nisim marshimin tonë nesër (sot) për të mos e ndalur derisa të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë politikës. Protesta do të jetë paqësore dhe demokratike. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi”, – deklaroi Basha. Duke sjellë në vëmendje akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, Basha përmendi se brenda mazhorancës po lahen hesapet, përmes skenarëve të denjë për filmat e mafies. “Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës përpjekje për likuidime jo me aktorë, siç i pëlqen të thotë kryeministri, por me vrasës. Dhe tani pasi u vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi mbyllën mijëra vende pune, rrënuan biznese të vogla e të mëdha, shtuan e shtuan taksa sa u morën edhe kacidhen e fundit shqiptarëve, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë e me gjak, pasi u zinë e u grinë me njëri-tjetrin, tani filluan të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, një skenar i denjë për filmat e mafies. Por ky nuk është film, por një realitet i dhimbshëm që na prek ne”, – deklaroi Basha. Sipas kryetarit të demokratëve, Rama dhe Meta do të përballen sot me sovranin, që siç tha ai, do të vijojë protestat deri në dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare. “Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundim i ligjit, por i mafies. A jemi për sundimin e ligjit apo të mafies, a jemi për demokracinë apo oligarkinë Rama-Meta? Këto janë dilemat të cilave do t’u japim përgjigje duke nisur nga dita e nesërme (sotme). Mendonin se do ta linim pa përgjigje. Harruan rininë shqiptare. Rinia nuk vihet dot asnjë ditë nën thundrën e krimit. Përse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran”, – u shpreh Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here