Home Aktualitet Sot i jepet lamtumira aktorit te mirënjohur, Roland Trebicka

Sot i jepet lamtumira aktorit te mirënjohur, Roland Trebicka

682
0

roland-trebickaDo t’i jepet sot lamtumira “Artistit të Merituar” Roland Trebicka. Aktori i mirënjohur u nda nga jeta pasditen e djeshme në moshën 66-vjeçare pasi nuk mundi t’i bënte më ballë sëmundjes së rëndë të kancerit, me të cilën luftonte guximshëm prej dy vitësh. “Mjeshtri i Madh” do të sjellë gjithmonë buzëqeshjen tek publiku shqiptar me rolin e tij të mirënjohur të Jovan Bregut, në komedinë shqiptare të teatrit “Pallati 176”.

Aktori u nda nga jeta pasditen e djeshme në apartamentin e tij në Tiranë pranë të afërmve të tij, ndërsa homazhet në nder të tij do të mbahen sot në orën 11:00 – 13:00 në Teatrin Kombëtar.

Sëmundja e kancerit në mushkëri filloi të jepte shenjat e para të saj në vitin 2011, kohë kur aktori merrej me dramën “Një tablo absurde”. Trebicka u kurua fillimisht në një klinikë në Francë, por dëshira për të punuar dhe për t’u përballur me publikun shqiptar, e rikthyen atë sërish në skenën e teatrit.

Aktori, ishte larguar vetë nga spitali në Francë ku po merrte kurim, nga ku deklaroi për mediat se e kishte më të lehtë ta përballonte sëmundjen në Shqipëri. Duke mos u larguar nga skena e teatrit, Trebicka luajti për herë të fundit në veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit” të vënë në skenë në vitin e fundit, nga Spiro Duni.

Gjatë periudhës së kurimit në Francë, për të u kujdes vajza e tij e cila ndodhej me banim në Paris, ndërsa dy muaj pas shtrimit të Trebickës në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për të financuar kurimin e aktorit.

Kolegë të tij, të shndërruar në miq jo vetëm të skenës, shprehën dje gjatë prononcimeve në TVA1 REPORT ngushëllimet për të afërmit duke nënvizuar se është një humbje e madhe e teatrit shqiptar, dhe përmendën cilësitë e Trebickës jo vetëm si aktor por edhe si njeri me guxim të jashtëzakonshëm.

Ilir Bezhani, i njohur për të gjithë publikun shqiptar si Sandër Mafishja, në prononcim për televizionin A1 REPORT, vlerësoi kontributin e Trebickës në artin shqiptar. “Ka qenë një aktor i mrekullueshëm, njeri që kishte një aftësi të jashtëzakonshme për tu lidhur me publikun”, u shpreh aktori Bezhani.

Aktori Alfred Bualoti në një prononcim për televizionin A1 REPORT! shprehu dje ngushëllimet për të afërmit e Mjeshtrit të Madh të ndarë nga jeta, ndërsa njëherësh vlerësoi dëshirën e Trebickës për të punuar e për të qenë pranë publikun shqiptar.

“Ishim të përgatitur, e dinin se çfarë kishte Rolandi, e kemi ndjekur në gjithë zhvillimin e sëmundjes së tij. Në shfaqjen e fundit ishim bashkë në skenë. Dhe pavarësisht se nuk reagonim në një formë tjetër apo jo, e dinin rrezikun e sëmundjes. Ishte gjithmonë në ritmin e tij, në dëshirën për të punuar, për të krijuar. Edhe pse ishte i sëmurë u rikthye për t’u përballur me spektatorin qe e donte aq shumë”, tha Bualoti.

Në një bisedë telefonike në studion e televizionit A1 REPORT!, regjisori Spiro Duni, i tronditur nga ky lajm foli për shpirtin luftarak të aktorit të mirënjohur shqiptar, duke e cilësuar si një lokomotivë në komedinë shqiptare në teatër.

“Jam shumë i tronditur, nuk e prisja që ai njeri të ikte nga kurajo e madhe që kishte si njeri”, u shpreh Duni.

Ndërsa një ngushëllim për ndarjen nga jeta të aktorit Roland Trebicka ka ardhur edhe nga lideri i opozitës Edi Rama, i cili ndër të tjera, e kujton me fjalët: “Njeri i pashoq”

Nëpërmjet rrjetit social Twitter, Rama shkruan: Çfare lajmi i keq, vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm! I lehtë dheu, ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit!

Ditë zie për kulturën shqiptare. Kështu e nis ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ngushëllim për ndarjen nga jeta të aktorit Trebicka. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ministri shkruante dje:

“Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”.

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar.

Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak: shërbeu si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtepia Qendrore e Ushtrise Popullore) ose shkurt ” Estrada e Ushtarit”. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktore te tjere te cilet me vone do te beheshin te famshem ne fushen e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari ( Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai u be anëtar i kompanisë së Teatrit Kombëtar më 1971 dhe punoi aty deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar, ku punon edhe sot.

Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët.

Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm.

Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trandafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nasi).

Është nderuar me titullin Artist i merituar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here