Home Aktualitet Sonila Meço sjell në jetë me operacion vajzën Amaris

Sonila Meço sjell në jetë me operacion vajzën Amaris

1117
0

Ka qenë një pasdite e veçantë, që do të shënohet në kalendarin e jetës të moderatores së njohur të “Tv Klan”, Sonila Meço. Të premten pasdite, rreth orës 18:00, ajo solli në jetë fëmijën e saj të shumëpritur, beben e saj të parë, një vajzë që e ka pagëzuar me emrin Amaris. Fëmija e Sonilës dhe bashkëshortit të saj, Drini Jasa, erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, nën kujdesin e Dr. Halim Kosova dhe nën një përkujdesjeje të veçantë të stafit të maternitetit. Bebja që sapo ka ardhur në jetë, gëzon shëndet të mirë, dhe peshon 3 kg e 30 gr. Ajo që ka bërë përshtypje, ka qenë gjatësia e bebes, 50 cm, që me sa duket i ngjan nënës, pasi Sonila njihet për shtatlartësinë e saj. Në emocionet e para të paslindjes, Sonila ka pohuar për gazetën “Panorama” se ndiheshin në qiellin e shtatë ajo dhe Drini, e bashkë me ta, prindërit e të dyve, pasi në familjet e tyre ardhja në jetë e bebes së parë të Sonilës dhe Drinit ka qenë pritja e gëzuar e fëmijës së shumëpritur. Sonila ka bërë një lindje me operacion (anestezi lokale), edhe pse deri në javën e 40-të ishte parashikuar për lindje natyrale.

Ndërkohë, në orët e para të qëndrimit të saj në maternitet s’kanë reshtur vizitat, lulet nga miqtë, dhe telefonatat e mesazhet në telefonin e saj celular, duke i uruar jetë të gjatë për Amaris. Pyetjes se si po ndihet në këto orë të para të ardhjes në jetë të vajzës ajo i përgjigjet se “Jam shumë e lumtur dhe tashmë kam shuar një kuriozitet për të parë portretin e saj, që duket se është kopja absolute e Drinit, dhe kjo ishte ajo çfarë unë prisja e dëshiroja”, pohon ajo. Për sa i përket emrit Amaris, ajo ka treguar se “Në hulumtimin e gjatë të emrave që kisha menduar për vajzën time, më tingëlloi i mirë Amaris, që është një emër me origjinë hebraike, dhe që ka kuptimin e të dërguarës së Perëndisë”. Ka qenë një vendim i përbashkët për vendosjen e emrit, së bashku me Drinin, i cili po ashtu ka asistuar në lindjen e vajzës. Nuk dihet se kur do t’i rikthehet ekranit të “Tv Klan” Sonila Meço, ndërkohë që në maternitet do të vazhdojë të qëndrojë dhe dy ditë të tjera. Deri në ditët e fundit të lindjes, Sonila u shfaq në publik me një trup totalisht në formë, pavarësisht faktit që ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Kështu që nuk do të jetë çudi që pas rikthimit të saj në ekran, të shfaqet me të njëjtat linja elegante të trupit, njësoj si para shtatzënisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here