Shqipëria konsiderohet si vendi i rajonit, ku jepet më shumë ryshfet për shërbimet publike. Sipas sondazhit të publikuar së fundi nga kompania e mirënjohur GALLUP dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri, 49% e shqiptarëve japin ryshfet në shërbimet publike. Në biseda të përditshme të qytetarëve janë të zakonshme pyetjet dhe përgjigjet lidhur me ryshfetin, që ata dhanë në spital, gjykatë, universitet apo tek zyrat e tatimeve.
Sondazhi
Sondazhi në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse shpreh me gjuhën e saktë të shifrave praktikën e ryshfetit, të kthyer për fat të keq në një tipar të shoqërisë së sotme në Shqipëri. Gledis Gjipali, drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, partnere e GALLUP-it, në sondazhin rajonal për përhapjen e dukurisë së ryshfetit thotë për programin shqip të DW-së se nga 49% e qytetarëve të intervistuar në Shqipëri thanë se japin ryshfet për të marrë shërbime në sektorin publik.
Krahasimi
Kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit: “ Sipas sondazhit niveli i dhënies së ryshfetit në B-H është 18%, në Maqedoni 13%, në Mali të Zi dhe në Serbia 12%, në Kroaci 10% dhe në Kosovë 9%.” thotë Gledis Gjipali. Në sondazhin e GALLUP-it disa sektorë rezultojnë të jenë më tipikët për dhënien e ryshfetit në këmbim të marrjes së shërbimit. Pikërisht Mjekësia dhe drejtësia konsiderohen si sektorët, ku dominon më shumë ryshfeti.
Sektorët
“Në vend të parë për marrje të ryshfetit janë shërbimet mjekësore, 645 e të intervistuarve kanë thënë që kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim mjekësor, në vend të dytë vjen gjyqësori, më pas sistemi i taksave, policia, sektori publik i marrjes së licensave dhe në fund vjen hipoteka, doganat dhe sistemki arsimor” thotë z.Gjipali. Po sipas sondazhit ryshfeti vjen si pasojë e mungesës së një legjislacioni të plotë. Një kombinim rrethanash sociale, ekonomike, kulturore dhe psikologjike e kanë bërë në Shqipëri dhënien e ryshfetit në këmbim të shërbimeve nga sektori publik një dukuri zotëruese, që për fat të keq po fiton terren aq sa të duket si normale dhe e pashmangshme.
Shkaqet
Sociologu Kosta Bajraba, me titullin Profesor, rreshton një sërë arsyesh pse praktika e dhënies dhe marrjes së ryshfetit vazhdon të fitojë terren. Në krye të tyre qëndron kalimi nga një shoqëri e mbyllur dhe ekonomi e centralizuar në një shoqëri të hapur dhe ekonomi të tregut të lirë. “Ritmi shumë i shpejtë i kalimit nga gjithçka publike në regjimin e kaluar në private ka sjellë që punonjësit në sektorin publik, pra shtetëror të sillen me pasurinë dhe të mirat publike, sikur të jenë private. Dua të them që të sjellurit në mënyrë private me publiken ka arsye ekonomike, shoqërore, kulturore, politike, madje edhe psikologjike” thotë z.Bajraba. Kombinimi i varfërisë, papunësisë me ndryshimet kulturore, psikologjike të një shoqërie ende në tranzicion duken të jenë shkaqet e kthimit të ryshfetit në një praktikë pothuajse legjitime. Por ka një element tjetër, që është shkaku kryesor i kësaj situate.
Mungesa e legjislacionit
“Ajo, që i jep ryshfetit përmasa dramatike në Shqipëri, është mungesa e një legjislacioni të plotë, që do t’i pengonte nëpunësit publikë të silleshin me pasurinë dhe të mirat publike në mënyrë private.” thotë Kosta Bajraba. Ndërkohë edhe ato ligje, që ekzistojnë në Shqipëri herë zbatohen dhe herë jo. Kjo ka sjellë fenomenin e krijimit të një kulture pandëshkueshmërie. “Kultura e pandëshkueshmërisë është bërë në Shqipëri diçka e hasur dendur. Askush nuk mban përgjegjësi, nëse nuk zbaton dhe shkel ligjin. Nëpunësit në sektorët publikë duhet të edukohen dhe të detyrohen që të zbatojnë ligjin”, thotë më tej z. Bajraba. Por edhe qytetarët kanë rolin e tyre në lulëzimin e praktikës së ryshfetit në Shqipëri. Çdo qytetar, që jep ryshfet për të marrë shërbimet, që i nevojiten nga sektorët publikë, vepron si individ pa e konsideruar veten pjesëtar aktiv të një komuniteti, që duhet të denoncojë dhe godasë këtë praktikë. Për të dyja palët: ata, që marrin dhe ata, që japin ryshfet, ka një fillim për t’u thënë: “Ndal”. “Ky është zbatimi me dorë të hekurt, zbatimi i pamëshirshëm i ligjit,” përfundon argumentin e tij Kosta Bajraba.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Si të studiojmë në Gjermani, zyrë informacioni në Tiranë
Çdo vit në Gjermani studiojnë rreth 250 mijë studentë të huaj. Për pranimin në universitetet gjermane të interesuarit kanë nevojë për një informacion të detajuar. Këtë e realizon Panairi i Informacionit mbi studimin që së fundmi është çelur edhe në Tiranë, pasi ka shumë studentë shqiptarë të interesuar për të studiuar në universitetet gjermane. Të rinj të shkollave të mesme të Tiranës kanë mbushur sallat e Qendrës së Gjermanishtes, të Institutit Gëte, dhe të Qendrës së Informimit të BE-së. Jürgen Rohling, nga Shërbimi Gjerman për shkëmbime Akademike, lektor i gjuhës gjermane në Universitetin e Tiranës u shpjegon nxënësve gjithçka që duhet të dinë nëse dëshirojnë të kryejnë studime universitare apo kërkime shkencore në Gjermani. “Ideja jonë në organizimin e këtij panairi është t’i japim gjithkujt informacion për mundësitë që ekzistojnë në Gjermani për të kryer studime të larta, kërkime shkencore dhe fituar grada akademike. Duke qenë të informuar të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria mund të vendosin çfarë duan të studiojnë, në cilin universitet. Bota është e madhe. Studimet në Gjermani u japin një shans të mirë për të ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre profesionale. Ne u tregojmë rrugën, u themi: Ej, pse nuk mendoni të studioni në Gjermani?” thotë Jürgen Rohling për programin shqip të DW. Më tej Jürgen Rohling thote se ndër 2 milion e 250 mijë studentë që studiojnë çdo vit në universitetet gjermane 12,5% janë studentë te huaj. “Gjermania është një vend shumë tërheqës për studentët e huaj. Numri i tyre ka ardhur duke u rritur. Kjo ndodh sepse universitetet gjermane ofrojnë një larmi të jashtëzakonshme për studime në fusha dhe nivele të ndryshme. Kemi studime dhe programe në gjermanisht dhe anglisht për grada shkencore si Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Studentët e huaj mund të hasin vështirësi për të kuptuar sistemin e larmishëm gjerman të studimeve, pasi ka shumë Universitete, shumë Lande. Prandaj çdo student i huaj ka nevojë pikë së pari për një informim të mirë. Numri është në rritje. Këtë e di nga puna që bëj në Tiranë, ku shumë vetë që më pyesin sesi mund të shkojnë në Gjermani. Dhe njoh personalisht shumë nxënës që ia kanë dalë mbanë të studiojnë me sukses në Gjermani. Në disa qytete si në Gotingen, në Jena, madje edhe në kryeqytet, në Berlin, ka komunitete të vogla shqiptare”. Komunitete me ata që mësojnë gjermanisht, që kanë studiuar apo kryer specializime në Gjermani janë krijuar tanimë edhe në Shqipëri. Qendra e Gjermanishtes, e Institutit të mirënjohur Gëte, bën mësim paradite, pasdite dhe sivjet ka hapur edhe kurse të mbrëmjes për të përballuar kërkesat në rritje. Drejtorja e kësaj Qendre, Brigitte Graugünter thotë se: “Është fakt që interesi për gjuhën gjermane është rritur në vitet e fundit, dhe sidomos vitin e kaluar, jo vetëm nga brezi i ri por edhe nga të rritur, sidomos mjekë që dëshirojnë të shkojnë në Gjermani për të kryer atje specializime të ndryshme. Ndërkohë shumë nxënës nga Qendra e Gjuhës gjermane në Tiranë sjellin miqtë e tyre për të studiuar gjuhën gjermane,”. Ndërkohë kërkesat vazhdojnë të jenë në rritje nga nxënës që studiojnë në shkollat publike. “Në këto shkolla mësimi i gjermanishtes ka rënë, gjë që nuk ka ndodhur me shkollat private. Ndërkohë kemi kuptuar që shumë prindër që vijnë në Qendrën e Gjermanishtes dhe thonë që fëmijët e tyre duan të studiojnë gjuhën gjermane por në shkollat publike nuk kanë mundësi ose cilësia e mësimdhënies nuk është ajo që ata dëshirojnë.” thotë Brigitte Graugünter. Futja e mësimit të gjuhës gjermane si një alternativë në sistemin e shkollave publike do të plotësonte këtë hendek mes kërkesave të shumta dhe mundësive të pakta. Kjo bëhet një domosdoshmëri për aspiratat e integrimit evropian të Shqipërisë për përfitimin e njohurive në një vend të zhvilluar, në avanguarde të BE, si Gjermania.