Sot qytetarët shqiptarë janë të barabartë me ata evropianë, pasi vetëm me një pasaportë dhe biletë vajte-ardhje, mund të lëvizin të lirë në 25 shtete të Bashkimit Evropian si dhe në 3 shtetet e tjera jo anëtare të saj, pjesë e zonës Shengen, si Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Një manual i shpërndarë në pikat e kalimit kufitar sqaron udhëtarët se çfarë duhet të kenë parasysh për të udhëtuar. Të gjithë qytetarët mund të kalojnë lirisht vetëm me pasaporte biometrike. Por në pikat hyrëse të zonës Shengen, punonjësit e kontrollit mund t’ju kërkojnë dhe të dhëna të tjera, nëse dyshojnë në deklarimet tuaja.
Përfitimet
Procesi i liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të “Shengen” nuk është vetëm një vendim me të drejta, por dhe me detyrime të shumta. Qytetarëve shqiptarë do t’u kërkohet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla, jo vetëm gjatë hyrjes në vendet e BE-së, por edhe gjatë qëndrimit. Rregullat e reja për vizat do të vlejnë vetëm për ata që udhëtojnë për turizëm, biznes, me ftesë të dikujt ose për studime, maksimumi për një periudhë tre-mujore. Me liberalizimin e vizave, shqiptarët do të mund të lëvizin në hapësirën e Shengenit, që praktikisht janë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, ndërsa do të mund të lëvizin edhe në Zvicër, Norvegji dhe Islandë, maksimumi, për 90 ditë nga data e hyrjes, brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Rregullat
Ata që udhëtojnë lirisht në vendet e zonës Shengen me pasaportë biometrike nuk duhet të dëshmojnë kushte të veçanta financiare ose administrative, megjithatë duhet të kuptohet që mbeten në fuqi të gjitha rregullat standard për ardhjen e qytetarëve të vendeve të treta. Pra mund të ndodhë që me mbërritjen në kufi mund të kërkohet që të dëshmohet shuma e parashikuar për shpenzimet e udhëtimit ose mund të kërkohet që të tregohet saktë qëndrimi ose vendndodhja e vendbanimit. Nuk duhet harruar që këto rregulla të reja do të vlejnë vetëm për të udhëtuar për periudha të shkurtra, ato nuk japin mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj ose për të gjetur punë. Për këtë duhet paraqitur kërkesa për një vizë afatgjatë pranë Ambasadës ose Konsullatës së vendit të zonës Shengen ku dëshirohet të shkohet. Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatë vonesën ndërsa penalizimet ndalojnë dhe hyrjen ne vendet e Bashkimit Europian për një periudhe 5 vjeçare.
Kushtet e lëvizjes në Shengen
Nëse ju qytetarë do të udhëtoni tek të afërmit tuaj, ju duhet:
1. Të tregoni të dhënat e personit që ju pret dhe gjeneralitetet si dhe adresa e banimit.
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete në cash apo në kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni, ku këto mjete financiare mund të garantohen se mbulohen dhe nga personi që ju pret.
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Si dhe të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim.
Nëse udhëtoni për turizëm, aktivitet biznesi etj:
1. Të keni një rezervim hoteli
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Nëse udhëtoni për arsye shëndetësore :
1. Duhet të keni një rezervim hoteli ose rekomandimin për shtrim në një institucion shëndetësor në vendin ku do të trajtoheni
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni një korrespondencë me institucionin shëndetësor që ju do të kontaktoni
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Nëse duhet të udhëtoni për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme:
1. Të keni ftesë për të marr pjesë në aktivitet
2. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Detyrimet:
1. Të mos tejkalohen afatet e qëndrimit 90 ditë për 180 ditë
2. Të mos punohet ilegalisht
3. Të mos bëhen barrë publike
4. Të mos përfshihen në aktivitete kriminale.
KE: Kujdes me vizat, mos kërkoni punë
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Michele Cercone, konfirmoi dje se “lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”, fillon nga minuta e parë pas mesnatës së datës 14 dhjetor 2010”. Cercone deklaroi se “sigurisht, duke filluar nga ai moment, qytetarët e Shqipërisë mund të udhëtojnë lirisht në zonën “Shengen” pa viza”. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, pohoi se heqja e vizave, “është një mundësi e shkëlqyer për shkëmbime tregtare, turizëm, apo vizita familjare, por nuk të jep të drejtën për t’u transferuar dhe për të jetuar në një shtet të zonës “Shengen”. Kurse ka bërë edhe një kujtesë me këtë rast: “Rikujtoj se bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes për motive turizmi, apo tregtie, por ky qëndrim nuk mund të jetë më shumë se tre muaj për një periudhe gjashtë mujore. Pra, kjo përjashton qëndrimin e gjatë në vendet e zonës “Shengen” dhe njëkohësisht qëndrimin për motive pune apo azil politik”.
Neqofse tejkalohet vetem per nje dite afati i vizes cfare mund te ndodhe? Dhe sanksionet?
Kjo varet nga autoritetet e atij shteti por afatet duhen te respektohen si 1 dite si 2.
shume e qarte faleminderit qe na e dhate kete mundesi.