Shqipëria tashmë ka Gjeoportalin Kombëtar i ideuar si një “derë” e cila u mundëson përdoruesve profesionistë, por dhe publikut të kërkojnë, shikojnë dhe aksesojnë në mënyrë shumë të thjeshtë të dhënat gjeo-hapësinore dhe shërbimet web, të vëna në dizpozicion nga institucionet e ndryshme shtetërore.
Ky portal i mundësuar me asistencën financiare të Norvegjisë dhe qeverisë shqiptare, sipas Milena Haritos, ministre e Inovacionit, është një instrument modern sipas detyrimeve që burojnë nga një direktivë e BE-së.
Gjeoportali Kombëtar përmban deri tani 80 përqind te hartës së kufijve të rinj pas ndarjes së re administrative të territorit, por për ministrin e Pushtetit Vendor ka ende punë për të bërë.
“Në hartë janë hedhur 80 përqind e kufijve, për 20 përqindëshin e mbetur do të ngrihet një agjenci shtetërore e cila do të shikojë dokumentacionin dhe do të japë zgjidhje“, thotë ministri Çuçi.
Gjeoportali përmban harta të zonave kadastrale, ndërtesat, numërtimin e sistemit të adresave, monumentet natyrore, zonat e mbrojtura, infrastrukturën rrugore, institucionet arsimore përfshi hartën gjeologjike.