Autori i vendosjes së eksplozivit te farmacia e Bashkim Tahirit është kapur nga disa momente nga kamerat e sigurisë së një biznesi tjetër aty pranë.
Në foto dallohet personi që ka vendosur bombën me një biçikletë, ndërsa në foton tjetër i dallohen vetëm këmbët në momentin që po vendoste eksplozivin në murin e farmacisë, në pjesën e jashtme të kondicionerit.
Shpërthimi në Farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndodhur rreth orës 02:50, ndërkohë që dy fotot e siguruara nga A1 Report nga kamerat e sigurisë shënojnë orën 02:23.
Sipas policisë i njëjti person ka vendosur edhe eksplozivin te stacioni i autobusit pranë urës te Vasil Shanto, në vendin ku zakonisht parkonte makinën babai i ministrit Tahiri. Aktivizimi i bombës së dytë do të bëhej gjithashtu me telekomandim. Por bomba e cila është konstatuar rreth orës 06:10 është çaktivizuar me shpërthim të kontrolluar nga forcat RENEA.
Ndërkohë që rreth orës 03: 56 të ditës së djeshme ka ndodhur një tjetër shpërthim në kryeqytet ku si objektiv ka qenë shefi i krimeve në Vlorë, Alfred Numani. Fatmirësisht në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njeri në banesë.
Didi: Shpërthimi i parë në farmacinë e Bashkim Tahirit në orën 02:50
“Në ngjarjet me eksploziv e datës 10 shkurt 2015 në Tiranë janë evidentuar 2 ngjarje me shpërthim eksplozivi dhe një e mbetur në tentativë, e para në farmacinë e Bashkim Tahirit, rreth orës 02:50. pas njoftimit shërbimi i policisë shkoi në vendngjarje dhe nisi proceduarat për zbulimin ne ngjarjes dhe rezultoi se në pjesën e jashtme të kondicionerit është vendosur eksploziv si dhe është dëmtuar kondicioner. Nga masat e marra dhe këqyrja në vendngjarje rezulton se lënda plasëse është e llojit tritol në masën 400 gr me komandim në distancë nga celulari.”- tha Didi.