Home Aktualitet Shperthimet me tritol, policia zbulon emrat e pronareve te numrave celulare

Shperthimet me tritol, policia zbulon emrat e pronareve te numrave celulare

583
0

djali-me-biciklete1Dy numra celularë, të regjistruar në emër të një qytetari nga Lushnja e një nga Linza, mendohet se janë përdorur për aktivizimin e lëndëve plasëse, të vendosura në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe pranë banesës ku jetojnë dy prindërit e Tahirit.

Njëri nga këto numra tashmë është sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe po ekzaminohet me imtësi, process, nga ku është arritur të bëhet dhe identifikimi dhe lokalizimi i tij.

Burimet thonë se për 24 orë kanë identifikuar emrin e personit, që ka blerë numrin Vodafone në zonën e Laprakës, por që duhet kohë për të qartësuar pozicionin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale.Ky person është marrë gjatë në pyetje, por në asnjë rast nuk ka pranuar të ketë lidhje me personin tjetër, që vendosi tritolin në pronën e familjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Emri i këtij personi mbahen në sekret të plotë nga Policia dhe Prokuroria, të cilët argumentojnë faktin se gjithçka është në fillim të hetimeve dhe nevojitet grumbullimi sa më parë i provave materiale. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar dhe sekuestrimin e pamjeve filmike të dyqanit ku është blerë numri i celularit, në datat 31 janër dhe 2 shkurt 2015, për të mësuar nëse ky person ka qënë i shoqëruar me persona të tjerë ose jo, persona të cilët mund ta prisnin edhe jashtë ambjentit të dyqanit.

Familjarët e ministrit
Prindët e ministrit, Bashkim dhe Luiza Tahiri, janë marrë në pyetje nga Policia dhe Prokuroria në cilësinë e personave të dëmtuar në këtë ngjarje kriminale. Farmacia që ata administrojnë prej disa vitesh thuajse ishte shkatëruar plotësisht nga shpërthimi i 400 gramëve tritol.

Burrë e grua kanë treguar dje para hetuesve se, me këtë aktivitet, kanë vite që merren. Në rrëfimin e tyre ata kanë pohuar se kanë pasur një herë probleme me Drejtësinë dhe se këtë gjë e kanë zgjidhur ligjërisht, pasi u provua se çështja ishte bërë me indicie politike. Ndërkohë, për sa i përket konkurrencës me tregtimin e ilaçeve në farmaci, ata tregojnë se s’kanë pasur asnjë problem me farmacitë e tjera fqinje, por edhe me farmaci të tjera që ushtrojnë aktivitet tregtar në Tiranë.

Burrë e grua kanë treguar për hetuesit se ngjarja ka lidhje me detyrën e djalit të tyre, Saimir Tahiri, i cili prej dy vjetësh drejton ministrinë e Brendshme.
Mësohet se dy prindërit e Tahirit gjatë marrjes në pyetje nuk kanë qenë në gjendje të fokusojnë dyshime mbi persona apo grupe kriminale, të cilët kanë patur gisht në vendosjen e tritolit në pronën e tyre. Ata kanë shtuar se nuk përjashtojnë dhe pistën politike, e cila mund të ketë ndikuar në këtë krim të rëndë.

Dyshimi, një person i dytë, aktivizoi lëndët plasëse
Prokurorët ngrenë dyshime të forta se numri që ka aktivizuar tritolin e vendosur në farmacinë e prindërve të Saimir Tahirit, duket se është aktivizuar nga një person tjetër dhe jo nga personi që ka vendosur tritolin. Ky dyshim ka ngritur një pikëpyetje për hetuesit, sipas supozimit të të cilëve  në këtë ngjarje, që terrorizoi Tiranën, kanë marrë pjesë dy persona.

“Kemi të bëjmë me detyra të ndara, ku njëri nga autorët ka shumë mundësi të ketë bërë aktivizimin e tritolit dhe tjetri, siç ka rezultuar, ka bërë shpërthimin e tij në një rast, pasi në rastin e dytë, tek rruga “Muhamet Gjollesha”, nuk është bërë shpërthimi për shkaqe teknike” – thanë burimet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Aktualisht po vijojnë hetimet për zbulimin e identitetit të autorëve të krimit të rëndë.

Akuza: Ngjarje shumë të rënda po i hetojmë si akte terrori
“Nëse do kishte shpërthim në stacion do kishte viktima”

Të treja ngjarjet, dy shpërthimet e fuqishme dhe tentativa e shpërthimit në stacionin e autobuzit, janë duke u hetuar si një çështje e vetme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve, nga ndërtimi i dinamikës së ngjarjes dhe verifikimit të pamjeve filmike të kamerave, dyshohet se një person i vetëm ka qënë ai që ka vendosur lëndët eksplozive.

Të treja rastet janë shumë të rënda dhe janë kualifikuar si akte terroriste të pastra.
Burimet shtojnë se, veç dëmtimit të pronës private, pra të farmacisë së Bashkim e Luiza Tahirit dhe banesës së shefit të krimeve në Korçë Alfred Numani, lënda eksplozive është sekuestruar dhe në një stacion autobuzi. Ky është një vend publik dhe, nëse do ishte aktivizuar tritoli, ka shumë mundësi që të kishte dhe viktima të tjera. Ky është një rast i pastër terrorist dhe Policia, Prokuroria dhe SHISH-i kanë nisur hetimet intensive për të zbuluar autorët e këtyre krimeve të rënda.

Vlen të theksohet se farmacia e prindërve të Saimir Tahirit është pranë Qëndrës Spitalore “Nënë Tereza”, ku ndodhet dhe godina qëndrore e Shërbimit Informativ Shqiptar, të drejtuar nga Visho Ajazi Lika. Ndaj këtij të fundit ministri Saimir Tahiri pati rezerva, pasi, sipas tij, Visho Ajazi ka qënë njeriu i fundit që e ka marrë vesh ngjarjen, pasi është informuar për këtë krim rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Për ministrin kjo situatë është e papranueshme dhe ai i kërkoi Visho Ajazit në një takim konfidencial që ta informonte lidhur me çdo informacion që do siguronte për njerëzit që kishin vendosur tritolin në farmacinë e prindërve dhe në stacionin e autobuzit, shumë pranë shtëpisë së Bashkim e Luiza Tahirit. Ndërkohë, nga ana e Tahirit njëherësh ju kërkua Prokurorit të Përgjithshëm të angazhonte një grup prokurorësh me qëllim investigimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Tiranën dy ditë më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here