Një makinë është hedhur në erë duke shkaktuar dëme të shumta materiale poshtë shtëpisë ku banojnë prindërit e kryeprokurores Ina Rama. Makina tip BMV ishte në pronësi të një biznesmeni durrsak dhe ishte e parkuar pikërisht poshtë shtëpisë së familjes së kryeprokurores. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm duke terrorizuar banorët. Për fat të mirë nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Policia e Durrësit është duke hetuar pistat e mundshme të kësaj ngjarjeje dhe nuk ka përjashtuar ende ndonjë lidhje me familjen e kryeprokurores.
Banorët e lagjes nr. 4 të Durrësit janë tronditur pasditen e djeshme nga një shpërthimi i fuqishëm poshtë banesave të tyre ndërsa xhamat e dritareve u janë thërmuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15 e 40 minuta kur u konstatua se ka shpërthyer një sasi eksplozivi e vendosur poshtë një makine tip BMW me targa italiane. Eksplozivi ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit dhe dyshimet e para janë për tritol. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të hetojë shkaqet e shpërthimit. Mësohet se nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar në njerëz, por vetëm dëme materiale të objekteve që ndodheshin pranë makinës në momentin e shpërthimit si dhe dy mjete të tjera të parkuara në afërsi të objektit te shkatërruar. “Isha në gjumë kur ndjeva zhurmë të madhe dhe më pas një lëkundjë të apartamentit sa kujtova se po binte tërmet. Kur u ngrita pashe se edhe xhamat e dritares përballë vendit ku kishte qenë makina ishin thyer”,- thotë një prej banorëve.
Sipas të dhënave paraprake të marra në vendngjarje, makina e dëmtuar ishte me targa të huaja “CY 079 AL” tip BMW, ngjyrë e zezë dhe në momentin e shpërthimit ndodhej e parkuar poshtë pallatit ku banonin edhe prindërit e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Makina është dëmtuar rëndë në pjesën e përparme të saj. Ndërkohë mësohet se dëmet e apartamenteve janë kryesisht në dyer, xhama dhe plasaritje të suvatimeve. Policia ka bërë me dije se mjeti i përket një biznesmeni Osman Ferza. Hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje duke u munduar që të verifikojnë personat që mund të kenë vënë eksplozivin poshtë mjetit.