Një banesë në qytetin verior të Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e djeshme nga flakët, si pasojë e së cilës kanë gjetur vdekjen babë e bijë. Zjarri është shkaktuar si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit.
Dedë Luca 60 vjeç dhe vajza e tij Silvana vetëm 14 vjeç janë gjetur të vdekur brenda në banesën e tyre.
Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 22:30 të 26 dhjetorit në lagjen “Qefhardhi” të Shkodrës.
Kryefamiljari Dedë Luca dhe vajza e tij kanë gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa bashkëshortja e tij është e lënduar dhe ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës.
Në momentin e shpërthimit të bombolës së gazit në banesë kanë qenë mib dhjetë persona të cilit ishin mbledhur për një darkë familjare
Zjarri është shuar nga zjarrfikëset në vendngjarje dhe nuk pati rrezik për përhapje në banesat e tjera pranë shtëpisë së djegur.
Vetëm 3 javë më parë si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në banesën e familjes Qefalia, gjeti vdekjen kryefamiljari Ilir Qefalia, ndërsa u plagos rëndë bashkëshortja dhe vajza e mitur. Banesa 4-katëshe në lagjen Çollak afër Sanatoriumit në Sauk të Tiranës u përfshi nga flakët, ndërsa të lënduarit, vajza e vogël dhe gruaja e tij u dërguan drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.