Aplikimi online për 36 shërbime të reja konsullore, do të ndihmojnë të gjithë emigrantët shqiptarë të shkurtojnë kohë. Por për kryeministrin këto shërbime janë një rrugë për të bërë të mundur votimin e tyre aty ku jetojnë.
“Për të garantuar pjesëmarrjen në votime të shqiptarëve jashtë vendit duhet t’i regjistrojmë ata. Prandaj, ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur dhe që po zhvillohet intensivisht dhe që do të shtrihet në të gjitha territoret që jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët apo vonë ne mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demografik. Ne do t’i japim mundësi të votojnë edhe aty ku janë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se, vazhdon puna për të unifikuar shërbimet konsullore me Kosovën dhe për të pasur ambasada të përbashkëta me ta. Ndërsa ministri i Jashtëm foli për sistem të monitoruar.
“Korrupsioni ka fytyrë. Deri dje, ai mbante fytyrën e konsujve të korruptuar që shfrytëzonin gjendjen kromatoze të shtetit për përfitime personale. Shtimi i gamës së shërbimeve siguron themelet e shëndosha ku do të mbështetet e gjithë veprimtaria konsullore për dekadat e ardhshme”, tha ministri Bushati.
Aplikimi online mund të bëhet në çdo konsullate shqiptare nëpër botë qoftë për pasaportë apo edhe leje kalimi.