Edi Rama dhe opozita e nisën këtë prag fushate me qëndrime të forta ku thuhej shpesh se nuk do të ketë zgjedhje me Berishën kryeministër, apo pa u larguar Ristani PS s’do bëhet pjesë e procesit elektoral. Por të gjitha këto u rrëzuan dje kur zyrtarisht PS u regjistrua në KQZ për të qenë në garë në zgjedhjet lokale të 8 Majit. Depozitimi i kërkesës së partisë më të madhe të opozitës dhe e vetmja e përfaqësuar në Parlament, u bë në ditën e fundit të afatit ligjor. Po ashtu, kërkesën për regjistrim e ka dorëzuar edhe Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit.
Regjistrimi
Partia Socialiste ka zgjedhur ditën e fundit për t’u regjistruar në zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 Majit. Në këtë mënyrë, forca më e madhe në opozitë, do të bëhet pjesë e garës së ardhshme elektorale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e djeshme për të shqyrtuar dhe miratuar më pas kërkesat për regjistrim zyrtar në zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit. Dita e djeshme përkonte me afatin e fundit ligjor për regjistrimin e subjekteve politike për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve lokale. Kodi Zgjedhor parashikon që regjistrimi i partive politike duhet të kryhet deri 60 ditë para ditës së zgjedhjeve. Regjistrimi i Partisë Socialiste erdhi pasi lidershipi i saj ndryshoi qëndrimin në lidhje me zgjedhjet lokale. Fillimisht lidershipi socialist u shpreh hapur se kurrsesi nuk mund të zhvilloheshin zgjedhjet lokale, pa bërë transparencën e zgjedhjeve të mëparshme, ato politike të 28 qershorit 2009. Opozita bojkotoi parlamentin, ndërmori protesta në mbarë vendin, madje arritën deri në një grevë urie në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë.
Presioni ndërkombëtar
Kryetari socialist Edi Rama dhe e gjithë opozita, morën mesazhe të qarta nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë për të ndërprerë demonstratat e dhunshme dhe për t’iu rikthyer dialogut politik në Parlament, si mjeti vetëm demokratik përmes të cilin mund të zgjidhej ngërçi i tejzgjatur politik. Gjithashtu, opozitës iu kërkua të bëhej pjesë e organizimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit, duke hedhur kategorikisht poshtë çdolloj mundësie për bojkot të garës elektorale të radhës. Me veprimin e djeshëm mund të quhet i mbyllur diskutimi i zgjedhjeve të majit. Tashmë ato do të mbahen rregullisht sipas parashikimit duke parë se kush do të jenë kandidatët që do të fitojnë.
Apeli i Ambasadorëve: Më 8 Maj, zgjedhje më të mira se të kaluarat
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje nga qyteti i Elbasanit se zgjedhjet e 8 Majit duhet të jenë më të mira se ato të kaluarat duke i kërkuar partive politike t’i japin popullit shqiptar zgjedhjet që meritojnë. “Ajo që vendi meriton janë zgjedhjet, jo domosdoshmërisht mund të jenë të përsosura, por të jenë më të mira se zgjedhjet e kaluara. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërinë, për të ardhmen e Shqipërisë, dhe populli shqiptar e meriton që të ketë një zgjedhje për të bërë. Është detyrimi dhe përgjegjësia e partive që të mund ti japin popullit shqiptar një mundësi zgjedhjeje”,- tha Arvizu. Ambasadori i SHBA-ve i bëri këto deklarata pas ceremonisë së fillimit të zbatimit të projektit të NATO-s për çmilitarizimin e municioneve të tepërta dhe përurimin e linjës së re për demontimin e municioneve të artilerisë 75-152 mm në uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave për zgjedhjet e 8 Majit, Arvizu shtoi “Është detyrim i qeverisë që të bashkëpunojë me KQZ-në dhe të sigurohen që këto zgjedhje të jenë më të mirat që janë organizuar ndonjëherë në këtë vend”.
OSBE: Partitë të bëhen pjesë e procesit
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Wollfarth, në një prononcim për shtypin pas vizitës në qendrën komunitare rome në qytetin e Elbasanit tha se “sot është afati i fundit i regjistrimit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Thirrja ime për to është të marrin pjesë në zgjedhje”. Ambasadori Wollfarth nënvizoi gjithashtu se të gjitha partitë duhet të respektojnë kodin zgjedhor dhe të regjistrohen në KQZ sipas afateve të përcaktuara. Ai bëri të ditur se në këto zgjedhje do të ketë një grup vëzhgimi nga ODIHR, i cili do të vëzhgojë respektimin e shtetit të së drejtës.
ILDK gjobë për 14 zyrtarë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka gjobitur 14 zyrtarë të niveleve të ndryshme për mosdeklarim në afat pa shkaqe të arsyeshme ligjore, si edhe për shkelje të rregullave të deklarimit të interesave private. Inspektorati i Lartë, i cili aktualisht po zhvillon kontrolle në të gjithë institucionet publikë për respektimin e kërkesave ligjore mbi deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave, ka evidentuar dhe ka aplikuar masën administrative “gjobë” për 12 zyrtarë, të cilët nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara në ligj për plotësimin e deklaratës “Pas largimit nga funksioni”. Gjithashtu, ILDKP ka aplikuar masën ndëshkuese “gjobë” për 2 zyrtarë të tjerë, pasi gjatë kontrollit të kryer mbi deklaratat e tyre të interesave private, janë evidentuar shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë.
LISTA E ZYRTARËVE TË GJOBITUR
Për shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë
1. Mexhi Salliu- Kryetar, Komuna Sinaballaj
10.000 lekë
2. Gjek Cali-Kryetar, Komuna Balldre
10.000 lekë
Për vonesa në deklarim, pa arsye ligjore
1. Julian Ahmeti- Ish-Përmbarues, Tiranë
25.000 lekë
2. Laureta Bejkosala- Ish-Regjistruese, ZRPP Vlorë
25.000 lekë
3. Ermira Mhilli- Ish-Përmbaruese, Shkodër
25.000 lekë
4. Qazim Tepshi- Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme
25.000 lekë
5. Martin Tusha- Ish-Përmbarues, Pukë
25.000 lekë
6. Ani Dasho- Ish-Dr. i Përgjithshëm, Min.Financave
25.000 lekë
7. Mehmet Çërraga- Ish-Përmbarues, Elbasan
25.000 lekë
8. Aida Seseri- Ish-Drejtoreshë, MPPTT
25.000 lekë
9. Sami Vrapi- Ish-Doganier, Tiranë
25.000 lekë
10. Eugen Hoxha- Ish-Doganier, Bllatë
25.000 lekë
11. Ilirjan Beqiraj- Ish-Doganier, Kakavijë
25.000 lekë
12. Aleksandër Sallabanda- Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme
25.000 Lekë