Festa e 20-vjetorti të formimit të Partisë Socialiste është zhvilluar me praninë e më shumë se 800 të ftuarve. Përveç figurave historike dhe aktuale të kësaj partie të pranishëm kanë qenë dhe ambasadorët kryesore në Tiranë. Të pranishëm në këtë takim janë ambasadorët e Etore Sekui i Bashkimit Evropian, Eugen Volfath i OSBE-së ndërsa në vend të Aleksandër Arvizusë ka qenë zv.ambasadorja. Në fjalën e rastit, kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se Partia Socialiste në 20-vjetorin e themelimit të saj ka arsye për të qenë krenare, duke theksuar se ajo ka mbajtur anën e duhur të historisë. “Ne jemi një parti që bëjmë gjithnjë gjënë e duhur për interesin kombëtar. Ne jemi një parti që i respektojmë të gjithë shqiptarët si qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre.Ne jemi një parti që jeton duke u munduar të ndryshojë për mirë, që të ndryshojë për mirë Shqipërinë”, u shpreh më tej Rama. Zyrtarisht Partia Socialiste është themeluar më 12 qershor 1991 dhe emri i saj është propozuar nga Sërvet Pëllumbi. “Partia e Punës” pas pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të marsit 1991 nisi procesin e ndryshimit që u finalizua me transformimin në “Parta Socialiste”.