Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ti ndërpritet mandati deputetit të Kuvendit, Armando Prenga, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Por një hetim penal është regjistruar edhe kundër KQZ-së, pasi organi i akuzës ka konstatuar se në disa raste ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të ligjit për dekriminalizimin.
Prenga nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë nga gjykata e Kurbinit, ku është dënuar me 450 mijë lekë gjobë në akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Por jo vetëm kaq, ai rezulton me precedentë penale në Itali për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.
Prokuroria e përgjithshme sqaron se Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit, pasi pas verifikimeve rezultoi se ndaj tij nuk ka pasur ndonjë masë të mundshme sigurimi në 1991, nga ana e autoritetit të ish Republikës Federative të Jugosllavisë.
“Në bazë të informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, rezulton që subjekti Flamur Noka, “nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”, sqaron prokuroria.
Ndërkohë, gjatë procesit të verifikimit, janë konstatuar disa problematika të theksuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në administrimin e dokumentacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme.
Kështu, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithe subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tre subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016.
Po ashtu, pas ushtrimit të nismës nga ana e Prokurorit të Pergjithshëm për deputetin Armando Prenga, informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vertetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë.
Për këto shkelje, si edhe të tjera të konstatuara, rezulton se nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është mbajtur parasysh detyrimi dhe penaliteti i përcaktuar në nenin 9 të ligjit nr 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.