Home Ekonomi Prifti: Sektori energjetik në Shqipëri, 400 milion euro investime

Prifti: Sektori energjetik në Shqipëri, 400 milion euro investime

183
0

U zhvillua dje në Vjenë Dita e Shqipërisë në Komunitetin e Energjisë. Shqipëria përfaqësohej nga një delegacion me në krye ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ndërkohë që Prifti u prit në një takim të veçantë nga Drejtori Ekzekutiv i Komunitetit të Energjisë, z. Neykov. Gjatë takimit Prifti u shpreh se, qeveria shqiptare do të investojë mbi 400 milionë euro në sektorin e shpërndarjes, transmetimit dhe gjenerimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, duke folur për zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike, ai tha se aktualisht në vendin tonë janë eliminuar problemet e furnizimit të konsumatorëve me energji, pasi nuk ka kufizime të saj.
Deklarata
Gjatë takimit të ministrit Prifti dhe Drejtorit Ekzekutiv të Komunitetit të Energjisë, Neykov, të dy palët shprehën falënderimet përkatëse për zhvillimin e këtij aktiviteti. Në këtë aktivitet të rëndësishëm, ministri i Ekonomisë, bëri një prezantim të detajuar të zhvillimit të sektorit të energjisë në Shqipëri, të reformave që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren nga qeveria shqiptare, si dhe objektivave që synohet të realizohen nëpërmjet këtyre reformave. Ndërsa përsa i përket sektorit të naftës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi faktin se Shqipëria sot është i vetmi vend në botë ku prodhimi i naftës është në rritje. Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv Neykov shprehu vlerësimin për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe po bën Shqipëria në sektorin e energjisë dhe e konsideroi vendin tonë si një shembull në rajon për reformën në energjetikë. Z. Neykov shprehu mbështetje për Shqipërinë për direktivat e Bashkimit Evropian. “Do t’ju mbështesim për tregun e përbashkët të energjisë. Do t’ju mbështesim për eficencën e energjisë dhe për gazifikimin”, u shpreh ai.
Politikat e zhvillimit të energjisë
Në prezantimin që u bë në Ditën e Shqipërisë të Komunitetit të Energjisë, një shpjegim i veçantë u bë mbi politikat e zhvillimit të energjisë, zhvillimet e investimeve në Shqipëri, si dhe zhvillimin e tregut të energjisë. Në këtë prezantim u theksua fakti se Shqipëria po punon për të rritur kapacitetet e saj të interkonjeksionit, në përputhje me objektivat për të përmirësuar sistemin energjetik, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe integrimit në kuadër të një rrjeti rajonal me një tjetër dimension të zhvillimit të infrastrukturës. Në këtë drejtim u përmend fakti se në fazën përfundimtare të zbatimit është projekti i linjës 400 kV Elbasan- Podgoricë, ndërkohë që në procesin e zbatimit ka hyrë dhe linja 400 kV Tiranë-Prishtinë, që mendohet të jetë funksionale deri në fund të vitit 2012 dhe do të dyfishojë kapacitetet transmetuese me Kosovën.

Previous articleUniversiteti i Tiranes: Ja kush jane kuotat e studimit part time
Next articleSHBA-te perkujtojne 11 shtatorin e sulmeve tragjike ndaj kullave binjake ne Nju Jork

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here