Home Aktualitet Policia e Tiranës pritet të ndryshojë krerët e saj

Policia e Tiranës pritet të ndryshojë krerët e saj

656
0

Policia-TiranePolicia e Tiranës pritet që së shpejti të ndryshojë krerët e saj, ndërkohë që tre oficerë të lartë, janë kandidatët kryesorë për të marrë funksionin e drejtorit. Të tre emrat vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ky dy prej tyre kanë qenë drejtorë të ndryshëm të policisë edhe më parë, ndërsa i treti vjen nga strukturat kundër krimit të organizuar. Ardian Çipa, Altin Qato dhe Sokol Bizhga janë tre emrat që përfliten më së shumti në radhët e policisë si kandidatët kryesorë që mund të marrin drejtimin e policisë kryeqytetase.

Burime nga policia bëjnë të ditur se emrat e tyre janë përfolur prej disa ditësh, por ende nuk është vendosur një ndryshim i tillë dhe aktualisht ky funksion mbahet nga Bernard Çaushaj. Sipas të dhënave, një prej kandidatëve, drejtues Ardian Çipa, aktualisht mban funksionin e shefit të Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjatë karrierës së tij si oficer policie, ka mbajtur një sërë funksionesh. Nga informacionet e mbledhura rezulton se për një periudhë të gjatë kohe, ai ka punuar me krimet.

Së fundmi, veç funksionit që ka në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ai ka qenë i angazhuar edhe në grupin e punës së ngritur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për të ndërtuar një program për strukturimin e policisë. Nga ana tjetër, një tjetër kandidaturë e fortë është ajo e Altin Qatos, ish-drejtor policie për qarkun e Beratit, që së fundmi është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe është emëruar specialist në Drejtorinë kundër Krimit Financiar. Ndërkaq, një tjetër kandidaturë e fortë është ajo e Sokol Bizhgës, oficer karriere, që së fundmi është me detyrë në Drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Bizhga është një kandidaturë edhe për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, megjithëse emri i tij është lënë në hijet gjatë viteve të fundit.

Oficeri i lartë i policisë ka punuar edhe më parë në funksione drejtuese në policinë e Tiranës, ndërkohë që në vitin 1997, ai ka qenë shef i policisë kriminale në Vlorë. Por, ky nuk është i vetmi ndryshim që pret policinë e kryeqytetit, pavarësisht se nuk ka asnjë informacion konkret se ku do të transferohet Bernard Çaushaj, drejtori aktual i kësaj strukture, i cili ka mbajtur disa funksione të larta gjatë viteve të fundit.

Pas drejtorit të policisë së Tiranës pritet të ketë ndryshime edhe në strukturat në varësi të tij. Transferimet dhe lëvizjet në policinë e kryeqytetit duket se janë të parat që kanë nisur të kryhen për shkak të programit të ministrit të ri, ku vetëm pak ditë më parë u transferua zëvendësdrejtori i policisë, Erzen Breçani, i cili është dërguar me të njëjtin funksion në Drejtorinë e Policisë së Dibrës. Megjithatë, ende nuk ka asnjë afat kohor se kur do të kryhen këto lëvizje, por që të gjithë strukturat përkatëse të policisë kryeqytetase presin nga momenti në moment që të bëhet ndryshimi i kreut të kësaj strukture.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here