Tre vjet pas protestës tragjike të 21 Janarit, Policia e Shtetit kallëzon penalisht në Prokurori, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësin e tij, Agron Kuliçaj, pasi bllokuan dhe nuk zbatuan urdhin e organit të Akuzës për të arrestuar 6 drejtuesit e Gardës së Republikës, 48 orë pas vrasjes së 4 demonstrueseve para kryeministrisë të udhëhequr nga Berisha.
Kallëzimi konfirmohet për A1Report nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila tashmë ka në hetim dhe ish-drejtues të tjerë policie në kohën e qeverisë “Berisha”.
Burgaj e Kulicaj urdheruan efektivet te mos zbatojne urdhrin e Prokurorise
Të njëjtat burime bëjnë me dije se referuar kallëzimit, Burgaj dhe Kuliçaj kanë urdhëruar efektivët e tyre të mos zbatojnë urdhërin e drejtuesit të prokurorisë së Tiranës për arrestimin e komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe 5 komandantët e njësive në Gardë
Këto urdhëra u lëshuan 48 orë pas ngjarjes, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues dhe u plagosen disa të tjerë nga plumbat e efektivëve të Gardës së Republikës.
Hetim dhe prokuroreve, s’ndoqen penalisht Burgajn dhe Kulicajn per moszbatimin e urdher-arresteve
Gjithashtu, në kallëzimin e tyre policia kërkon të hetohen edhe ata prokurorë të cilët nuk ndoqën penalisht dy ish-zyrtarët e policisë për mos zbatimin e urdhërit për arrestimin e Gardistëve.
Sipas kallëzimit të policisë ka rezultuar se në shkresat e mbajtura në atë kohë, mosarrestimi i tyre është justifikuar me gabime drejtshkrimore dhe lapsuse në urdhërat e prokurorëve.
Burgaj: Nuk kam dijeni per kallezimin qe me eshte bere
Ndërkohë i pyetur nga A1 REPORT gjatë aktivitetit të çeljes së sezonit të ri të Akademisë së Policisë, ku Burgaj ishte i pranishëm krah kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish-kreu i policisë së Shtetit, u shpreh se “nuk ka asnjë dijeni për kallëzimin në fjalë.”
Gjate protestave te 21 Janarit 2011 mbeten te vrare para Kryeministrise 4 demonstrues
Gjatë protestës së 21 janarit para Kryeministrisë u vranë nga plumbat e Gardës së Republikës 4 protestuesit, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi.
Ndonese nisi nje procesi gjyqësor, pas hekurave për katër viktimave nuk ndodhet askush, pasi dhe pse të dënuar minimalisht, kreu i gardës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo kanë fituar lirinë.