Home Politike Pasuria, Vokshi merret në pyetje në Prokurori, pyetet edhe Braçe

Pasuria, Vokshi merret në pyetje në Prokurori, pyetet edhe Braçe

1198
0

Njësia e task-forcës në Prokurorinë e kryeqytetit ka marrë dje në pyetje deputeten e PD-së, Albana Vokshi në lidhje me çështjen e dyshimtë të dhënies me koncesion të disa hidrocentraleve dhe të drejtës për kërkimin e naftës për bashkëjetuesin dhe babanë e fëmijës së saj, Arjan Tartari.

Lejet koncesionare i janë dhënë Tartarit në një kohë kur njeriu që bashkëjetonte, Albana Vokshi, ishte këshilltare e kryeministrit për ekonominë ndërsa e motra, drejtoreshë e privatizimeve dhe koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, njësia e përbashkët hetimore ka filluar hetimet kryesisht për çështjen duke regjistruar procedimin penal për akuzat e korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike; shpërdorim detyre si dhe akuzat e tjera që mund të dalin nga hetimi, por pa ndonjë autor konkret.

Për regjistrimin e këtij procedimi, mësohet se prokuroria ka përdorur, shkrimet e publikuara në Gazetën “Shekulli” dhe më pas deklaratat e deputetëve të Partisë Socialiste, kryesisht ato të deputetit Erjon Braçe.

Vokshi

E para që është thërritur dhe ka dëshmuar në prokurori për këtë çështje është vetë deputetja Vokshi. Ajo i është përgjigjur interesimit të prokurorëve dhe ka dhënë shpjegime në lidhje me çështjet në fjalë. Ndërkohë prokurorët e çështjen kanë pyetur deputeten Albana Vokshi edhe në lidhje me deklarimet e saj se njeriu që bashkëjeton ka dhënë 100 milionë euro ryshfet për një leje ndërtimi.

Vetë Vokshi ka pohuar se Arjan Tartari i ka dhënë 20% të aksioneve të njërës nga kompanitë e tij, vlera e të cilave shkonë rreth 100 milionë euro, shtetasit Dritan Avllaj. Sipas saj, kjo gjë është bërë në formë ryshfeti për të përfituar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.

Por në lidhje me këtë çështje bashkia ka pohuar se nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në pronën e pretenduar nga deputetja Albana Vokshi. Madje nga ana e bashkisë është bërë një kallëzim penal për deputeten Vokshi duke e akuzuar për shpifje.

Pas Vokshit, në prokurori është ftuar deputeti Erjon Braçe për të dorëzuar dokumentet që ai disponon në lidhje me këto çështje. Mësohet se deputeti Braçe i ka dorëzuar grupit hetimor të gjitha dokumentet që Partia Socialiste disponon në lidhje me deputeten Albana Vokshi, motrën e saj Mimoza si dhe Arian Tartarin.

Përveç dorëzimit të këtyre dokumenteve, mësohet se deputeti Braçe ka dhënë deklarime edhe në lidhje me burimin e këtyre dokumenteve zyrtare dhe dijeninë që ai ka për këto çështje.

Hetimet

Ndërkohë, grupi hetimor konfirmoi për “Shekullin” se hetimet kanë filluar për verifikimin e procedurave të hapjes së tenderit për koncesionet, mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese.

Si dhe hetimin për ndikimin e mundshëm që mund të ketë pasur ish-këshilltarja ekonomike e kryeministrit Sali Berisha tashmë deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, për përzgjedhjen e firmës fituese, ku aksioner figuron të jetë babai i fëmijëve të saj, (bashkëjetuesi) shtetasi Arian Tartari.

Sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të dhënave të disponuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, rezulton se bashkëjetuesi i deputetes shtetasi Arian Tartare dhe kompanitë ku ai është aksioner apo administrator ka përfituar katër nga gjashtë koncesionet për kërkim-shfrytëzimin e vend burimeve të naftës dhe gazit në vend.

Koncesione këto të fituara në kohën që deputetja Vokshi kryente detyrën e këshilltares ekonomike të kryeministrit Sali Berisha dhe më pas si deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Vlera totale e këtyre aksioneve, sipas denoncimeve të PS-së, kapin shifra qindra milionë dollarësh. Gjithashtu rezulton se bashkëjetuesi i deputetes Vokshi është aksionier në pesë shoqëri të ndryshme, shoqëri këto kryesisht të ngritura pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, opozita e ka akuzuar METE-n se i ka dhënë brenda një dite gjashtë kontrata koncesionare kompanisë “Alba Energy Plus” ku administrator është Arian Tartari për ndërtimin e HEC-eve në rrjedhën e lumit Kardhiq duke e favorizuar atë dukshëm në raport me kompanitë e tjera, nisur dhe nga fakti që pjesë e stafit të ministrisë ishte edhe Mimoza Vokshi, motra e Albana Vokshit e cila bashkëjeton me Tartarin.

************************************************

Bashkia e Tiranës ka reaguar sot pas auzave të një ditë më pare së Kryetari Edi Rama kishte marrë një ryshfet prej 100 milion eurosh, në këmbim të një leje ndërtimi.

Zëdhënësi I Bashkisë në një prononcm për shtyp tha kompania”Vizion Construction shpk” administrator kryesor i të cilit është bashkëshorti i deputetes Albana Vokshi, Arian Tartari, nuk ka përfituar asnjë leje ndërtimi.

“Zonja Vokshi njësoj si të gjithë pushtetarët që akuzohen me prova konkrete për korrupsion tregoi një përrallë me leje ndërtimi. Por duke kërkuar të tregohet origjinale tha se Edi Rama i ka kërkuar rryshfet 100 milion euro. Mesa duket kjo duhet të jetë arsyeja që gjen zonja, faktit se firma e letrave që ajo tund para ekraneve s’ka marrë kurrëfarë leje ndërtimi. ” – theksoi Serjani.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, paraqiti dje përpara mediave një kontratë bashkëpunimi midis bashkëjetuesit të saj Arian Tartari, biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si “Tan Lepri” dhe tre biznesmenëve të tjerë. Në këtë kontratë tregohet se 20% të aksioneve të një kompanie i kalojnë zotit Avllaj në shkëmbim të ndërtimit të një godine në ambientet e një trualli. Mbi këtë bashkëpunim, zyrtarja demokrate ka ngritur akuzën se 20% të aksioneve janë një formë ryshfeti për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Nga ana tjetër, burime nga bashkia e kryeqytetit bëjnë të ditur se në këtë institucion as është aplikuar dhe as është dhënë ndonjë leje ndërtimi për këtë pronë. Pasi kanë shqyrtuar të gjithë dokumentacionin që ndodhet në bashki, zyrtarët e këtij institucioni pohuan se bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy personave (në rastin konkret Tartarit dhe Avllajt) që nuk ka asnjë lloj lidhje me Bashkinë e Tiranës.
Por deputetja Vokshi ka insistuar se babai i fëmijës së saj ka dhënë 100 milionë euro ryshfet për një leje ndërtimi. “Kam këtu dokumentin, ku kompania “Vizion Construction”, është detyruar, të fusë aksioner me 20 % mikun e Edvin Ramës, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, në këmbim të dhënies së lejes së ndërtimit kësaj kompanie. Dhe ky 20% vlen jo më pak se 100 milionë EURO. Mendoni vetëm për një çast sa leje ndërtimi ka dhënë Rama në tre mandatet e tij si kryetar Bashkie? Sa 20% ka marrë nga këto leje ndërtimi që bëjnë një pasuri të tërë prej qindra milionë dollarësh, e padeklaruar prej tij”, ngriti pretendimin Albana Vokshi.
Por, nga ana tjetër, pohimi i zonjës Vokshi hedh dyshime edhe për pasurinë e vërtetë të Arian Tartarit, për të cilin vetëm një kompani vlen 500 milionë euro, ndërsa dihet se ai ka të paktën katër të tilla. Megjithëse ende nuk është përgjigjur ndaj akuzave të socialistëve, deputetja demokrate i kërkoi kryesocialistit arsyen se pse hesht në lidhjen e akuzat për lidhjen e tij me Dritan Avllajn. Ajo pyeti Ramën se pse nuk sqaron publikisht çfarë interesash e lidhin me këtë person dhe sa 20% ka përfituar nën emër të tij.
“Ky, është vetëm dokumenti i parë, në ditët në vijim, do të dëshmoj fakte të tjera reale për aferat e paimagjinueshme korruptive të Edvin Kristaq Ramës, të personave që me të e lidhin interesa marramendëse financiare, si dhe për të tërë papagajtë e tij që kanë folur për më shumë se tre javë, duke shpifur e trilluar për mua”, paralajmëroi deputetja e grupit Parlamentar Demokrat, Albana Vokshi. Ndërsa komentonte në daljen e djeshme për mediat jetën politike të kryesocialistit, zyrtarja demokrate tha se Rama i shqetësuar nga bumi turistik i muajve të fundit, u bë qesharak edhe me ato që fliste e që s’i kuptonte as vetë, për rritje ekonomike pa rritje ekonomike apo për borxhe publike mbi 100%, për rënie të të ardhurave tatimore kur e vërteta, e pranuar nga të gjithë organizmat e specializuar ndërkombëtarë është krejt ndryshe.

Socialistët:
Transparenca e bëmave tuaja sapo ka filluar

TIRANË – Partia Socialiste reagoi dje ndaj akuzave të deputetes demokrate, duke i vlerësuar si të vajtueshme, ndërkohë që opozita akuzon për kontrata shumëmilionëshe, në konflikt të hapur interesi mes pushtetarëve dhe familjarëve të oborrit të pushtetit, në kurriz e dëm të popullit shqiptar, zonja deputete flet përçart për njerëz të njohur të Edi Ramës që paskan lidhur privatisht kontratë me shokun e saj të jetës. Në një deklaratë për shtyp, deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, tha se në Shqipëri ka qindra-mijëra kontrata mes personash fizikë dhe Partia Socialiste nuk është kundër të drejtës kushtetuese e ligjore të asnjë individi për të bërë biznes. “Ne nuk jemi kundër zonjës Vokshi dhe nuk e akuzojmë shokun e saj të jetës apo qoftë edhe djalin e Sali Berishës thjesht pse merren me biznes. Jo. Ne i akuzojmë këta pushtetarë që përmes abuzimit me fuqinë e pushtetit të qytetarëve po pasurojnë familjet e farefisin e tyre, duke grabitur Shqipërinë dhe varfëruar shqiptarët. Merreni me durim zonja e zotërinj, transparenca e bëmave tuaja të turpshme sapo ka filluar”, theksoi zyrtarja e PS.

REAGIMI
Bashkia për Vokshin: Hajduti bërtet, kapni hajdutin

TIRANË – Në përgjigje të akuzave të deputetes Vokshi, reagoi dhe Bashkia e Tiranës, duke thënë se pushtetarët që kanë akuzuar gjatë këtij viti bashkinë, të cilëve u shtohet edhe deputetja demokrate, janë në një listë padish penale e civile që ne kemi depozituar për këto shpifje të ulëta. “Hajduti bërtet, kapni hajdutin”, thotë populli, ndërkohë që ky popull është përditë e më syhapur për të parë atë që fshihet pas akuzave bajate që të akuzuarit në pushtet ngrenë ndaj Bashkisë së Tiranës, sa herë dalin në shesh të palarat e korrupsionit të tyre”, u shpreh zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani. Sipas tij, kjo Bashki përbaltet sa herë që kundërshtarët e Edi Ramës duan të shmangin vëmendjen e publikut nga skandalet ku përfshihen. Ai tha se ky avaz nuk do t’i pengojë të vazhdojnë me sukses punën e tyre në shërbim të qytetarëve. Gjithashtu, zyrtari i Bashkisë shprehu keqardhje që qeveria nuk bën do të njëjtën gjë, sepse qytetarët janë prej kohësh jashtë vëmendjes së saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here