Shkelje të rënda janë konstatuar nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar gjatë verifikimit të dokumentacionit për kompleksion “Jon” në Vlorë. Subjekti “G.B.A Konstruksion” që ka marrë lejën e ndërtimit në dokumentacionin që ka paraqitur në bashki, në njërën nga pikat ka pretenduar se të gjitha inertet dhe gurët që do nxireshin gjatë hapjes së gropës, do të transportoheshin me kamione në drejtim të zonës të quajtur “Jalli” në Nartë.
Në fakt kjo zonë është përcaktuar dhe në miratimin e lejës së ndërtimit të lëshuar nga kryebashkiaku Gjika, ku në pikën 6 të kësaj leje qartësohet se mbetjet e ngurta do të hidhen në zonën e përcaktuar Jalli. Mirëpo në këtë zonë, duket se nuk është hedhur asnjë kamion me inerte dhe gurë, pasi të gjithë gurët që janë nxjerë nga gropa për ndërtimin e pallatit, janë hedhur në brendësi të detit, duke sjellë kështu shtimin në mënyrë artificial të truallit, dhe se kjo gjë është bërë në drejtim të ujërave të gjirit të Vlorës.
Koefiçenti 100 %
Një tjetër shkelje e rëndë që është bërë gjatë ndërtimit këtij objekti është dhe koefiçenti i ndërtimit, që në rastin konkret rezulton të jetë mbi 100 për qind. E thënë me fjalë më të thjeshta, firma që ka kryer punimet ka shfrytëzuar mbi kapacitetin e saj terrtorin që ishte përcaktuar për shesh ndërtimi nga bashkia. Në një sipërfaqe të vogël,jo vetëm që është zënë me ndërtim e gjthë toka, por njëherësh objekti është shtrirë dhe në një truall tjetër që në fakt nuk ka ekzistuar. Sipas specialistëve, në ligjin e “Urbanistikës”, kjo është një shkelje e rëndë dhe se tashmë po verifikohen të gjitha shkeljet e ndërtimit të objektit.
Ndërkohë që në lejën e ndërtimit të miratuar nga bashkia e Vlorës, qartësohet se koefiçenti i shfrytëzimit të territorit është 66 për qind. Një rregull i tillë nuk është miratuar nga administratorët e komplesit “Jon” gjatë kryerjes së punimeve. Ndërkohë që në pikën 8 të lejës së ndërtimit tregohet se subjekti të mos bllokojë dhe mirëmbajë teritorin dhe infrastrukturën publike, që në këtë rast nuk është zbatuar.
Emrat që firmosën
Dokumentacioni që i ka hapur rrugën ndërtimit të pallatit, është firmosur nga pesë zyrtarë të lartë të bashkisë së Vlorë, mes tyre dhe kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Pas tij, rradhiten emra të tjerë që janë Odhise Zoto, me detyrë Drejtor i Departamentit të Urbanistikës, Darjan Hudhra me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban, si dhe dy arkitektët Artur Cakalli dhe Renato Barbullushi.
Pavarësisht se të gjithë këta persona kanë firmosur, prokuroria e Vlorës në vitin 2012 ka marrë të pandehur vetëm shtetasin Odhise Zoto, i cili aktualisht është në proces gjykimi në gjykatën e Vlorës. Momentalisht çështja në ngarkim të Odhise Zotos, pritet të hidhet sërisht në short elektronik, pasi gjyqtari i çështjes Artur Malaj, ka dhëën dorëheqjen nga kjo dosje, si rezultat të emërimit të tij në Gjykatën Administrative në Tiranë.