Home Aktualitet Pagat e mjekeve rriten deri ne 5 mije leke

Pagat e mjekeve rriten deri ne 5 mije leke

682
0

Në fund të këtij muaji bluzat e bardha do të fusin në xhep 2 mijë deri në 5 mijë lekë më shumë. Rritja e pagave në sektorin shëndetësor, e miratuar nga qeveria është zbardhur dje, për çdo pozicion pune, duke nisur që nga shefi i shërbimit e deri tek sanitarët. Më të favorizuar nga rritja e fundit e pagave janë mjekët dhe infermierët, pagat e të cilëve janë rritur deri me 5 mijë lekë të reja në muaj.
QSUT
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka zbardhur rritjen e pagave për gjithë personelin shëndetësor. Nga kjo rritje, përfitojnë 2685 punonjës të QSUT-së, ndërkohë që shtesa është e diferencuar sipas profesionit. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi ka pohuar se: “Shtesa e pagave e miratuar nga qeveria është një stimul që bëhet për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin mbështetës. Aktualisht në kemi zbardhur vendimin dhe jemi duke hartuar tabelat përfundimtare, për të shpërndarë pagesat në muajin shtator, por që efekti financiar i kësaj shtese ka nisur që në fillim të muajit korrik”.
Përfituesit
Sipas Dashit, shtesën më të madhe e përfitojnë mjekët, infermierët dhe më pas shefat e shërbimeve. Kjo rritje e pagave kërkon një buxhet prej 88.366.880 lekë shtesë gjatë një viti. Por, personeli shëndetësor përveç rritjes së pagës që bëhet më vendim të Qeverisë, përfiton edhe shpërblime nga të ardhurat dytësore, ashtu siç u aplikuan pak muaj më parë. Sipas drejtorit të QSUT, duke parë të ardhurat dytësore të realizuara nga shërbimet do të ketë të tjera pagesa bonus.

Tabela e rritjes së pagave për të gjitha bulzat e bardha për vitin 2010

Pozicioni i punës Ishte Bëhet

1. Shef shërbimi Biomedikal 52000 54000
2. Shef Shërbimi 52000 54000
2. Mjek kirurg 35000 40000(+ vështirësi)
4. Mjek 35000 40000
5. Kr/infermiere 28000 30500
6. Infermiere 22000 25000
7. Infermire onkologjik 206500 28500
8. Infermire psikiatri 26500 28500
9. Laborante 23000 25000
10. Nd/farmacist 22000 24000
11. Sanitare 18000 19000

Kjo është paga bazë pa përfshirë rritjet që bëhën nga vjetërsia në punë etj,.

——————————————————————————————————————————————–
Studentët, bursa studimi për në Egjipt

Ofrohen bursa për studime pasuniversitare për demografi në Egjipt, për periudhën janar-dhjetor 2011. Në kuadër të bashkëpunimit teknik me Republikën Arabe të Egjiptit, Qendra Demografike dhe Fondi Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik në Kajro, ofron bursa për studime pasuniversitare në fushën e studimeve demografike për periudhën janar-dhjetor 2011, si më poshtë: Diplomë e Përgjithshme në Demografi; Diplomë e specializuar për zhvillimin e popullsisë, por me kusht që kandidati të ketë një diplomë të përgjithshme me vlerësimin minimal mirë; Program studimi për nivelin master në demografi, por me kusht që kandidati të ketë një diplomë të specializuar në këtë fushë me vlerësimin minimal mirë. Kandidatët duhet të kenë diplomë të nivelit të Parë (DNP). Ata, gjithashtu, duhet të kenë njohuri shume të mira të gjuhës angleze, duke qenë se mësimet zhvillohen në gjuhën angleze. Për studime të avancuara për dy programet e fundit (2 dhe 3), kandidatët duhet të plotësojnë kërkesa të veçanta. Preferencë do të kenë aplikantët, të cilët kanë eksperiencë në fushën e demografisë. Bursa mbulon shpenzimet e udhëtimit, të shkollimit dhe të akomodimit, si dhe shpenzimet e vogla mujore. Të gjithë personat e interesuar për këto bursa studimi duhet të dorëzojnë një formular aplikimi me të dhënat personale, si dhe një kopje të CV-së në Ambasadën e Republikës së Egjiptit në Tiranë, brenda datës 25 gusht 2010. Formulari i aplikimit mund të tërhiqet pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ose pranë Ambasadës së Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, kontaktoni me Ambasadën e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë.
Shtrenjtohen ushqimet

Pas bukës dhe ujit, ka nisur shtrenjtimi i të gjitha produkteve të tjera ushqimore. Nëpër dyqane dhe minimarkete rritja e çmimit për çdo produkt është mesatarisht 20 lekë, por ka dhe produkte të cilët janë shtrenjtuar edhe më shume se kaq. Një kokërr veze vetëm para pak ditësh blihej me 12 lekë, ndërsa tani ajo kushton 13 lekë, por shitësit thonë se furnizimi i ri pritet të sjellë një tjetër rritje. Një kilogram miell që pak ditë me parë blihej me 90 lekë, tashmë kushton 120 lekë. E po kështu vaji dhe sheqeri, orizi dhe të tjera ushqime që janë konsum i përditshëm. Rritje kanë pësuar edhe qeset ambalazhit, çmimi i të cilave është dyfishuar. Ndonëse më parë një pako kushtonte 40 lekë tashmë çmimi i tyre është bërë 80 lekë. Shitësit thonë se muaji shtator do të sjellë çmime edhe me të larta për produktet ushqimore, të paktën ky është paralajmerimi i firmave apo i kompanive që i furnizon tregtarët e vegjël.
Tiranë, dje nisi parkimi me pagesë në sheshet kryesore

Që prej të hënës parkimi në zonën e qendrës së kryeqytetit kushton më shtrenjtë. Me projektin e ri pilot të Bashkisë së Tiranës, nëse do parkosh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do duhet të paguash 100 lekë për çdo orë që do të rri automjeti i parkuar. Në të kundërt Policia Bashkiake do të marrë masa ndëshkuese, si vendosja e bllokuesit të rrotës apo deri në largimin e makinës me karrotrec. Bashkia ndërmorri projektin pilot për administrimin e ri të sistemit të parkimit me pagesë. Projekti do të përfshijë disa akse rrugore të kryeqytetit dhe synon në lehtësimin e trafikut të rënduar, për shkak edhe të punimeve në sheshin “Skënderbej”. Konkretisht, zonat ku do të aplikohet projekti pilot i parkimit publik me pagesë do të jenë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga kryqëzimi mes dy Ministrive, deri tek Ura e Madhe e “Dajtit”, Bulevardi “Gjergj Fishta”, nga Ura e madhe e “Dajtit”, deri tek Ura “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe që nga kryqëzimi i rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, deri tek Ura e Re e Bllokut. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit “Qemal Stafa”, që është sheshi “Italia”, me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor. Bashkia e Tiranës do të vendosë kioska ku mund të blihen biletat e parkimit. Biletat do të jenë 1-orëshe, 2-orëshe dhe 3-orëshe dhe do të kenë të gjithë elementët e sigurisë është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorueshme nga çdo qytetar. Ajo vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët. Do të jenë strukturat e Policisë Bashkiake, ato që do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative. Për kundravajtësit e sistemit do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione të cilat arrijnë deri në heqjen e mjetit me karrotrec.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here