KUKES – Pas më shumë se 24 orësh reshje shiu, në të gjithë Qarkun e Kukësit temperaturat maksimale dhe ato minimale kanë pësuar rënje të theksuar, duke sjellë edhe reshje të dobëta dëbore në lartësitë 2 mijë metër mbi nivelin e detit.
Kështu, sot në mëngjes në zonat e Kalisit, Grykë-Cajës, Shishtavecit, Lekbibajve, Margegajve etj, dëbora ka arritur në 5 centimetra. Siç thonë edhe banorët, reshjet nuk kanë intensitet të lartë, por temperaturat kanë rënë ndjeshëm.
Sipas Shtabit të Emergjencave Civile nuk janë shënuar probleme në qarkullimin e automjeteve në akset rrugore, ndërkohë që mjegulla ka një shtrirje të madhe. A1 Report sjell pamje nga mali i Gjallicës, ku duket qarte velloja e deborës që ka mbuluar këtë mal.
Ndërkohë reshje dëbore mësohet se ka patur edhe në zonat e thella ta Dibrës dhe Malësisë së Madhe.
Ministria e Bujqësisë: Stuhi në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës
Kjo rënie temperaturash, ka angazhuar edhe Ministrinë e Bujqësisë, e cila ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, pritet stuhi dhe ciklone në zonat e Ultësirës Perëndimore.
Sipas Ministrisë, stuhitë parashikohen veçanërisht në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Lidhur me këtë Ministria bën të ditur se një shtab i posaçëm emergjencash është në terren.
Po ashtu i bëhet thirrje edhe fermerëve që të përgatiten për të mbrojtur pronat e tyre, si rrjedhojë e stuhive. Ndërkaq, edhe bordet e kullimit njoftohet se janë në gatishmëri për përballimin e situatës.