Home Aktualitet Ngjarja e Himarës, PDU: Dule e Omonia po e përdorin politikisht

Ngjarja e Himarës, PDU: Dule e Omonia po e përdorin politikisht

698
0

Partia për Drejtësi dhe Unitet duke shprehur ngushëllime për familjarët e të riut nga Himara, Aristotel Guma ngre shqetësimin e saj për politizimin që po i bëhet ngjarjes nga qarqe të caktuara. Në një njoftim për mediat, kjo parti u kërkon drejtuesve të organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare, të vetëpërmbahen nga politizimi i këtij rasti dhe të lënë organet e drejtësisë të punojnë të pavaruara. Në njoftim thuhet se paragjykimi i këtij krimi, si një krim me motive etnike, kur Policia e Shtetit, por edhe një pjesë e dëshmimtarëve okularë pohojnë për të kundërtën, është një shenjë që na bën të dyshojmë për një politizim të stisur, të një akti tragjik siç është humbja e një njeriu. Sipas PDU-se reagimet e minoritetit grek, të drejtuara nga kryetari i Omonias, Vasil Bollano dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule janë raste flagrante të një tentative për të përfituar politikisht dhe për të dëmtuar Shqipërinë në mes të sezonit turistik.
Nacionalizmi i shprehur prej tyre ka kaluar akoma edhe caqet e Athinës zyrtare, e cila nuk nguroi t’i kritikonte ata për këtë politizim, thuhet me tej në këtë deklaratë. Partia për drejtësi dhe unitet shpreh shqetësimin gjithashtu edhe për qëndrimin e kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit në lidhje me ngjarjen. PDU i kërkon Kryepeshkopit Anastas të merret më shumë me lutjen për prehjen e shpirtit të bashkëqytetarit tonë dhe të shmangë deklaratat që paragjykojnë këtë akt, duke vendosur në pikëpyetje vetë arsyen e reagimit të tij. Kjo parti thekson se Hirësia e Tij, nuk duhet të luaje rolin që dikur ka luajtur Pandelejmon Kotokoja, duke parë besimtarët grekë si të nënës dhe besimtarët shqiptarë si të njerkës. Po kështu, PDU thotë se bllokimi i rrugës së Himarës u krye nga emigrantë të rikthyer, të njohur si anëtarë të shoqatës greke SFEVA, që lufton për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, fakt që sipas PDU-së ngre dyshime per arsyet e vërteta të protestës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here