Kushtet e këqija atmosferike që përfshinë gjirin e Durrësit ditën e shtunë kanë bërë që 131 pasagjerët që udhëtojnë me tragetin e linjës Bari-Durrës “Rhapsody” të qëndrojnë në det për më shumë se 48 orë deri sot në mëngjes, ku sipas korrespondentit të “Panorama”, mësohet se trageti është ankoruar sot në mëngjes portin e Durrësit.
Trageti “Rhapsody” mbërriti përpara dy trageteve të tjerë në portin e Durrësit të shtunën në orarin e përcaktuar (08.00), por nuk ka mundur të ankorohej dot në kalatet e tij.
Shkak mësohet të jenë bërë përmasat e mëdha të tragetit, i cili nuk i përshtatet infrastrukturës së Portit detar të Durrësit.
Erërat e forta dhe dallgët nuk e lejuan “gjigantin” të ankorohej në port, duke u hapur udhën dy trageteve të tjerë, të cilët u ankoruan pa problem.
Ai ka tentuar të ankorohet disa herë, por rrezikoi të përplasej me mjetet e tjera lundruese që ndodheshin në kalatë.
Duke u nisur nga një situatë e tillë, Kapiteneria urdhëroi kapitenin e tragetit të dilte sërish në radë dhe prej andej në gjirin e Kepit të Rodonit deri në përmirësim të kushteve atmosferike. Sot, kur era nisi të qetësohej, u dha urdhër që trageti të afrohej për të tentuar të ankorohej.
Kështu, 131 pasagjerë të lodhur nga një udhëtim i gjatë i nisur që prej mbrëmjes së ditës së premte nga porti i Barit, iu desh të qëndronin dy ditë në det të hapur