Home Aktualitet Minatorët vazhdojne greven ne kushte te renda

Minatorët vazhdojne greven ne kushte te renda

553
0

minatoretRreth 60 minatorë të zonës D në rrethin e Bulqizës vijojne sot diten e dyte te greves se urise. Ata u ngujuan mëngjesin e djeshëm në grevë urie, duke pasur si kërkesë kryesore rifillimin e punës në galeritë e kësaj zone.

Prej tri javësh puna është bllokuar, me urdhër të Ministrisë së Energjisë, për shkak të problemeve të hasura në galeritë e firmës koncensionare “Tur-Alb”. Burime të sigurta sqarojnë se minatorët e zonës D kishin rënë dakord që greva e tyre të niste në galeri, por autoritetet e sigurisë nuk i kanë lejuar të hyjnë në minierë.

Në këto rrethana organizatorët e grevës u kanë bërë thirrje minatorëve të ngujohen në gardërobën e firmës. “Për disa javë me radhë kemi pritur një përgjigje nga strukturat shtetërore në lidhje me rikthimin në punë të 100 minatorëve të zonës D, por askush nuk denjoi të zgjidhë shqetësimin e të paktën 500 banorëve të Bulqizës dhe fshatrave përreth. Në letrat dërguar zyrtarëve më të lartë të shtetit kemi kërkuar krijimin e mundësive që ne të punojmë”, shprehet kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të kësaj zone, Agron Basha.

Sipas tij, “nuk është e vërtetë se janë nxitur nga firma për të ndërmarrë akte të tilla, por kjo grevë organizohet për të bindur Ministrinë e Ekonomisë dhe institucionet e tjera se minatorët nuk janë fajtorë për pezullimin e punës në minierat e zonës D. Kur kuptuam se askush nuk u interesua për shqetësimin tonë, u detyruam të hyjmë në grevë urie pa afat”.

Basha thotë se më 14 nëntor 2013, bashkë me kolegët e tij, u janë drejtuar autoriteteve më të larta të vendit me një peticion ku kryefjala ishte rikthimi i minatorëve në vendet e tyre të punës, pasi të ardhurat kryesore të afro 100 minatorëve sigurohen vetëm nga puna në minierë.

Ambienti i greves

“Dhoma” ku janë ngujuar 60 minatorët e Bulqizës është e vogël për të mbajtur kaq shumë njerëz. Grevistët tregojnë se kushtet janë mjaft të rënda dhe se askush deri dje në mbrëmje nuk është interesuar për shëndetin e tyre, apo sigurimin e mjediseve të grevës. “Ju e shihni vetë, thonë grevistët, në çfarë kushtet jemi. Këtu mjedisi është shumë i ngushtë për të qëndruar kaq shumë persona. Kjo është gardëroba e punëtorëve. Rrobat janë të lagura dhe mbajnë erë të rëndë. Ajri është shumë i ndotur. Temperaturat janë shumë të ulëta. Kjo furnelë nuk mjafton për të siguruar ngrohje normale. Kemi menduar se do të kemi mbështetje, por as policia lokale dhe as mjekë të spitalit të Bulqizës nuk kanë ardhur për të na parë apo ndihmuar”, shprehen grevistët. Duke vijuar pretendimet e tyre, ata thonë se nuk do ta ndalin grevën e urisë pa marrë garanci për rikthimin e tyre në vendet e punës, duke u shprehur se fatet e familjeve të tyre lidhen me punën në galeritë e minierës së kromit. Madje, organizatorët thonë se kanë mbështetjen e shumë minatorëve të Bulqizës dhe banorëve të këtij rrethi.

“Numri i grevistëve në ditët që vijnë do të vijë në rritje. Nuk kemi çfarë të humbasim. Jemi pa bukë dhe pa asnjë lloj shprese. Ne nuk bëhemi pjesë e konjunkturave, por kërkojmë drejtësi dhe zbatim të ligjit për këdo që shfrytëzon minierat e kromit”, shtojnë grevistët e Bulqizës. Më 18 nëntor të këtij viti, pesë minatorë tentuan të vetëdigjen, duke deklaruar se strukturat shtetërore duhet t’u krijonin mundësi për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës. Gushtin e vitit të kaluar, minatorët e zonës D në rrethin e Bulqizës organizuan protesta e greva, duke kërkuar rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension, thellimin e pusit kryesor, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here