Dy persona kanë humbur jetën, katër ndodhen në gjendje kome dhe 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident tragjik të ndodhur në aksin Përrenjas-Qafë Thanë mesditën e sotme.
Mikrobusi me targë AA074AX me 19 pasagjerë është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas ka përfunduar në një kanal.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë në vendngjarje ndodhen edhe 3 autoambulanca dhe tre mjekë kirurgë të cilët po u japin ndihmën e parë të plagosurve. Të aksidentuarit janë transportuar fillimisht në spitalin e Librazhdit.
Mikrobusi ishte nisur nga Tirana me destinacion qytetin e Strugës. Nga të dhënat e fundit mësohet se një nga personat që ndodhen në gjendje kome është edhe drejtuesi i automjetit B.K.
IDENTIFIKOHEN VIKTIMAT, KATËR NGA TË PLAGOSURIT NISEN DREJT TIRANËS
Klaudia Nushi 25-vjeç dhe Atile Toska 65-vjeç janë dy viktimat e aksidentit të rëndë. Trupat e tyre ndodhen në spitalin e Përrenjasit. Ndërkohë nga të dhënat e fundit bëhet me dije se 8 nga të plagosurit janë transportuar në spitalin e Librazhdit dhe më pas katër prej tyre janë nisur drejt Tiranës për të marrë një mjekim më të specializuar.
Aksident ne perrenjas
PËRGJEGJËSI I SPITALIT TË PËRRENJASIT:5 TË PLAGOSURIT JANË JASHTË RREZIKUT PËR JETËN
Përgjegjësi i Spitalit të Përrenjasit Mehmet Karriqi në një lidhje telefonike me News 24 shprehet se në këtë spital tashmë ndodhen vetëm 5 të plagosur që janë jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që 5 personat e tjerë janë nisur drejt spitalit të Librazhdit për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore. Karriqi thekson se dy viktimat e aksidentit janë 25 dhe 65 vjeç