Home Aktualitet Mediat greke: Festa në Shqipëri, incident i rëndë

Mediat greke: Festa në Shqipëri, incident i rëndë

631
0

Mediat greke e kanë komentuar si incident serioz protestën e mbështetësve të Aleancës Kuq e Zi kundër ceremonisë përkujtimore për ushtarët grekë të vrarë në vitet 1940-1941 në truallin shqiptar. Në një artikull të djeshëm, e përditshmja fqinje “Ekathimerini” përshkruante situatën e tensionuar në të cilën u zhvillua festa kombëtare greke, e cila kujton hyrjen e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas artikullit, tensionet në Greqi, ku ceremonitë përkujtimore u zhvilluan nën praninë e fortë të forcave të policisë, nuk ishin asgjë me ato të shfaqura në Shqipëri, ku mbështetës të disa partive nacionaliste, sulmuan mjetet që transportonin ministrat grekë dhe familjarë të ushtarëve të vrarë.
Incidentet
“Në Shqipëri ndodhën disa incidente serioze gjatë ceremonisë përkujtimore të zhvilluar për nder të ushtarakëve grekë, të cilët u vranë në vitet 1940-‘41 në qytetin e Përmetit”, – shkruante e përditshmja greke në komentin për zhvillimet e ceremonisë përkujtimore në truallin shqiptar. “‘Skai’ raportoi se anëtarë të partive politike shqiptare, siç është Aleanca Kuq e Zi, goditën me gurë mjetet që transportonin deputetë të parlamentit grek dhe të afërm të ushtarëve. Policia shqiptare ndërhyri, por nacionalistët nuk u larguan nga vendi ku u zhvillua ceremonia, duke hedhur gjatë gjithë kohës slogane antigreke”, – shkruante më tej “Ekathimerini”, duke iu referuar televizionit “Skai”, një prej rrjeteve më në zë në Greqi.
Festa, mes tensioneve
“Ekathimerini” e përshkruante festën kombëtare të zhvilluar në një atmosferë të zymtë të karakterizuar nga prania e fortë e forcave të rendit, të njëjtë me klimën në të cilën u zhvillua edhe festa e mëparshme kombëtare. “Prania e fortë e forcave të rendit me masa sigurie që të kujtonin ato të festës së mëparshme kombëtare, më 25 mars, bënë që parada ushtarake e zhvilluar të dielën në Selanik të zhvillohej pa shumë zhurmë, edhe pse me praninë e Presidentit Karolos Papoulias”.
Sipas të përditshmes greke, parada e mirëorganizuar që përkujton përvjetorin e përfshirjes së Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, mjaft e ndryshme nga ajo e vitit të shkuar, e cila u ndërpre në mes për shkak të protestuesve, u zhvillua nën shi dhe përkoi me 100-vjetorin e çlirimit të Selanikut nga pushtimi otoman në vitin 1912. Pas një mungese prej disa vitesh, një avion luftarak zbukuroi qiellin mbi paradë me disa manovra mbresëlënëse, komentohej në artikull. “Duhet të dalim me shpejtësi nga kriza, pasi nuk mund t’i kërkosh më shumë një kombi që tashmë ka dhënë gjithçka”, – citonte “Ekathimerini” fjalët e Presidentit Papoulias.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here