Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nxjerrë udhëzimin për sistemin e Maturës Shtetërore 2016, i cili këtë vit vjen me një formulë të re për përzgjedhjen e fituesve , duke vendosur prag për notën mesatare të shkollës dhe kushte specifike nga universitetet. Matura e këtij viti do të jetë dalëse, dhe ajo përmbyll ciklin e plotë të studimeve në gjimnaz. Gjithsej, do jenë pesë provime dalëse, ku 3 prej tyre (Gjuhë-Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) do të jenë të detyrueshme dhe 2 provime me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj me detyrim (D3) do të jetë i nivelit B1, ndërsa lista e gjuhëve që do të përfshihen në provimin e detyruar janë anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja.
Gjuha e huaj që do të jepet provim, do të pasqyrohet në Formularin A1/ A1Z. Përveç maturantëve të këtij viti, detyrimin për ta dhënë këtë provim e kanë edhe ata që kanë mbaruar në vitin 2014 e 2015, e që nuk kanë mundur ta marrin. Ministria e Arsimit pritet që përmes një VKM-je të përcaktojë edhe pragun e notës mesatare dysheme, e cila do të jetë pjesë e procesit të hyrjes në universitet. Ndërkohë, javën e ardhshme, do të publikohet edhe rregullorja e plotë e Maturës, në të cilën do të shpallen të drejtat, detyrimet dhe penalitetet për të rinjtë.
Lëndet me zgjedhje
Këtë vit, numrin më të lartë të krediteve në grupin e lëndëve me zgjedhje do ta ketë Gjuha e huaj dhe Historia e thelluar, përkatësisht me 10 dhe 9 kredite secila. Maturantët duhet të dinë se testi i gjuhës së huaj do të jetë i nivelit gjuhësor B2. Ndërkohë, programet orientuese të lëndëve, për të gjithë maturantët dhe ish-maturantët do të jetë në përshtatje me programet ekzistuese të shkollave të mesme. Sipas udhëzimit, programi orientues i një lënde të thelluar do të përmbajë edhe programin e lëndës bërthamë. Për shembull, lënda “Gjeografi” (bërthamë dhe e thelluar) do të përmbajë edhe lëndën “Shkenca e tokës”.
Kandidati ka të drejtë të zgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo ato në shkollë, në programin mësimor. Kandidatëve, të cilët kanë dhënë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.5, u njihen ato provime dhe nuk kanë të drjetë t’i rihapin. Maturantët, të cilët në Maturën Shtetërore të vitit 2012 kanë zgjedhur për të dhënë 3 provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy prej tyre, duhet të zgjedhin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi.
Udhëzimi
Tabela e mëposhtme përcakton kreditet e të gjitha lëndëve për shkollat e mesme dhe ato artistike. Maturantët, të cilët aspirojnë për një vend në universitet duhet të zgjedhin lëndët për provimet me zgjedhje, bazuar në tabelën dhe kriteret e mëposhtme. a) Shuma e krediteve të këtyre lëndëve duhet të jetë jo më e vogël se 8, ndërsa numri i lëndëve, në bazë të rregullores duhet të jetë 2. Po ashtu, nga “lista e lëndëve me zgjedhje”, maturantët e shkollave artistike, koreografike kanë të drejtë të zgjedhin lëndën e parë, nga grupi i lëndëve, “vetëm për shkollat artistike” dhe lëndën e dytë, nga grupi i lëndëve “për të gjitha shkollat e mesme”. Kur ata vendosin për një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhin njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë.
Kreditet
Për shkollat e mesme
KrediteGjuhë e huaj 10
Letërsi e thelluar 5
Matematikë e thelluar 5
Kimi bërthamë 4
Kimi e thelluar 6
Fizikë bërthamë 4
Fizikë e thelluar 6
Biologji bërthamë 4
Biologji e thelluar 6
Histori bërthamë 5
Histori e thelluar 9
Gjeografi bërthamë 5
Gjeografi e thelluar 7
Ekonomi bërthamë 2
Ekonomi e thelluar 4
Teknologji bërthamë 2
Teknologji e thelluar 4
Qytetari 3
Psikologji 2
Filozofi 2
Sociologji 2
Vetëm për shkollat artistike
Histori muzike 6
Histori arti 6
Histori baleti 3