Njëri nga pronarët e lokalit “Ante Grand” në Tiranë, ku ndodhi vrasja e katërfishtë për të cilën është arrestuar Kostandin Xhuvani, i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Andrea Omiro, 54 vjeç, është vetëvrarë pasditen e së dielës në banesën e tij, pranë “Komunës së Parisit”, në kryeqytet.
Burime nga Policia thanë se 54vjeçari është dërguar nga familjarët në spitalin “Nënë Tereza” rreth orës 18:35, por nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në orët e mbrëmjes. Nga të dhënat hetimore mësohet se Andrea Omiro vuante prej disa javësh nga depresioni dhe kjo sëmundje dyshohet ta ketë shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, Omiro ishte me masë sigurie “arrest shtëpie”, pasi disa javë më parë Policia i kishte gjetur një levë hekuri, të klasifikuar si armë e ftohtë. Ndërsa Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Megjithatë, duket se nuk ka qenë kjo arsyeja që e bëri atë të vuante nga depresioni, e aq më tepër të vendoste t’i jepte fund jetës, duke pirë disa tableta fostoksinë. Mjekët e Spitalit Toksikologjik në QSUT thanë se ka qenë e pamundur që ai të mbahej në jetë, pasi sasia e lëndës helmuese ka qenë shumë e madhe dhe nuk arriti të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes në kohë. Ndërsa Policia ka marrë në pyetje familjarët e tij, për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes, si dhe motivin e vetëvrasjes së tij.