Home Andrea Stefani Liria e besimit dhe besimi te liria

Liria e besimit dhe besimi te liria

944
0

paris_attack_support_in_spain_afp_650Unë jam ateist. Dhe prandaj nuk jam ndier fare mirë kur në librin “Mbi tolerimin” të filozofit të shquar, Xhon Lok, lexova, kohë më parë, këtë frazë: “…ata që nuk duhen toleruar fare janë mohuesit e ekzistencës së Zotit”. Është një frazë që më ka bërë të ndihem i kërcënuar nga gjithkush që te mungesa e besimit tim fetar, mund të shihte një rrezik për besimin e tij fetar dhe prandaj, nuk duhet kurrsesi të më tolerojnë. Po ç’do të thotë të mos tolerosh dikë që nuk beson fare si ty në Zot dhe që s’ka Zot që ta bëjë të besojë se ka Zot? Do të thotë të mos tolerosh njeriun, ekzistencën e tij. Intolerancë që nuk mund të mos çojë deri te krime të llahtarshme si ai prerjes së kokave siç po shohim të bëjnë terroristët e ISIS

***

Mbetem i habitur sesi filozofi i shquar i tolerancës ka mundur ta tolerojë, qoftë edhe në një rast, intolerancën. Sepse është një nga ato fraza që, në thelb, rrëzon të gjithë esenë e Lokut kushtuar tolerancës. Loku sugjeron një tolerancë që themelohet pikërisht mbi parimin e lirisë së njeriut për të zgjedhur vetë fenë e tij. Por në momentin që t’i refuzon të tolerosh ateistin, ke hapur shtegun për mostolerimin edhe të atij që beson një tjetër fe nga ajo që beson ti. Sepse natyra e besimit është e tillë që nuk mund të pranojë ekzistencën e Zotit në disa versione. Pra, është “ose… ose” dhe jo “edhe… edhe”. Nga ky këndvështrim, është e pamundur që një besimtari, të mos i paraqitet besimtari i fesë tjetër si i pafe pra, thuajse si një ateist. E përse, për dallim nga ateisti, ky u dashka toleruar? Përgjigjja është e thjeshtë: Në emër të lirisë së njeriut! Dhe jo vetëm ky, por edhe ateisti!

***

Sikundër thashë, jam ateist. Por jam për lejimin e lirisë së besimit fetar në të gjitha format që ai shfaqet. Përjashtuar ato forma që cenojnë lirinë e dikujt për të besuar si do, e si ndien. Marksi u përdor nga regjimi komunist për të justifikuar ndalimin e feve në Shqipëri. Ndërkaq, unë nuk po gjej dot një frazë më elokuente se ajo e Marksit, për të thënë se ç’është feja. Pra, “lumturi iluzore e popullit”. Dhe meqenëse vetë Marksi, lë të kuptohet se iluzioni fetar është pohimi i një gjendje që ka nevojë për iluzione, atëherë edhe ndalimi i dhunshëm i fesë nga komunizmi binte në kundërshti me një gjendje që ushqente fenë. Kjo u provua kur me t’u hequr ndalimi i diktaturës, feja gjallëroi përsëri. Dhe njerëzimi, jo thjesht individë apo grupe a shtresa njerëzish, nuk e ka tejkaluar asnjëherë deri më sot këtë gjendje, që ka nevojë për iluzionin fetar dhe prandaj, të ndalosh fenë do të thotë të dalësh kundër lirisë së njeriut për të përmbushur një nevojë të vetën.

***

Në këtë kuptim liria dhe feja shfaqen të pandara. Përvoja e ndalimit të fesë nga diktatura duket se na ka ndihmuar ne shqiptarët që ta rroknim, qoftë dhe intuitivisht, këtë lidhje më mirë se shumëkush tjetër. Në fakt, ekzistenca e një tolerance fetare mes nesh, e ka rrënjën edhe te perceptimi i heqjes të atij ndalimi si liri. T’i kundërvihesh sot lirisë së dikujt për të besuar në fe, shfaqet menjëherë si rikthim në praktikat komuniste pra, te një e keqe e gjithëpranuar.

***

Megjithatë, kjo është ana sipërane, koniunkturale e sjelljes dhe si e tillë, mund të kalojë bashkë me koniunkturën e sotme. Ajo që e jetëgjatëson, duke e bërë të qëndrueshme, bashkëjetesën mes feve është vetëm kulti i lirisë së njeriut. Këtë kult ka mundur ta ngrejë në sistem, ose ta shenjtërojë, vetëm qytetërimi perëndimor ku zhvillohen të gjitha besimet fetare krahas ateizmit. Pse? Sepse Perëndimi është i vetmi qytetërim i themeluar mbi lirinë e njeriut. Dhe nuk mund t’u japësh njerëzve lirinë për të besuar, pa u dhënë edhe lirinë për të mos besuar në Zot! Ndryshe liria e besimit do të qe detyrim pra, jo liri! Aq më pak mund të jetë liri imponimi, deri edhe me prerje kokësh, i një besimi të caktuar fetar. Sikundër përpiqet të bëjë ISIS. Një besim pa liri, pa zgjedhjen e vetë njeriut, nuk mund të jetë besim. Në momentin që i ke hequr njeriut lirinë të zgjedhë besimin, i ke hequr edhe mundësinë të besojë në Zot.

***

Por liria është tekanjoze. Ajo vë në provë dedikimin tonë ndaj saj duke na sfiduar edhe me gjëra që nuk na pëlqejnë. Liria, nënkupton madje, ekzistencën e gjërave që edhe mund t’i urrejmë por që po të përpiqemi t’i shfarosim, nuk do bënim gjë tjetër veç do shfarosnim lirinë vetë. Liria kërkon ta pranojmë botën ashtu si është, me tërë larminë dhe dinamikën e saj. Pse nën komunizëm nuk kishte liri? Sepse lejoheshin vetëm gjërat që i pëlqenin diktatorit, disave apo atij që rëndom i themi “regjim”. Por kush kërkon një botë mbushur vetëm me gjëra që i pëlqejnë, ka bërë gabim që ka lindur. Prandaj, është e kotë të diskutosh në bëri mirë apo keq “Charlie Hebdo” që karikaturoi Muhametin apo fenë islame sikundër ka ironizuar edhe Krishtin apo fenë e krishterë. Është çështje lirie dhe liria nuk është çështje etike, por ontologjike. Bëhet fjalë për lirinë e kritikës. Karikatura është një lloj kritike dhe terroristët, duke vrarë gazetarët, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po përpiqen të zëvendësojnë “armën e kritikës” me “kritikën me armë”. Një gjë që e ka sugjeruar po Marksi. Është një rrugë qorre. Sepse përherë do ketë ndarje në këtë rrafsh, pëlqime dhe mospëlqime. Por përplasjet, deri edhe krime të llahtarshme si ai i vrasjes së gazetarëve në Paris, i shmang vetëm përqafimi i besimit të lirisë. Thelbi i Zotit, e lëmë mënjanë debatin për ekzistencën, është liria absolute. Atëherë si mund të mbrosh Zotin duke sulmuar lirinë? Dhe në fund fare, të vrasësh në emër të Zotit, a nuk është shprehje e mosbesimit te vetë Zoti, te gjithëfuqia e tij për të ndëshkuar një blasfemi!

Shqip

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here