Home Aktualitet Linda Basha: Dashuria ime me Edi Ramën, cili do të jetë roli...

Linda Basha: Dashuria ime me Edi Ramën, cili do të jetë roli im në jetën e tij

148
2

Kurioziteti i jashtëzakonshëm që njerëzit kanë pasur për të njohur bashkëshorten e re të Edi Ramës është shuar dje. Në një rrëfim të gjatë por, dhe të hollësishëm, Linda Basha tregon historinë e jetës së saj. Në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Linda ka treguar arsyet që e bindën për të lidhur jetën me një nga politikanët më të rëndësishëm në vend. Linda Basha (Rama) ka treguar historinë se si është njohur me Ramën dhe cili do të jetë roli i saj në karrierën e liderit të opozitës. Çifti Rama-Basha kanë vendosur që vitet e mbetura, t’i kalojnë së bashku duke u martuar zyrtarisht ditën e dielë. Të dy kanë vendosur të jetojnë në një apartament me qira afër lagjes së vjetër të Ramës, afër ekspozitës.

Martesa duhet të jetë një moment i rëndësishëm personal? Keni emocione sot?
Unë do të siguroj se megjithëse nuk e di se sa e sa herë kam qenë në studio televizive, unë sot kam emocione si për herë të parë.
Zonja Linda, çfarë ndodh me mbiemrin tuaj të vajzërisë pas ditës së dielë?
Do ndjek traditën shqiptarë. Jam shumë tradicionale.
Z.Rama ju keni bërë një zgjedhje të goditur, në këtë rast,  dashuria është e verbër apo sytë e hapur?
Dashuria e verbër dhe sytë e hapur bëjnë një zgjedhje të goditur.
Zonja Linda si e keni njohur Edi Ramën dhe si përfundoi lidhja juaj në martesë?
Kontakti i parë personal me emrin e Edi Ramës ka qenë para viteve ‘90, në ato kohë unë sapo kam qenë diplomuar dhe dëgjonim për ngjarjet që ndodhnin në Akademinë e Arteve. Gjithashtu në ngjarjet e dhjetorit emri i Edit ishte mjaft i artikuluar. Dhe pikërisht në atë kohë filluan shkëndijat e para të publicistikës së tij. Ne jemi takuar bashkë atëherë kur Edi filloi të ndryshonte Tiranën e më tej marrëdhënia jonë ka evoluar, ka pasur kohën e nevojshme për tu kuptuar me njëri-tjetrin e për të marrë vendimin që të jetojmë bashkë.
A mund të na thoni diçka më shumë për Linda Bashën?
Siç është thënë në media, unë kam lindur në një familje shumë të thjeshtë tiranase. Shtëpia jonë ka qenë e vogël, me një avlli, me një oborr, pranë liceut artistik, me një oborr shumë të dashur sepse kishte kumbulla, hurma, kajsi, sigurisht kam pasur një gjysh dhe një gjyshe shumë të mirë. Unë kam një vëlla dhe një motër, jam vajza e një babai muzikant, ndërsa mamaja ka qenë punëtore në kombinatin e autotraktorëve. Në fakt prindërit gjatë gjithë kohës na thoshin të bëhemi zot të vetes dhe unë e para gjë që kam dashur është të punoj dhe puna e p[arë e mirë ka qenë që të mësoja. Unë punën e konceptoja që të kishe një vullnet dhe durim dhe ato i kam mëshiruar tek të dy prindërit e mi, tek babai im i cili punonte tërë natën, hidhte mijëra nota nëpër pentagrame, unë e kam kujtimin më të mirë që ai e gdhinte për t’ia ndarë notat orkestrës në të gjithë Shqipërinë, në atë kohë nuk kishte kompjuter, fotokopje dhe ishte ai që e bënte këtë, ndërsa nëna ka qenë si shumë nëna shqiptare dhe unë kam debulesë për fjalën nënë, pasi është e bekuar dhe ajo ka qenë modeli perfekt i dedikimit të familjes. Prindërit më kanë dhënë modelin se me punë mund të arrish shumë gjëra.
Ju keni shkruar më shumë libra se Rama apo jo?
Në fakt unë e kam pasur pasion që të shkruaja dhe publicistikën e Edit e kam dashur shumë, dhe publicistika është një nga gjërat që ai e ka lënë mënjanë për shkak të impenjimit politik. Unë i vlerësoj shumë njerëzit që shkruajnë dhe për këtë arsye menjëherë sapo kam mbaruar fakultetin e ekonomisë, pasi kam marrë titulli master, i jam dedikuar shumë fenomeneve dhe kam qenë me fat sepse është si shkollë, jo vetëm shkruan por për shkak të kontakteve t’i ke mundësi të mësosh, është një shkollë në vijimësi.
Z. Rama, nëna juaj, Aneta e ka dhënë vlerësimin e saj publik, si e njeh Aneta znj.Basha dhe sa?
Në fakt nëna ime nuk është se ka dhënë bekim publik, ajo ka qenë e bombarduar nga kërkesat për të folur, nuk e ka shijuar një gjë të tillë duke qenë se ajo është jeta jonë private, megjithatë në një rast, një gazetareje ajo i ka shprehur lumturinë e saj për këtë rast. Ajo e njeh Lindën. E çmon dhe natyrisht ka thënë atë që ndjen, pasi është një ngjarje shumë e lumtur në jetën time dhe jetën e familjes sime.
Z. Rama në një mesazh që u keni dërguar miqve, ju lini të kuptohej sa diskret ishte ky lajm. Si e priti vëllai juaj lajmin?
Olsi nuk çuditet më nga unë, u bë një kohë e gjatë që ai është mbështetje morale për mua, është fat të kesh vëlla Olsin, nuk është e lehtë të më kesh vëlla mua. Ndërkohë që e vërteta e mesazhit lidhet me faktin se ne dëshironim që ky eveniment të zinte sa më pak vend në hapësirën e medias e të thashethemit urban dhe ajo që ndodhi ishte befasuese sepse në fakt ishte një gjë e mbajtur shumë sekret, jo sepse do të ndodhë një gjë e madhe, por se duam të jetë një gjë e thjeshtë, një moment ku ne të trokasim një gotë me miq e dashamirës brenda një kuadri festiv të përmbajtur dhe sigurisht kur e mora vesh këtë lajm përveç befasisë ishte një ndjenjë jo e mirë në raport me të afërmit e familjen dhe unë me ngut shkruajta atë mesazh i cili u bë thjeshtë për të ndarë atë lajm me miqtë në mënyrë që të mos e mësonin atë në gazeta. Për fat të keq Olsi është në Tiranë, por ai nuk ka një celular, kështu që unë lajmin për të e lash në celularin e nënës.
Si e ka pritur djali juaj Gregu lajmin e martesës?
Gregu është sot shok dhe mbi të gjitha është një shok dhe një njeri shumë i lirë, shumë i hapur, shumë i komunikueshëm, një njeri i cili ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nga kapërcimi i adoleshencës në këtë moshë dhe mund t’ju them që e priti me një gëzim të veçantë
Znj.Basha, ju keni një vajzë që studion në Zvicër për arkitekturë. Si e priti Rea lajmin?
Pikë së pari do doja të thoja se Rea është kuptimi më i madh i jetës sime, ajo është një fëmijë shumë komunikues dhe mendoj që këtë e ka jo vetëm për shkak të asaj që vijimësisht babai i Reas dhe unë kemi bërë, po për shkak të vëmendjes që gjyshërit e Reas i kanë kushtuar. Ajo ka marrë gjithë kujdesin e vëmendjen e tyre dhe për shkak të faktit se unë dhe babai i Reas na duhej të ktheheshim vonë në shtëpi edhe për shkak të angazhimeve që kishim. Ajo ka cilësi që është e drejtpërdrejtë me njerëzit.
Ajo është e gëzuar, un mendoj që fëmijët janë të gëzuar për prindërit, gëzohen kur nëna dhe babai janë të gëzuar dhe unë mendoj se Rea e ka pritur fare normal këtë lajm, ajo është rritur në kujdes të veçantë.
Znj.Basha, si të pëlqen Rama i veshur?
Edi ekstravagant ishte shumë mirë në atë kohë, por Edi kështu siç është, është shumë mirë sot. Ndonjëherë më duket sikur politika i ka marrë rrobat e ngjyrat dhe i ka vënë në kremastar dhe i ka vënë në dollap për t’i përdorur në një moment tjetër.
Z.Rama, Bashën e përshkruajnë si këshilltaren tuaj. Sa do të influencojë ajo në vendimmarrjen tuaj politike?
Është e sigurtë që Linda është gjysma ime më e mirë dhe padyshim që ne bisedojmë shumë çështje, dhe unë i dëgjoj me vëmendje çka Linda më thotë dhe po ashtu nuk ka dyshim që Linda është një person shumë i dhënë pas punëve të saj, të cilat i ka me shumë pasion, pas kërkimeve të saj, dhe jam i bindur se duke qenë e distancuar nga arena e betejës së përditshme politike do të jetë një mbështetje shumë e mirë shpirtërore.
Znj. Basha, do të luani ju një rol të rëndësishëm politik në jetën e Ramës?
Absolutisht jo. Unë do të jem një mbështetëse shpirtërore shumë e mirë e tij.
Znj. Basha cilin model të zonjave të para do ndiqni në jetën politike?
unë besoj që të jesh sot një grua qe merresh me politikë është sakrificë tejet e madhe dhe të jesh një grua pranë politikës për shkak të bashkëshortit, është një detyrë jo e lehtë. Ajo që do bëj është të jem mbështetëse shpirtërore e Edi Ramës.
Znj.Basha a jeni anëtare e ndonjë partie dhe a do bëheshe anëtare e PS?
Nuk jam dhe nuk do jem, në shtëpi kemi Edin në politike.
Z. Rama do doje që Linda të ishte anëtare e PS-së?
Jo, në familjen tonë ka kush e bën propagandën e partisë.
Znj. Basha, si e njihni Edi Ramën dhe cili është vlerësimi juaj për të?
Edi i pikturuar në të gjitha sulmet që ka patur në politikë në të vërtetë nuk ka të ngjarë fare me Edin e vërtetë apo me atë që njoh unë. Është tejet e vështirë që të parashtroj cilësitë e tij këtu, por sigurisht e kam shumë të vështirë sepse më duket sikur lëvdoj njeriun e dashur timin. Por mendoj se fakti që unë me një bindje të plotë jam ulur përkrah Edit është e mjaftueshme për të kuptuar vlerësimin tim lidhur me të. Edi dy cilësi i ka të spikatura shumë, është shumë njerëzor dhe komunikues.
Po një anë negative?
S’besoj se sot është dita të them një të metë. Unë s’besoj se ka njerëz perfektë.
Znj. Basha, ju keni punuar dhe me qeveritë e PD në një post të rëndësishëm siç janë privatizime. Ju në të shkuarën keni votuar për PD?
Unë gjithnjë kam votuar sa herë që janë bërë zgjedhje.
Kur nuk e njihnit Ramën, keni votuar për të?
Unë nuk e kam votuar se e kam njohur, por e kam njohur se e kam votuar.
Znj. Basha cilat janë çështjet që ju keni kundërshtime?
Me Edin ndajmë mendime dhe opinione pothuajse të njëjta dhe e shohim botën njësoj, sigurisht temat që ne diskutojmë shumë kanë lidhje me ato që diskutojnë familjet shqiptare.
z. Rama keni pritur njeriun e duhur që e zgjatët kaq shumë?
Sigurisht që unë e kam ndjerë në numrin e pafundmë të urimeve që kjo ngjarje ka krijuar një energji pozitive, një ndjenjë gëzimi tek miqtë dhe shumë të panjohur. Jam shumë i kënaqur për këtë. Përsa i përket kohës, nuk ka të bëjë me faktin nëse kam pritur apo jam ngutur, nuk është me të ngutur apo me të pritur, por është me të ngjitur.
Z.Rama a ka një gjë ku ndaheni ju te dy?
Ne kemi dashuri të veçantë dhe mirëkuptim të thellë por sigurisht ka sfidën e debatit, e të argumentuarit lidhur me shumëçka. Nuk është absolutisht e vërtetë që midis nesh politika është në qendër të bisedës. Jeta personale e njeriut meriton të ruhet dhe të respektohet, por në rastin tim kjo është shumë e vështirë, por ne do bëjmë çdo përpjekje që jetën tonë ta mbajmë larg kamerave dhe thashethemit urban.
Z. Rama si mendoni se do ndryshojë profili juaj?
Lidhja jonë ndryshon diçka themelore shpirtërisht dhe për mua kjo është gjithçka, dhe sigurisht që politika është pasioni im por jeta është më e gjerë se politika.
Znj. Basha ku do të banoni pas martesë?
Ne do banojmë në Tiranë. Në një apartament me qira, fare pranë ekspozitës, ku banon Edi aktualisht.
z. Rama, keni zgjedhur të jetoni sërish shumë pranë zonjës Aneta?
Në këtë rast unë jam shumë i lumtur që jam mes këtyre dy grave kaq të rëndësishme për jetën time dhe është kënaqësi që gjeografikisht të jemi afër.
Z. Rama, Ben Blushin do ta ftoni në dasmë?
Blushi është miku im, padyshim që po
Po Islamin?
Është bashkëpunëtor i imi dhe s’ka asnjë dyshim që do e ftoj.
Po z. Berisha do ta ftoni?
Ajo festë shumë e thjeshtë që do të bëjmë, që ka të jashtëzakonshme vetëm masën e të ftuarve, dhe është për miqtë dhe dashamirësit.
Znj.Basha, kush do e paguajë dasmën?
Festa është e të dyve dhe të dy do ta paguajmë.
Znj.Basha ku do ta kaloni muajin e mjaltit
Jo nuk do ketë një muaj mjalti, për shkak të punës që ka Edi, ai duhet të jetë në krye të punës së tij.
Znj. Basha a do ta ruani edhe në vazhdim këtë diskret?
Kjo rrethanë në këtë studio ndodh vetëm një herë në jetë dhe kjo nuk ka ndodhur për shkakun tim dhe sigurisht që unë do vazhdoj të ruaj dëshirën që të mos jem në qendër të vëmendjes së publikut. Por ama si bashkëshortja e Edi Ramës do të jem pranë tij sa herë që kjo të jetë e domosdoshme.

2 COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here