Home Sport Letër e hapur për Michel Platini

Letër e hapur për Michel Platini

111
0

stefano-tacconiI dashur Michel,

Unë Stefano Tacconi po të shkruaj këtë letër miku im, si Ambasador i Paqes i Qendrës së Paqes mes Popujve të Asizit (qytet simbol në rajonin e Umbrias, duke përfituar nga rasti i ndeshjes miqësore Itali-Shqipëri, ku isha i ftuar si dëshmitar i një iniciative solidariteti në favor të popullit të Genova-s. Gjatë kësaj iniciative pata rastin të konstatoj personalisht sesi populli shqiptar i’u bashkua me një entuziazëm dhe bujari të jashtëzakonshme nismës së ndërmarrë nga mikja ime e dashur, Keda Kaceli, dhe pashë sesi sërish futbolli mundet të jetë promovues solidariteti dhe përçues mesazhesh plot shpresë.

Shumë vite kanë kaluar nga koha kur unë e ti kryesonim me skuadrën tonë, garat sportive kudo në botë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar qëkur në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, i thoshim njëri-tjetrit se ishim më të mirët. Dhe ne për një kohë shumë të gjatë, vërtet që ishim më të mirët. Dhe jam i sigurt se shpirti jonë sportiv dhe ndjenjat fisnike e ndershmëria që na udhëhiqnin gjatë çdo ndeshjeje, nuk kanë ndryshuar. Më kujtohet mirë kur thoshim me njëri-tjetrin se duhej të ishte gjithmonë “fusha e blertë” ajo që duhej të jepte përgjigjen kundrejt të gjithë atyre që na provokonin me insinuata dashakeqe mbi fitoret tona të shumta; dhe siç e dimë mirë, fusha jonë, ato përgjigje i dha për një kohë shumë të gjatë e të paharruar, si gjatë ashtu dhe tani, pas karrierës, kur ishim kampionët e futbollit: unë si një ndër lojtarët me më shumë tituj në botë, e ti që mban sot detyrën e lartë të Presidentit të UEFA-s. Unë gjithnjë e më shpesh si Team Coach sportiv, por mbi të gjitha si Ambasador i Paqes dhe Solidaritetit në botë, ndërsa ti si gjyqtar i paanshëm, pikërisht i asaj fushe ku dikur unë e ti ishim protagonistë, së bashku. Pikërisht në emër të miqësisë së veçantë që ende na lidh – i dashur miku im i vjetër, shok i mijëra betejave – të shkruaj për të të thënë se e ndoqa me trishtim të madh ndjeshjen Serbi – Shqipëri, që u zhvillua në Beograd më 14 tetor; dhe po si shumë të tjerë, të dashuruar pas futbollit siç jemi ne, shokë të topit, nuk mund të mos vëreja se si një spektakël i mrekullueshëm si ky i yni, i lindur me idenë që të bashkojë popujt, ndonjëherë i ndan. Nuk flas për ato gjëra që ndodhën gjatë atij takimi dhe që gjithkush i pa, pasi secili i komenton dhe i interpreton sipas dëshirës, por flas duke menduar për gjithë ata miliona qytetarë serbë dhe shqiptarë, të cilët me bindjen dhe dëshirën për të parë një ndeshje futbolli, panë një spektakël të shëmtuar ngado që ta kapësh. Sporti nuk është dhunë, është paqe dhe miqësi! Unë besoj, i dashur Michel, që pjesa më e madhe e njerëzve të mirë, ka të drejtë të të kërkojë që ajo ndeshje fatkeqe të ripërsëritet, madje edhe me dyer të mbyllura. Siç të thashë nuk i futem çështjes për si rodhën ngjarjet, as për përgjegjësitë inviduale apo kolektive të këtij apo atij që ushtroi atë dhunë të turpshme, por mendoj se bota e futbollit duhet t’i japë një mesazh të fortë e të qartë atyre që mendojnë se mund ta shëmtojnë e shfuqizojnë. Kjo për të thënë sa më fort e qartë, që sporti – ai i vërteti, ai që bëhet me këmbë dhe zemer dhe jo me grushta e gurë – në fund fiton gjithmonë dhe nuk mund të jetë kurrë pre e instrumentalizimit për arsye politike, etnike apo fetare. Besoj se të njoh aq mirë sa të mos gabohem me bindjen se nuk do e humbasësh rastin për të na treguar të gjithëve, edhe njëherë, se sporti nuk është vetëm ekonomi, biznes dhe politikë. Le ta përsërisim pra atë ndeshje që duhet harruar dhe qoftë kjo festa e futbollit. Qoftë më në fund ky rasti ku familjet e dy vendeve të gëzojnë për aksionet e skuadrave të tyre. Qoftë një rast për t’u njohur, për të dhënë mesazhe paqeje dhe pajtimi; përndryshe nga ajo ditë do të mbetet përgjithmonë veç inati dhe mllefi i palëve dhe hidhërimi i tifozëve, ndërsa ne që besojmë në vlerat e sportit, do të kemi humbur rastin për t’a bërë futbollin lajmëtar të paqes, të vlerave, të ndershmërisë dhe të miqësisë.

P.S. Mos harro se më ke borxh dy ndere mik i dashur: së pari fitoret e shumta që kemi korrur së bashku dhe së dyti cigaret e panumërta që më kërkoje gjatë kohës së kaluar bashkë në futbollin italian. Të kujtohet? Ja pra ky është rast i mirë për të dalë barazim dhe për t’i këshilluar njëri-tjetrit që të mos pijmë më duhan.

Të përqafoj vëllazërisht.

Genova, 18 nëntor 2014

STEFANO TACCONI

Previous articleTopalli thyen bojkotin e opozites, braktis protesten
Next articleRritet cmimi i Pasaportave dhe kartave te identitetit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here