Home Aktualitet Krishtlindjet, Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë

Krishtlindjet, Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë

599
0

Presidenti Bamir Topi uroi sot, gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve.

Sipas zyrës së shtypi pranë Presidencës, Kreu i Shtetit i dërgoi një mesazh urimi për Festën e Krishtlindjes, Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastas Janullatosit.

“Kjo festë e bekuar përcjell lumturi dhe u jep besimtarëve të krishterëve në mbarë botën gëzimin shpirtëror dhe shpresën për jetën. Ajo ka lindur në dritën e besimit, shpresës dhe dashurisë dhe për shekuj me radhë, na tërheq drejt vlerave të vërteta shpirtërore”, thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

Sipas tij “këto vlera luajnë një rol të veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe kanë ushqyer ndër vite kulturën tonë kombëtare”.

“Për besimtarët e krishterë shqiptarë, Krishtlindja është një ditë e bekuar dhe përbën një traditë të mirë për të treguar dashurinë për të afërmin, mbështetjen për ata që kanë nevojë, kujdesin ndaj familjes, ndihmesën ndaj të varfrit, mirënjohjen e sinqertë për njeriun e përkushtuar ndaj punës. Është e rëndësishme që këto vlera njerëzore të trashëgohen nga brezat e rinj, të cilët me veprimtarinë e tyre do t’i sjellin vendit begati dhe një të ardhme të suksesshme”, vijon mesazhi i Kreut të Shtetit.

Presidenti thekson se “është e rëndësishme që këto vlera të dominojnë sidomos sot, kur një pjesë e popullsisë po përjeton momente të vështira për shkak të përmbytjeve, për të dëshmuar edhe një herë se në të mirë e në të keq, ne shqiptarët jemi përkrah njëri-tjetrit pa asnjë dallim”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here