Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
Ndërsa është numëruar pjesa më madhe e votave partia e Hashim Thaçit PDK deri tani ka arritur të marrë 33.5% të votave duke u renditur e para. LDK, partia e Isa Mustafës ka marrë 23.6% të votave e ndjekur nga Vetëvendosja e Albin Kurtit me 12.2% të votave.
Sipas kryetares së KQZ-së Valdete Daka deri tani janë numëruar 28564 vota, ndërsa kanë mbetur pa u numëruar edhe 23 vendvotime të tjera. KQZ njoftoi gjithashtu se pjesmarrja ka qenë në shifrat e 47.5%.
Partitë e tjera kanë mundur të marrin
AAK : 10.5%
AKR : 7.1%
LDD : 3.3%
FER : 2.2%
***
Bashkimi Evropian është i kënaqur me mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve në Kosovë. BE-ja bëri thirrje për krijimin e shpejtë të qeverisë së re.
“Ne urojmë popullin e Kosovës për zgjedhjet e 12 dhjetorit, qetësinë dhe rregullin të cilat shoqëruan pjesën më të madhe të votimeve”, tha shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton dhe eurokomisioneri për zgjerimin, Shtefan File.
“Tani është e rëndësishme që të krijohet shpejt qeveria e re, të zgjidhet presidenti në mënyrë që të përballen me sfidat që i presin”, tha Eshton dhe File.
“Na pret shumë punë përpara nesh në vitin që vjen në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejt BE-së”, theksuan Eshton dhe File.
PE: Respektoni ligjin per Drenas e Skenderaj
Delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian që mbikëqyri ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka vlerësuar se procesi në përgjithësi ishte organizuar mirë dhe se pjesëmarrja në votime, siç thuhet, inkurajon zhvillimin e demokracisë në vend.
Megjithatë, “akuza serioze për manipulime” në komunën e Skënderajt dhe të Drenasit thuhet se i janë bërë të ditura këtij delegacioni. Eurodeputetët u kërkuan institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për të zgjidhur problemet që flasin për mashtrime në këto dy komuna.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, shpjegoi:”Ne u bëjmë thirrje kosovarëve që të respektojnë institucionet dhe kërkoj që ata t’u besojnë atyre. Ato do të duhet të tregojnë se janë të besueshme”.
Eurodepeputetja Ulrike Lunacek, ndërkaq, tha se partitë politike duhet t’u drejtohen mekanizmave përgjegjës, pra Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me pakënaqësitë për ecurinë e procesit zgjedhor në dy komunat në fjalë.
“Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht ata duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ata nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”, u shpreh Lunacek duke theksuar nevojën që ndaj keqbërësve të merren masat ndëshkuese në rast se vërtetohen parregullsitë.
Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime, në Skenderaj kanë votuar 93.68% e qytetarëve, ndërsa në komunën e Drenasit kutive të votimit u janë drejtuar 86.94%.
Paritë politike, ndër të tjera, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me votime të shumëfishta që, sipas tyre, kanë ndodhur në këto komuna për shkak të mosfunksionimit të baterive ultravjollce.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës para publikimit të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të para që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
“Fitorja është e jona” u tha Thaçi mbështetësve të tij në një fjalim që u transmetua në televizion. Ai tha se kjo ishte fitore e vlerave demokratike.
Partia Demokratike e Kosovës duket se ka arritur me lehtësi ta ruajë primatin në skenën politike në vend, të cilën e kishte siguruar 3 vjet më parë. Të paktën kështu, të dielën, kanë treguar rezultatet e para që janë shpallur nga koalicioni Demokracia në Veprim dhe nga Exit Poll’i i organizuar nga instituti “Gani Bobi”, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të së dielës, të cilat janë karakterizuar me mjaft incidente dhe parregullsi.
Sipas Demokracisë në Veprim, e cila ka shpallur një rezultat të pjesshëm, Partia Demokratike e Kosovës prin me 34. 4 për qind të votave, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.36 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 11.97 për qind, AAK me 10.19, LDD e Nexhat Dacit ka siguruar vetëm 2.868 për qind – pak më shumë se Fryma e Re me 2.26 dhe Aleanca Kosova e Re me 7.52 për qind. Sipas DV’së, të gjitha subjektet tjera kanë fituar 5.82 për qind të votave.
Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se numërimi i votave do të vazhdojë deri në mëngjesin e së hënës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni kryesor për organizimin e zgjedhjeve në vend, nuk ka arritur të dielën të japë ndonjë rezultat. Ky institucion ka njoftuar vetëm për përqindjen e daljes së votuesve, që kësaj radhe ka shënuar 47.8 për qind të trupit elektoral.
Por, KQZ ka njoftuar se problemet që janë shfaqur nëpër vendvotime nuk e dëmtojnë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.
Pavarësisht rezultateve të pjesshme, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur triumfin para simpatizantëve të tij në Prishtinë.
“Urime fitorja Kosovë, urime fitorja demokratë të Kosovës. Fitorja jonë është referendum i qytetarëve për qeverisjen e mirë të Kosovës dhe është vizion i jonë për Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës dhe aktualisht kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi fitoren e ka shpallur në orët e vona të mbrëmjes, me mëngë të përvjela, me një zë nganjëherë emocional dhe djersë që ia kanë mbuluar ballin.
“Sot foli dhe vendosi qartë vullneti i qytetarëve të Kosovës. Sot foli Kosova europiane, sot foli Kosova euroatlantike. Zgjedhjet sot ishin edhe referendum për të ardhmen evropiane. Sot folën dhe vendosën europianët më të rinj. Kosova foli qartë dhe njëzëri, ne e shprehem vullnetin tonë për vlerat europiane”, ka thënë Thaçi.
Në fakt, zyrtarë të lartë të PDK’së kanë folur për fitoren menjëherë pasi janë mbyllur vendvotimet dhe ka filluar numërimi i votave.
Gjatë kësaj kohe është shfaqur edhe një luftë e ftohtë mes PDK’së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka kritikuar pohimet e rivalëve për fitore, duke thënë se është LDK ajo që prin.
Kjo situatë është reflektuar edhe në rrugët e kryeqytetit mes ithtarëve të PDK’së dhe LDK’së, të cilët gati sa nuk janë përplasur.
Në orët e vona të mbrëmjes, madje, është dashur edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës, e cila ka hyrë në mes të simpatizantëve të këtyre partive, për të shmangur incidentet eventuale. Megjithtë, thyrje xhamash të lokaleve dhe dëmtime tjera të vogla ka qenë e pamundur të shmangen.
Përfaqësues të partive politike kanë polemizuar edhe nëpër debate televizive, duke shfaqur edhe mospajtime për rezultatet që fillimisht janë prezantuar nga Exit Poll’i i “Gani Bobit”.
Pas gjithë kësaj, në një konferencë për media është paraqitur edhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka kërkuar që të mos shpallen rezultatet nga partitë, duke aluduar në PDK’në.
“Nuk ka nevojë të presupozojmë rezultate. Nuk ka nevojë për asnjë tension”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK’së, megjithatë, nuk është dukur aq entuziast para mediave, por nuk ka pranuar se LDK është duke humbur.
Sido që të jetë, LDK është shfaqur shumë kritike për procesin e votimit në Skënderaj, duke kritikuar ashpër njoftimet se atje kanë votuar 94 për qind e elektoratit.
Zyrtarë të kësaj partie kanë paralajmëruar ankesa zyrtare për “rastin e Skënderajt”.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas të gjitha gjasave do të radhitet në pozitën e tretë, ka reaguar në orët e vona me një konferencë për media.
Vetëvendosje është shprehur e inkurajuar për përkrahjen që ka gjetur.
“Jemi të inkurajuar me përkrahjen që koncepti ynë ka gjetur tek qytetarët, në secilin cep të Kosovës”, kanë thënë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Besnik Bislimi.
Vetëvendosje është ankuar edhe për parregullsitë gjatë ditës së votimit.
“Për fat të keq ka pasur edhe raste kur është ndërprerë procesi i votimit, kur llambat ultravjollcë nuk kanë funksionuar, kur qendrat e votimit nuk kanë pasur sprej për gishtërinj, kur fletëvotimet janë shpërndarë jashtë qendrave të votimit dhe janë rikthyer brenda të plotësuara, të penalizuar nga komisionerët e disa forcave të tjera që nuk kanë evidentuar, por kanë plotësuar fletëvotime, nga komisionerë dhe militantë që kanë kërcënuar vëzhguesit tanë”, janë shprehur ata.
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjatë së dielës kanë prezantua ankesat e tyre.
Ata kanë goditur sidomos rezultatin që është prezantuar nga Exit Poll’i.
“Rezultati i Exit Poll’it të prganizatës ‘Gani Bobi’ është tendencë për manipulim me votën e lirë dhe, njëkohësisht, veprim që nuk kontribuon aspak në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të lirë dhe demokratik. AAK konsideron se ky rezultat, përveç që është joserioz dhe jokredibil, ka për synim të krijojë rrëmujë dhe mjegull tek qytetarët dhe hapësirë për manipulim të votave gjatë procesit të numërimit”, ka vlerësuar AAK.
Megjithatë, kjo parti nuk ka shfaqur ndonjë reagim, pasi Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet.
Reagime më të ashpra kanë ardhur nga Koalicioni për Kosovën e Re. I dëshpëruar me rezultatin është shfaqur sidomos Muhamet Mustafa, i cili madje nuk ka kursyer as arrogancën.
Nënpresidentja e AKR’së, Mimoza Kusari, ndërkaq, ka prezantuar një rezultat të kësaj partie për zgjedhjet.
Kusari ka thënë se nga të dhënat e grumbulluara në terren del se partia e Behgjet Pacollit e arrin dhjetëpërqindëshin. Për këtë shifër, ajo ka thënë se nuk është e saktë, për faktin, se ende nuk janë numëruar as gjysma e votave.
Kusari-Lila iu ka bërë thirrje partive politike të mos e shpallin fitoren ende pa dalë asnjë rezultat nga institucionet kompetente.
“Asnjë forcë politike nuk duhet të ngutet të kremtojë fitore pa u numëruar as gjysma e votave”, ka thënë Kusari-Lila.
Demokracia në Veprim
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka publikuar rezultatet nga 31.7 për qind të vendvotimeve të numëruara, sipas të cilave PDK ka dalë partia e parë me 34.4 për qind. Në vendin e dytë renditet LDK me 25.36 për qind, Vetëvendosje ka fituar 11.97 për qind, AAK 10.19 përqind, Koalicioni për Kosovën e Re 7.52 për qind, LDD 2.86 për qind, FER 2.26 për qind dhe të tjerat 5.82 për qind.
Ismet Kryeziu, udhëheqës i “Demokracisë në Veprim” ka thënë në një konferencë për media se rezultatet preliminare janë nga 724 qendra votimi ose 31,7 për qind.
Votuan 47.8 %
Pas mbylljes së gjitha vendvotimeve, KQZ në një konferencë për media kanë konfirmuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë votuar 47.80 për qind e votuesve ose 779 mijë e 401 qytetarë.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se në zgjedhje nuk ka pasur parregullsi, të cilat mund të rrezikojnë seriozisht legjitimitetin e procesit zgjedhor.
“Nuk kemi informata që ndonjë parregullsi do ta dëmtonte këtë proces”, ka thënë Daka, duke shtuar se vend votimet janë hapur dhe mbyllur me kohë.
Votimet sipas komunave: Deçan 43.43 përqind, Gjakovë 40.13, Drenas 86.94, Gjilan 48.46, Dragash 37.41, Istog 40.75, Kaçanik 49.87, Klinë 43.74, Fushë Kosovë 37.01, Kamenicë 37.03, Mitrovicë 37.03, Leposaviqi 1.51 përqind, Lipjan 54.28, Novobërdë 50.32, Kastriot 46.56, Rahovec 46.21, Pejë 42.56, Podujevë 49.02, Prishtinë 55.02, Prizren 44.33, Skenderaj 93.68, Shtime 49.78, Shtërpcë 43.55, Suharekë 46.84, Ferizaj 44.52, Viti 44, Vushtrri 46.60, Zubin Potok 6.27, Zveçan 1.82, Malishevë 51.73, Junik 41.40, Mamushë 65.36, Hani i Elezit 49.74, Graçanicë 41.38, Ranillug 33.62, Partesh 50.80 dhe në Kllokot 46.64 për qind.
Në zgjedhjet e para parlamentare, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të drejtë vote kanë pasur më shumë se 1.6 milionë qytetarë.
Rezultatet sipas Exit Poll’it
Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” ka publikuar Exit Poll për zgjedhjet e së dielës. Sipas kësaj organizate, partia e parë ka dalë PDK me 31 për qind, LDK me 25 për qind, Vetëvendosje me 16 për qind, AAK 12.5, AKR 6.5, FER 4.5 dhe LDD 2.5 për qind.
Në këtë Exit Poll kanë marrë pjesë rreth 2 mijë persona, të cilët janë përgjigjur se për kënd kanë votuar.
Sipas Shkelzen Maliqit, udhëheqës i këtij hulumtimi, rezultatet në fjalë mund të ndryshojnë, pasi është vetëm një projeksion i bazuar në deklarimet e personave që kanë votuar gjatë ditës.